E Shtunë, 31 Tetor 2026

E harrojnë veriun

Përderisa Ministria e Energjisë dhe e Minierave, furnizimin e veriut me rrymë nga Serbia e quan çështje teknike dhe barrë e KEK`ut, zyrtarët e kësaj korporate nuk pranojnë se shteti fqinj ka dorë mbi këtë pjesë të Kosovës. Këtë e pranojnë vetëm zyrtarë të KOSTT`it.

Edhe një javë pasi që veriu i Kosovës po furnizohet me rrymë nga Serbia, institucionet kosovare nuk kanë ide se si ta zgjidhin këtë problem. Madje, ata ia hedhin topin njëra -tjetrës.

Ministria e Energjisë dhe e Minierave, furnizimin me rrymë në këtë pjesë, e quan çështje teknike dhe përgjegjësi të KEK-ut. Madje, zyrtarë të saj kërkojnë nga kjo kompani të gjithë konsumatorët ti trajtojë njësoj. Furnizimin me energji të një pjesës së veriut e konsiderojmë çështje tërësisht teknike dhe nga KEK-u duhet të zgjidhet në pajtim me ligjin. Ne konsiderojmë se të gjithë konsumatorët duhet të trajtohen njëjtë, e në këtë aspekt edhe ata në veri, ka thënë Naim Zeqiri, drejtor i Zyrës për Komunikim në MEM.

Mirëpo, nuk është sqaruar nëse KEK-u ka fuqi që e vetme ta tejkalojë problemin, kur dihet se çështja e veriut ende është e hapur. Nga mediat serbe, javën e kaluar, është alarmuar opinioni, për siç e kanë quajtur ato, katastrofën humanitare në veri. Për këtë shkak, thuhet se shteti serb ka ndërhyrë duke e furnizuar këtë pjesë të Kosovës me 20 megavatë në orë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) pranon se veriu i Kosovës po furnizohet me rrymë nga Serbia. Veriu i Mitrovicës, përkatësisht nënstacioni i Vallaçit, është duke u furnizuar nga linja 110kV LP 155/2 (NS Novi Pazari 2), ndërsa në kohën e ngarkesës maksimale një pjesë e furnizimit bëhet nga Hidrocentrali i Ujmanit, thotë Arjeta Gashi, zyrtare për informim në KOSTT.

Ajo, gjithashtu, ka thënë se nuk është bërë ende rikyçja e nënstacionit të Vallaçit, pas rekomandimeve të KEK-ut.
Ndërkaq, në Korporatën Energjetike të Kosovës, thonë se për shkak të dështimit të operatorëve në nënstacionin e Vallaçit që të zbatojnë furnizimin sipas planit ABC, sistemi atje ka rënë disa herë, për shkak të mbingarkesave. Prandaj, sipas zëdhënësit Viktor Buzhala, KEK-u ka udhëzuar KOSTT-in ta shkyçë largpërçuesin, derisa të krijohen kushtet për operim të sigurt. KEK-u është i vetmi operator për furnizim me energji elektrike në Kosovë dhe ndërhyrja e ndonjë operatori tjetër paraqet veprim ilegal, tha Buzhala.

Ai ka shtuar se është pikërisht kjo korporatë po e furnizon këtë pjesë me nga 6 orë nga Hidrocentralit i Ujmani, duke mos pranuar se kjo po bëhet nga Serbia.
Pos kësaj, shkyçja e konsumatorëve që gjinden në 17 për qind të territorit të Kosovës, nga zyrtarët e KEK-ut vlerësohet si zgjidhja e vetme. Shkyçja ka qenë zgjidhja e vetme, shtoi Buzhala.

Kjo situatë e pazakontë nuk e ka shqetësuar as të parin e Komunës se Mitrovicës, Bajram Rexhepi. Ai, për Express, ka thënë se nuk është njoftuar për këtë problem dhe ka pranuar se komuna nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në këtë çështje. Përgjegjësia, sipas tij, vjen nga institucionet qendrore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›