E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti, Berisha vë nën kontroll SHISH-in

TIRANË - Kryeministri i vendit, Sali Berisha, shtrin duart te Shërbimi Informativ Shtetëror. Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime në ligjin themeltar për SHISH-in, ku në thelb puna e këtij institucioni do të kontrollohet në çdo hap nga kryeministri Sali Berisha.

Kështu, në ndryshimet e kryera dje nga kabineti qeveritar, thuhet se drejtori që udhëheq punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, përveç raportit të zakonshëm vjetor, duhet që të raportojë përpara Kryeministrit në çdo kohë dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e këtij institucioni.

Ndërsa në ligjin e vjetër, kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror raportonte në Këshillin e Ministrave, si dhe te Presidenti i Republikës për problemet, që lidheshin me sigurinë kombëtare.

"Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij", - thuhet në nenin 5 të ligjit të ndryshuar. Kompetencat e kreut të qeverisë mbi këtë institucion shkojnë edhe më tej, kur shërbimi shqiptar mund të kërkojë të hetojë mbi shërbimet e huaja.

Shërbimit Informativ Shtetëror nuk i lejohet të mbledhë informacion mbi shërbimet e inteligjencës së vendeve të tjera, pa marrë më parë miratimin e Kryeministrit. Gjithashtu po në ndryshimet e kryera për këtë ligj, Kryeministri është ai që jep miratimin ose jo nëse Shërbimi Informativ i Shtetit mund të vendosë marrëdhënie bashkëpunimi me vendet e tjera për realizimin e objektivave të tij.

Mandati 5-vjeçar

Ndërkohë, në shtesat e kryera në nenin 5 të këtij ligji mandati i drejtorit të Shërbimit Informativ bëhet 5 vjet dhe me të drejtë riemërimi vetëm një herë, ndërkohë që më parë nuk përcaktohej afati i qëndrimit në krye të SHISH-it.

Ndryshe nga ligji i vjetër, për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it merret edhe mendimi i Komisionit Parlamentar për sigurinë kombëtare që vepron pranë Kuvendit të Shqipërisë.

"Me propozimin e Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare", - thuhet në nenin 5/1 të shtuar në këtë ligj.

Ndryshimet kanë prekur edhe statuset e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it, ku statusi i drejtorit të këtij institucioni është i barabartë me atë të ministrit ndërsa ai i zëvendësdrejtorit me statusin e zëvendësministrit.

Hetimi i personave publikë

Ndryshimet në ligj parashikojnë gjithashtu edhe hetimin e personave publikë. Duke u futur si element hetimin e personave publikë parashikohet që një nga detyrat parësore të SHISH-it është mbledhja, zbulimi e parandalimi i krimit të organizuar si dhe rastet e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike.

Kështu në një nga kompetencat e reja të SHISH-it përcaktohet qartë se ky institucion ka për detyrë të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave, që ushtrojnë funksione publike

Ndryshimet dhe shtesat e kryera dje në ligjin për ligjin nr 8391 datë 28.10.1998, "Për Shërbimin Informativ të Shtetit":

"Neni 3

Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë:

a) Të mbrojë sigurinë kombëtare, në veçanti, mbrojtjen kundër kërcënimeve nga spiunazhi, terrorizmi dhe sabotazhi, si dhe nga veprimet që synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare;
b) Të mbledhë informacion për prodhimin, trafikimin e armëve e të lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe për krimet kundër mjedisit;
c) Të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike;
ç) Të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda;
d) Të mbledhë, me miratimin e Kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera,;
dh) Të mbrojë sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve dhe të pasurisë, me mjete të përshtatshme, përfshirë verifikimin dhe kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve;
e) Të certifikojë personat, sipas përcaktimeve ligjore;
ë) Të kryejë veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme.

Shërbimi Informativ i Shtetit, për realizimin e funksioneve të mësipërme, ruan raporte të drejta, ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut.
Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit.".

Neni 2

Neni 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Neni 5

Shërbimi Informativ i Shtetit drejtohet nga drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili është përgjegjës për:

a) operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kontrollin e tyre;
b) efikasitetin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
c) sigurimin e çdo informacioni, në përputhje me qëllimin dhe funksionet e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ç) garantimin se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk ndërmerr veprime në interes të ndonjë partie politike;
d) garantimin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara me palët e treta;
e) informimin dhe raportimin te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri për probleme, që lidhen me sigurinë kombëtare.

Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij.
Sipas përcaktimeve të Kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit raporton edhe në Këshillin e Ministrave.".

Neni 3

Pas nenit 5 shtohet neni 5/1, me këtë përmbajtje:

"Neni 5/1

1. Me propozimin e Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

Drejtori qëndron në detyrë për një mandat 5 - vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë.

2. Me propozimin e Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

3. Zëvendësdrejtori është në varësi të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryen detyrat e ngarkuara prej tij. Ai e zëvendëson drejtorin, në rastet kur ky i fundit ndodhet jashtë vendit ose kur mungon në detyrë për arsye shëndetësore, për një periudhë jo më shumë se tre muaj.

4. Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, për efekt të trajtimit financiar, ka status të njëjtë me ministrin, ndërsa zëvendësdrejtori ka status të njëjtë me zëvendësministrin.".

Neni 5

Paragrafi i tretë, i nenit 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Shërbimi Informativ i Shtetit, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratimin e Kryeministrit, me shërbime informative të vendeve të huaja"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›