E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Jemi për hetim, por pa hapur kutitë

PD-ja ofron vetëm një alternativë për opozitën. Të ketë shumicën në komisionin hetimor parlamentar

TIRANË - Projekt-raporti i përgatitur nga Këshilli i Evropës, ku kërkohej hetimi i zgjedhjeve dhe zgjidhja e krizës politike, ka lëvizur mekanizmat politikë midis mazhorancës dhe opozitës në vend.

Në këtë mënyrë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi dje se mazhoranca është e gatshme që zgjedhjet e 28 qershorit të kalojnë në skanerin e hetimit përmes një komisioni parlamentar, por pa pranuar kërkesën themelore të opozitës që është hapja e kutive të votimit.

Gjatë një konference për shtyp, Patozi theksoi se shumica qeverisëse është dakord që të hetohen zgjedhjet. Por, kryetari i grupit parlamentar i PD-së shtoi se kjo duhet të kryhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, që sipas mazhorancës do të thotë mos hapje të kutive të votimit.

Ai vuri në dukje se mazhoranca është e gatshme që t'i japë opozitës shumicën në komisionin parlamentar, që do të ngrihet për hetimin e zgjedhjeve, por sipas Patozit, rruga e komunikimit duhet të jetë në Parlament dhe jo jashtë tij.

"Mazhoranca që qeveris vendin, ashtu siç ka deklaruar edhe herë të tjera, është e gatshme që t'i japë opozitës shumicën në këtë komision parlamentar. Ne jemi plotësisht dakord për një hetim të plotë e të ndershëm në përputhje me Kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregullat e shtetit ligjor.

Më duhet të theksoj gjithashtu se kjo mazhorancë vazhdon të jetë e hapur për dialog me opozitën, por ky komunikim duhet të zhvillohet në rrafshin institucional dhe jo në rrugë", - tha dje Patozi. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, shprehu gjithashtu vlerësimin për projekt-raportin e Këshillit Evropian si dhe qëndrimin e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama për këtë raport.

"Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, shpreh vlerësimin për rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila kërkon pjesëmarrjen e opozitës në Parlament si dhe ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Dëshiroj që me këtë rast të përshëndes qëndrimin e shprehur sot publikisht të kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, në mbështetje të këtyre kërkesave", - theksoi ai.

Me gjithë gatishmërinë që tregon mazhoranca, ajo që vazhdon të mbetet kërkesa kryesore e opozitës është hapja e kutive të votimit. Për këtë arsye, kreu i opozitës, Edi Rama theksoi dje se pranon të dialogojë me mazhorancën, por duhet që ky dialog të përmbajë në themel të tij hapjen e kutive të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›