E Shtunë, 31 Tetor 2026

E keqja që s’pranon të ikë

U bënë disa ditë që përfaqësues të qeverisë apo deputetë të saj, janë në fushatë për të kompleksuar maxhorancën e re, lidhur me reformat që ka premtuar. Është rast i pastër tentative për frustrim të kundërshtarit, pasi e majta ende nuk ka asgjë në dorë, ashtu siç është një shembull sulmi i paparimtë nga ana e qeverisë aktuale. Sa kaluam nuk ishte një “mrekulli shqiptare”, dhe këta që po vijnë nuk janë vandalët që do ta shkatërrojnë. Në realitet, Berisha është pak të cilësohet administrator i keq. Ajo që të vjen ndër mend, është zbrazja e qëllimtë e arkës së shtetit dhe lënia e kartave keq e mos më keq, për të mbuluar tokën e djegur që ke lënë pas.
Sot, borxhi publik ka kaluar kufijtë e lejuar. Ndërmarrjet publike janë në prag falimentimi, për mos thënë që kanë falimentuar. Privatizimet, aq shumë të propaganduara nga qeverisja e tij në tetë vjetët e fundit si theçerizëm, nuk rezultuan tjetër veçse gropa të mëdha financiare dhe hajdutllëk i stilit ballkanik. Mashtrues ordinerë futën duart, dhe ndërmarrjet dikur të lulëzuara të ekonomisë shqiptare dhe përfaqësuese të saj, po i kthejnë mbrapsht gërmadha ose hekurishte. Nuk mund të harrohet nisma “Shqipëria 1 Euro”. Në terma ekonomikë dhe të thithjes së investitorëve seriozë, ajo rezultoi një fiasko. Në realitet, ishte një mundësi për spekulantët vendas që të privatizonin pjesë të pasurisë kombëtare për çmime qesharake. Jo më kot, mungon një evidencë e kësaj nisme.
Edhe sot që është në agoninë e saj dhe e zhveshur nga mandati politik, qeveria dhe përfaqësuesi i anarkisë groteske shqiptare, ministri i Mbrojtjes Imami, po privatizojnë pasuri të ushtrisë, ku arsyeja e vetme që u mungon këtyre akteve, është logjika ekonomike për financat shqiptare.
Nëse do të bëjmë një shikim të thjeshtë të premtimeve me të cilat Berisha erdhi në pushtet, gjendjen si e mori ekonominë dhe si po e dorëzon , karakterizimi i saj mund të përmblidhet me një fjalë: Katastrofë. Ndaj të akuzosh kundërshtarët dhe përpiqesh t’i kompleksosh ata, ndërkohë që nuk ke dorëzuar akoma as çelësat e kashtës, është diçka që shkon përtej luftës politike. Është armiqësi dhe djallëzi e denjë vetëm për pushtuesit që largohen të mundur.
Gjithë vala e përfaqësuesve të së djathtës që sulmojnë, do të ishte e kuptueshme nëse do bëhej nga disa individë të pamend të saj, të njohur më shumë për aktet bizare, se për ndonjë ide që mund t’u ketë shpëtuar në mes të budallallëkut që i mbulon. Në momentin që këto i përkrah edhe kryeministri-kujdestar, atëherë kemi të bëjmë me një strategji për të penguar normalizimin e jetës së vendit dhe moralizimin e saj. Por që e majta të jetë e suksesshme në vitet që vijnë, duhet të ketë parasysh se votuesit presin nga ajo, para së gjithash një sjellje ndryshe ndaj shtetit, një sjellje ndryshe ndaj krimit ekonomik, një drejtësi ndaj krimit politik.
Tashmë është bërë e modës të thuhet se morali nuk ekziston në politikë. Asgjë më pak e vërtetë se kjo nuk ka. Që nga kohët kur mbahet mend, historia ka folur për klasa politike, shtete dhe monarki mijëravjeçare e me rrënjë hyjnore që kanë rënë për shkak të mungesës së moralit të tyre. Edhe vendi ynë e ka një të freskët. Në vitin 2005, maxhoranca e atëhershme e Fatos Nanos, kishte të gjitha gurët që të rifitonte zgjedhjet: Votuesit me shumicë, prosperitetin ekonomik, nivelin e jetesës në rritje, jetë publike të shtensionuar, shoqëri të lirë. Por megjithatë humbi. Dhe shkaku ishte jo aq korrupsioni, sesa mungesa e luftës kundër tij, pranimi nga klasa udhëheqëse politike e kohës, të bashkëjetesës me të keqen dhe legjitimimin e saj.
Sali Berisha, u votua masivisht kundër, përveç inefiçencës ekonomike, edhe për mungesën e skrupujve, të gënjeshtrës të kthyer në standard të komunikimit me publikun, të vesit të pranuar dhe barazuar me virtytin.
Ndaj që qeverisja e majtë të meritojë votën e marrë, duhet të rivlerësojë principet, të ofrojë meritokraci në karrierë; taksim të ndershëm; drejtësi dhe sistem të saj të zhdërvjellët dhe efikas. Askush nuk pret që në fund të shtatorit çdo çoban shqiptar të ketë nga një çirak grek; çdo restorant shqiptar, një kuzhinier italian; çdo mekanik vendas, një ndihmës gjerman; çdo financier një kontabilist amerikan, e të gjithë bashkë nga një filipinase për shërbim. Ajo që pritet, është një reformë në administratë, çuarja para gjyqit e shkelësve të ligjit dhe atyre që abuzuan me financat publike qoftë duke vjedhur nëpërmjet tenderave, qoftë duke i shpërdoruar me keqmenaxhimin e tyre. Publiku pret drejtësi për 21 Janarin, jo vetëm si drejtësi për katër të ndjerët, por edhe si inkurajim ndaj protestës qytetare. Sali Berisha nuk mund të mos na zhgënjente për herë të dytë, duke na e lënë vendin ashtu siç dinte, të zhuritur. Ata që vijnë, presim të vendosin gjerat në vend. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›