E hëna pushim, nëse festa bie në fundjavë

Dita e hënë do të vazhdojë të konsiderohet si ditë pushimi kur festa bie të shtunën ose të dielën
TIRANË- Të gjithë të punësuarit në administratën publike dhe atë private ku zbatohen termat e Kodit të Punës do mund të vijojnë të shijojnë të hënat pushime kur festat zyrtare bien të shtunave ose të dielave.
Ndryshimi në ligjin "Për festat zyrtare e ditët përkujtimore" nuk do të prekin totalin e ditëve të pushimit që të punësuarit përfitojnë si rezultat i festave zyrtare, pavarësisht nëse ato bien në ditë të pushimit javor apo jo.
Një fakt i tillë është sqaruar dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve ku dhe u miratuan disa ndryshime në ligjin e mësipërm, nëpërmjet të cilave jo vetëm që nuk do të pakësohen ditët e pushimit, që vijnë edhe për shkak të festave zyrtare, por përkundrazi ato do të shtohen pasi listës së festave i është shtuar edhe 8 dhjetori si dita e rinisë në nderim të lëvizjeve studentore të vitit 1990.
Komisioni
Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje jo pa vështirësi draftin që amendon në dy nene të veçanta ligjin "Për festat zyrtare e ditët përkujtimore". Në prezantimin e tij para komisionit të Ligjeve, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë Miran Kopani ka bërë një rezyme të shpejt të asaj çfarë synohet të arrihet me këto qëllime, ku natyrisht përveç shtimit në listën e festave zyrtare të 8 dhjetorit, një moment i rëndësishëm dhe jo shumë i qartë ishte ai i shfuqizimit të paragrafit të fundit i nenit 1 të tij, i cili bënë përcaktimin se kur festat zyrtare bien në ditë pushimi atëherë kjo e fundit shtyhet për në ditën pasardhëse.
Por ky shfuqizim nuk është kuptuar qartë jo vetëm nga anëtarët e komisionit por edhe nga vet përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë si hartuese e këtij amendamenti.
Sipas Kopanit, ndryshimi ka të bëjë me një modifikim të këtij ligji i cili synon të shfuqizojë ditët e festave zyrtare, që bien ditën e shtunë dhe të diel në mënyrë që dita pasardhëse të mos konsiderohet ditë pushimi.
Por, sipas relatorit të këtij drafti, deputetit Viktor Gumi ndryshimet e propozuara janë konform Kushtetutës dhe ligjeve të tjera dhe se amendamenti i dytë bënë të mundur, vetëm një rregullim teknik të ligjit, por që nuk do të ketë asnjë efekt real tek ditët e pushimit.
Ai ka bërë të ditur se paragrafi që kërkohet të hiqet në ligj është i tejkaluar në kohë, pasi tashmë rregullimet e parashikuara prej tij për ditët e pushimit bëhen me anë të Kodit të Punës. "Ky është një nga ligjet e para të shoqërisë pluraliste dhe datohet në dhjetor të vitit 1992, ndërsa paragrafi i fundit i nenit 2 është ndryshuar në dhjetor të vitit 1993.
Në 23 gusht të vitit 1995 ka hyrë në fuqi Kodi i Punës i cili ka parashikuar këtë pasojë juridike në marrëdhëniet e punës në qoftë se bie festa zyrtare në ditën e pushimit javor.
Pasojat juridike në rastin kur këto festa bien në ditë të pushimit është një terren që është i zgjidhur në mënyrë legjislative me dispozitat përkatëse të Kodit të Punës dhe me këtë rast do të kërkohet dhe një vendim i KM-së për të zbatuar atë dispozitë pra nenin 86 të Kodit të Punës", - tha Gumi në rolin e relatorit.
Alibeaj
Në të njëjtën linjë me Gumin ka qenë edhe ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj i cili në mënyrë të qartë ka theksuar se ndryshimet e propozuara nga Këshilli i Ministrave janë konform Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor dhe nuk prekin ditët e pushimit të të punësuarve në administratën shtetërore apo atë private.
"Ligji i ofruar nga Këshilli i Ministrave nuk pakëson asgjë nga ato që konsiderohen përfitime të të punësuarve në shtet apo privat, por vetëm saktëson një mekanizëm ose një procedurë se çfarë duhet të ndodhë kur ka një mbivendosje të festës zyrtare e cila si rregull nuk duhet të jetë ditë pune me një pushim javor, që duhet të jetë pushim", - tha Alibeaj. Më tej, edhe ai në të njëjtën frymë me kolegun Gumi ka sqaruar se këtë e përcakton në mënyrë të qartë Kodi i Punës.
"Do të jetë dita e hënë ajo që do të konsiderohet si ditë pushimi kur festa bie të shtunën ose të dielën",- theksoi Alibeaj duke bërë të ditur gjithashtu se ka vetëm një sqarim të procedurës. Ndërkohë neni 86 i Kodit të Punës të cilit iu referuan dy deputetët e mësipërm parashikon se "Punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare. Kur dita e festës zyrtare bie në ditët e pushimit javor, pushimi shtyhet ditën e hënë".
Kodi i Punës
DITET E FESTAVE ZYRTARE
Neni 86
(Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
(Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)
1) Si rregull ndalohet puna në ditët e festave zyrtare.
2) Punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare. Kur dita e festës
zyrtare bie në ditët e pushimit javor, pushimi shtyhet ditën e hënë.
3) Përjashtimet për të punuar në ditët e festave zyrtare përcaktohen me vendim të
Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive.
PUNA NE DITEN E DIEL OSE NE DITET E FESTAVE ZYRTARE
Neni 87
(Ndryshuar me ligjin nr.8085, datë 13.03.1996)
(Ndryshuar me ligjin nr.9125, datë 29.07.2003)
Puna e kryer ditën e pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare kompensohet me një
shtesë page jo më pak se 25 për qind ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e
punës së kryer plus një pushim shtesë jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj
pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj.