E Shtunë, 31 Tetor 2026

E keqja është përtej fotografive

Preç Zogaj

Që kryeministri Sali Berisha ka qenë për shumë vite anëtar i PPSH dhe sekretar partie në një organizatë të spitalit, kjo ka qenë dhe është një gjë e njohur për të gjithë. Ai e ka ushtruar publikisht anëtarësinë në Partinë e Punës dhe po publikisht është larguar prej saj kur firmosi në listën e themeluesve të Partisë Demokratike. Që kishte arritur të bëhej pjesë e grupit të mjekëve që kujdeseshin për shëndetin e Hysni Kapos dhe ndonjë anëtari tjetër të byrosë politike më vonë, edhe këtë e ka pohuar vetë sa herë është pyetur, qysh prej fillimit të lëvizjes demokratike. Që ka qenë për specializim në Francë dhe ka kaluar në kudhrën e intelektualëve frankofonë të përzgjedhur për atje, edhe këtë mund ta mësojë kushdo që dëshiron të thellohet në korrikulimin e tij.

Që ka bërë fotografi me udhëheqës të lartë të partisë dhe shtetit, këtë mund ta marrim me mend pa parë ndonjë koleksion, posaqë dimë informacionin e lartppërmendur. Fotografi me udhëheqës të lartë komunistë kanë bërë në rrethana të ndryshme tërë njerëzit e elitës akademike, universitare, shkencore dhe kulturore që nuk ishin të persekutuar nga regjimi. Por kanë bërë edhe njerëz të thjeshtë, që kanë patur më pak mundësi se Berisha për tu fotografuar përkrah një byroisti apo vetë Enver Hoxhës. Dhe duhet ta themi se e konsideronin këtë gjë nder dhe privilegj. Kjo është e vërteta. Dikush mund të ketë patur alergji të gjendej në objektivin e një aparati fotografik tok me një udhëheqës të lartë të Partisë së Punës. Unë do të doja ta njihja këtë njeri, për ti shprehur nderimet e mia. Në jëtë kam njohur njerëz që kur u jepej rasti donin të ishin afër sa më afër udhëheqësit në fotografinë që do të shkrepej. Ishte dashuri, nderim, edukatë, hipokrizi, nevojë, interes- kjo është një hollësi e parëndësishme që nuk gjendet kurrë.

Në princip, mua më duket se është e pakuptimtë dhe e padrejtë që episode të së djeshmes së disave të gjykohen sipas interesave apo emocioneve të sotme të disa të tjerëve. E kam nënvizuar këtë sentencë si një nxënës modest i filozofit francez Rajmon Aron gjatë gjithë viteve të shumta të përballjes sime me sjelljen antidemokratike të Sali Berishës dhe do të vijoj ta nënvizoj deri në fund. Nëse duhet gjykuar- dhe ky i gjykimit është një diskutim i madh me vete – duhen mbajtur parasysh rrethanat dhe të vërtetat në rrjedhën e kohës. Sali Berisha nuk ka patur në komunizëm një pozicion që përcaktonte vijë politike për popullin. Një sekretar organizate mund tu lehtësonte apo rendonte jetën disa njerëzve brenda suazës së madhe të ideologjisë së partisë, por asgjë me shumë. Ditën kur historia e hapi lojën dhe thirri në skenën e ndryshimit individë të lirë , Sali Berisha u paraqit ndër të parët në takim. Kjo është lëvizja e Dhjetorit 1990. Pëfshirja e tij si protagonist në këtë lëvizje dhe mandej si drejtues i Partisë Demokratike përbën ndarjen e tij me akt nga Partia e Punës. Ai njihej mirë në rrethet intelektuale të Tiranës, por gjatë vitit 1990 kishte fituar popullaritet të gjerë edhe në publik. Të gjithë e dinin se ai u ngjit në qytetin Studenti si komunist dhe doli nga lëvizja që zuri fill atje si lider antikomunist.

Deri më sot nuk ka dalë ndonjë e dhënë serioze që të tregojë se ai e mori si dhuratë, me komplot apo me forma të tjera ilegjitime drejtimin e Partisë Demokratike. I vetmi intelektual në grupin nismëtar të PD-së që kërkoi përjashtimin e ish komunistëve nga e drejta e konkurrimit për kryetar partie ka qenë Arben Demeti, i cili kishte qenë vetë komunist, por propozimi i tij mbeti krejtësisht në minorancë si propozim puritanist dhe radikal , që binte ndesh me parimet e lirisë ku mbështetej PD. Në Kongresin e parë të PD-së në shtator vitit 1991 kundërshtarët e Berishës në gjirin e saj u organizuan për ta rivalizuar e mundur në votim me kandidaturën e Neritan Cekës, një intelektual me njohje të gjerë, që vinte nga një familje e djathtë qytetare e Shqipërisë së mesme. Neritani nuk kishte qenë komunist, por Berisha fitoi bindshëm.

