E Diel, 1 Nëntor 2026

Klubi Vllaznia feston 90-vjetorin

Vllaznia feston ditëlindjen e 90-të të saj, që nga koha e krijimit si një ekip futbolli. Shkodra njihet si djepi i futbollit, pasi më 16 shkurt të 1919 në këtë qytet u krijua skuadra e parë e futbollit shqiptar. Emrat e mëdhenj të nxjerrë në vite dhe një tifozeri e zjarrtë, kanë bërë që futbolli në Shkodër të shihet më shumë se vetëm si një sport, por të kthehet në një pasion për mijëra sportdashës. Edhe pse datëlindja e saktë daton më 16 shkurt, drejtuesit e klubit dhe bashkia menduan që aktivitetet për 90-vjetorin të zhvilloheshin gjatë kësaj fundjave. Për të krijuar një atmosferë sa më festive, aktivitetet kanë qenë nga më të larmishmet dhe kanë nisur që para ndeshjes me Flamurtarin, kur u bë dhe prezantimi i himnit të ri të skuadrës. Këto aktivitete janë finalizuar pasditen e djeshme në teatrin "Migjeni", ku futbollistët dhe sportistët më të mirë ndër vite janë nderuar me çmime nga bashkia. Tifozeria ka merituar me plot gojën emrin "Lojtari i 12", pasi e ka mbështetur skuadrën e zemrës si në ndeshjet brenda ashtu edhe jashtë. Mijërat e tifozëve kuqeblu në stadiume, janë dekori i veçantë i futbollit shqiptar. Çdo kundërshtar i Vllaznisë impresionohet nga tifozeria shkodrane, e cila të bën të kuptosh se këtu, jo vetëm që është vendlindja e futbollit shqiptar, por pasioni për lojën më të bukur në botë është shumë i madh. Ekipi i futbollit Vllaznia është krijuar më 16 shkurt të 1919-ës dhe ndër vite ka ndërruar disa herë emër: 1929 u quajt "Bashkimi Shkodran", në 1935 "KS Vllaznia", në 1950 "Shkodra", 1951 "Puna Shkodër", 1958 u riquajt "KS Vllaznia". Nga 1991 e deri më sot kjo skuadër i ka dhënë futbollit shqiptar talente. Ekipi i Vllaznisë mban mbi shpatulla 9 tituj kampionë dhe 5 trofe të Kupës së Shqipërisë. Njëmbëdhjetë lojtarët më të mirë në historinë e Vllaznisë janë: Paulin Ndoja, Hysen Zmijani, Muhamet Dibra, Fatbardhe Jera, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Ferid Ragami, Luan Vukatana, Loro Boriçi, Medin Zhega e Viorenin Sinani. Trajneri i përzgjedhur është Xhevdet Shaqiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›