E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe dy të tjerë

Me fotografinë e Linditës në dorë, babai i saj, Ali Idrizi, ka udhëtuar nga fshati Vranjakë e Rahovecit drejt Prishtinës.

Pa e njohur kurrë më parë, ai është nisur ta gjejë shtëpinë e Blerim Ramës, të mbijetuarit të Tragjedisë së Tisas.

Tërë këtë rrugë, me plot ankth e mendime se të bijës i ka ndodhur më e keqja, ai e ka bërë vetëm për një qëllim. Tia parashtrojë Blerimit vetëm një pyetje. A mos ka qenë njëra nga këto dy vajza, atë natë në varkë me ju, e pyet Aliu, 29-vjecarin nga Prishtina, duke ia treguar një fotografi në të cilën shihen dy vajza.

Përgjigja e Blerimit, është e dhimbshme për familjen Idrizi. Sipas Blerimit, dyshohet se në atë varkë, atë natë, ka qenë edhe Lindita, së bashku me dy vajzat e saj, Agnesen 8 vjeç, dhe Anitën 6 vjeç.

Kështu listës së gjatë të fëmijëve, grave dhe burrave që dyshohet të jenë mbytur në këtë lumë, i shtohen edhe këta tre emra.

Shpresa vdes e fundit, por për Aliun, ajo vdiq sapo mori përgjigjen e Blerimit, i cili identifikoi të bijën e tij, nënë e dy fëmijëve.

Ndërkohë, EULEX-i, ka njoftuar se janë identifikuar edhe dy viktima që i përkasin Tragjedisë së Tisas.

Në mëngjesin e së shtunës, edhe dy viktima nga rasti i lumit Tisa janë identifikuar nga Departamenti i Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës. Viktimat e identifikuara këtë mëngjes janë një grua dhe një fëmijë, shkruan Christophe Lamfalussy, shef i Zyrës për Informim në EULEX, në një komunikatë për media.

Sipas këtij misioni, trupat e pesë viktimave që janë zbuluar nga autoritetet serbe janë identifikuar, ndërkohë që deri më tash, tre trupa janë gjetur në pjesën hungareze të lumit.

Por emrat e trupave të gjetur ende nuk janë identifikuar. Derisa të bëhet kjo, Aliu prap shpreson se e bija dhe dy mbesat e saj, mos ndoshta janë gjallë diku, pavarësisht se kontaktet me të janë ndërprerë që nga nata e 16 tetorit.

Me 16 tetor, thuhet se ka folë me burrin e vet. Ajo i ka thënë se në ato momente janë duke u bërë gati të ecin. Pas 5 apo 6 minutave, është ndërprerë lidhja dhe më nuk ka asnjë informatë, thotë Aliu, për Express.

Hera e fundit që Aliu është përshëndetur me të bijën ka qenë 11 tetori, kur e ka vizituar atë për ti uruar rrugë të mbarë.

Ajo është nisur drejt Zvicrës për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, shpjegon Aliu, arsyet e këtij udhëtimi të së bijës.

Edhe burri i saj nuk ka dokumentet të rregulluara, por pas 4 vjetësh, familja ka dashur të bëhet bashkë, shpjegon babai i Linditës.

Atë ditë që e pash vajzën, nuk e pyeta për mënyrën e udhëtimit. Atë rrugë e kam bërë edhe unë kohë më parë. Vjehrri i vet na tha se do të hipin në autobus në Kosovë dhe do të zbresin në Zvicër, rrëfen Aliu, i tronditur nga lajmi që mori për të bijën nga dëshmitari i kësaj tragjedie.

Nuk munda ta pyes vjehrrin e saj për parat, sepse më ka ardhur zor. Kisha edhe emocione dhe isha i mërzitur për qikën, shpjegon Aliu, duke lutur Zotin që e bija të bashkohet me familje me burrin e saj.

Tash në Kosovë është kthyer edhe burri i Linditës, i cili sipas Aliut, është duke bërë përpjekje ti gjejë fëmijët dhe gruan e tij.

E kam lajmëruar rastin në polici, por ata vetëm një numër të telefonit më kanë marrë. Nuk e çan kush kryet për këtë punë. Ne duhet të bëjmë diçka ashtu si të mundim, thotë Aliu, babai i Linditës.

Askujt nuk i intereson kjo. Ata janë të zënë me zgjedhje. Nuk kanë pse kërkojnë vota. Kur kërkon votën nga unë, duhet që edhe unë të ke ndihmë nga ata, shprehet i mllefosur Ali Idrizi, i cili ka tre dëshmorë në farefisin e tij.

Vajza ime ka ikë nga Kosova, për shkak të gjendjes ekonomike, e këta rrinë gjithë ditën me gërshërë në dorë duke pre shirita, thotë Aliu, pa shpresën që sërish do të mund ta shohë të bijën dhe dy mbesat e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›