Disa muaj më vonë në zgjedhjet e 22 marsit po ky Berishë u votua nga shumica dërmuese e popullit shqiptar. Asnjë ndikim negativ nuk pati në fatin e votimit të dyfishtë të këtij njeriu fakti se kishte qenë sekretar partie, se kishte qenë pjesë e mjekëve të bllokut, se kishte qenë një komunist sektar, edhe pse të gjitha këto diheshin, ose qenë marrë vesh gjatë fushatës elektorale. Pse e qysh ndodhi kështu, gjithkush mund të thellohet me dijet dhe prirjet e tij në këtë dukuri. Por kjo nuk ishte një surprizë, përkundrazi kishte përputhje me disa shembuj kulmorë të historisë sonë kur liderët kanë dalë nga brenda sistemit.

Skënderbeu, për shembull kishte qenë një ushtarak i ushtrive të Sulltanit, Ismail Qemali që shpalli pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia kishte qenë një deputet i vjetër i Parlamentit turk. Më thoshte Pjetër Arbnori në intervistën e parë që i mora për gazetën RD në janar të vitit 1991 se kishte qenë në qytetin Studenti ditën e shpalljes së PD-së, strukur mes njerëzve dhe mbështjellë me kapotë për të mos renë në sy, por nuk mujsha me ardhë drejt tribunës se ishem në përgjim si ish i burgosur.

Në zgjedhjen e popullit kishte mbizotëruar logjika e ndryshimit, e së ardhmes ; logjika që nuk mbështetej në kush, por në çfarë. Me këtë logjikë të shëndoshë, vetë populli u nda nga komunizmi me votë të fshehtë , pra në mënyrën me të sinqertë e më të vërtetë. Në zgjedhjet e 22 marsit 1992 alternativa e vjetër komuniste mori më pak se një për qind të votave. Të gjitha format politike të antikomunizmit pas kësaj ngjarjeje madhështore kanë qenë shumë larg sinorëve që vuri populli me votë; kanë qenë përgjithësisht të kërkuara, demagogjike, pjesë e luftës për pushtet në kotecet e kupolave partiake, shprehje e strategjisë për të vjedhur e abuzuar me pushtetin në zyrat e shtetit, ligësi politike për të nxjerrë inate meskine pa asnjë lidhje me aspiratat europianiste të publikut.

Njëzet vjet pas marsit të vitit 1992 shumica dërmuese e shqiptarëve të interesuar për politikën kanë mësuar vetëm një të re nga e kaluara e Sali Berishës para vitit 1990. Që ai paska pasur miqësi familjare me familjen e njërit prej djemve të Enver Hoxhës. Berisha ka detyrimin ti tregojë publikut natyrën dhe përmasat e kësaj miqësie. Kjo nuk është një çeshtje privatësie. Personalisht kam përshtypjen se skupi i këtij rrëfimi- nese do të ketë një rrëfim- nuk do të prodhojë efekte të tjera politike në dëm apo në dobi të kryeministrit.

E keqja e tij nuk janë fotografitë me ish drejtues të lartë të shtetit komunist apo me pinjollët e tyre. E keqja e tij është përtej fotografive. Ai nuk ka humbur ndonjeherë mbështetje dhe simpati për çfarë ka qenë, por për çfarë ka treguar se është si shtetar: dikush që nuk ka mundur të hedhë bashkë me teserën e PPSH-së edhe mendësinë e saj antidemokratike dhe madje kriminale për pushtetin; dikush që është mjaftuar të konvertohet në antikomunist, gjë që nuk është ndonjë gjë kushedi çfarë, por nuk është bërë dot demokrat, gjë që është gjithçka.

Berisha ka treguar në vijimësi se nuk e njeh ndarjen e pushteteve, si parim themelor të demokracisë, se kërkon të kontrollojë gjithë pushtetet. Kur u bë President i Republikës vuri në Kushtetutë një nen që e lejonte të drejtonte Këshillin e Ministrave duke i dhënë de fakto kryeministrit statusin e zv. kryeministrit.

Nuk ka bashkëjetuar dot normalisht me asnjë President të Republikës dhe me asnjë Prokuror të Përgjithshëm që nuk është bërë vegël e tij. Nuk ka bashkëjetuar normalisht me asnjë kryeministër në detyrë dhe me asnjërin prej shefave të opozitës së tij.

Ka treguar në vijimësi , qëkurse humbi Referendumin Kushtetues në vitin 1994, se nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është e keqja më e madhe e Berishës. Në vitin 1996 prodhoi farsën më të panjohur elektorale në tokën e Europës. Parregullsitë dhe manipulimet e verifikuara në zgjedhjet politike të vitit 2009 dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011 janë shkaku kryesor pse Shqipërisë i refuzohet statusi i vendit kandidat në BE. Ne paketën e famshme të dymbëdhjetë kritereve që duhet të plotë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›