Rama: Jemi për dialog, me qëllim hapjen e kutive

Kryetari i opozitës ka konfirmuar pjesëmarrjen në çdo tryezë që do t'i shërbente hetimit në themel të zgjedhjeve
"Berisha t'i japë fund bojkotit të opozitës, duke i dhënë popullit opozitar të drejtën të shohë gjithçka ka ndodhur në zgjedhjet e qershorit"
TIRANË - Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në Kuvend derisa mes mazhorancës dhe opozitës nuk do të arrihet një marrëveshje paraprake që ka në thelb pikërisht hapjen e kutive të votimit. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka përshëndetur dje projekt-raportin e Komitetit për Monitorimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, ku kërkohej dialog për zgjidhjen e krizës politike në vend.
"Ndaj me ta, si edhe me të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë, bindjen se dialogu mes forcave politike në një vend demokratik bëhet në parlament dhe përsëris qëndrimin e palëkundshëm të opozitës për të mos u bërë pjesë e parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, deri ditën kur e drejta jonë kushtetuese e demokratike, për hetimin me themel të zgjedhjeve, nuk do të materializohet në një marrëveshje të negociuar mes palëve, e cila t'i hapë rrugë një komisioni hetimor parlamentar me shumicë e kryesim të opozitës e me asistencën dhe monitorimin përkatës ndërkombëtar",- tha Rama, duke konfirmuar pjesëmarrjen e opozitës në çdo tryezë serioze të organizuar për këtë çështje.
Duke shprehur gatishmërinë për dialog në çdo moment, Rama theksoi se protestat popullore nuk do të ndalen. "Ne nuk do të qëndrojmë asnjë moment në vend në rrugën e protestës popullore.
E cila do të vazhdojë si një mjet demokratik po ashtu i patjetërsueshëm, në kushtet kur opozita është grabitur në votat e saj, pastaj dhunuar në të drejtën e saj elementare për të hetuar në parlament procesin e votimit dhe më tej kërcënuar në ekzistencën e saj me gjithfarë sulmesh, diversionesh e intrigash të neveritshme. Dialog po, menjëherë. Qëndrim në vend jo, asnjë moment. Zgjidhje përmes dialogut po, menjëherë.
Zvarritje me justifikimin se po e kërkohet një zgjidhje jo sot jo nesër, asnjë moment", - tha ai. Kryetari i opozitës shtoi se, nuk ka dy rrugë, por vetëm një: "Rrugën e të drejtës së këtij populli për të zgjedhur lirisht me votë dhe për të parë në dritën e diellit si është administruar vota e tij".
"Dëshira jonë është që kjo e drejtë të mos diskutohet, por të garantohet në parlament, nga parlamenti, përmes hetimit parlamentar.
Mirëpo përballë një pushteti që këtë të drejtë demokratike na e mohon dhe një parlamenti që këtë garanci kushtetuese na e refuzon, ne kemi detyrimin të ndjekim rrugën e protestës deri kur të fitojmë të drejtën, ashtu si në çdo vend ku opozitës i mbetet liria pasi ka rënë demokracia", - shtoi Rama.
Kryetari i PS-së theksoi se opozita ka mirëpritur dhe mirëpret çdo asistencë ndërkombëtare në këtë drejtim, ngado që të vijë, BE-ja, KE-ja, OSBE-ja, vende mike apo të gjithë bashkë qoftë.
"Unë e ftoj Sali Berishën ta lexojë drejtë këtë sinjal të fortë shqetësimi, por edhe sugjerimet konkrete që vijnë përmes këtij sinjali,që vijnë nga Këshilli i Evropës dhe t'i japë fund bojkotit të opozitës, duke i dhënë popullit opozitar të drejtën të shohë gjithçka ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara dhe gjithçka gjendet në kutitë e mbyllura të 28 qershorit, mu aty në parlamentin e Shqipërisë përmes atij mekanizmi kushtetues që e garanton këtë; komisionit hetimor parlamentar, pa asnjë kushtëzim që kufizon liri e të drejta kushtetuese që janë për ne të panegociueshme",- tha ai.