E Diel, 1 Nëntor 2026

E godita mjekun sepse më bëri një injeksion të skaduar. Mjekët bien sërish pre e dhunës, kësaj here në Laç

(E PERDITESUAR)- Hajdar Bregu, 61 vjeçari nga Korça, i vendosur nën akuzë pasi goditi mjekun Thoma Nini, ka deklaruar dje përpara gjyqit se e ka sulmuar mjekun pasi i ka bërë një injeksion të skaduar.

Më bënë një injeksion të skaduar, kushedi sa persona kanë helmuar me ilaçe të skaduara. Pasi më bënë serumin, më nisi një hemorragji e brendshme. Kujtova se do ndërroja jetë. Mora karrigen dhe godita mjekun. U lodha duke u hallakatur spitaleve. Në vend që të më shërojnë, po më sëmurin më shumë. Kam vite që hyj e dal në ato dyer, por mjekët janë tallur me mua. Nëse do të vdisja, doja që më parë të kisha marrë hakun, tha Bregu.

Ai akuzohet se ka goditur mjekun Thoma Nini për shkak se nuk i ka dhënë fletën e KEMP-it për të marrë pagesë si person i paaftë për të punuar. Mbrojtja ka paraqitur në seancë edhe certifikatë invaliditeti, por gjykata ka vendosur ta lërë në burg 61 vjeçarin.

Ndërkohë mjekët vijojnë të bien pre e dhunës. Kësaj here ngjarja ka ndodhur në spitalin e Laçit.

Sipas policisë, shtetasi Agim Reçi dhunoi fizikisht personelin e spitalit në Laç, pasi pretendonte se nuk u kujdesën si duhet për djalin e tij, që ishte paraqitur në spital me probleme shëndetësore. Mëngjesin e sotëm policia arrestoi autorin Agim Reçi, i cili mësohet se ishte nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›