E Shtunë, 31 Tetor 2026

E kërkojnë emisionin “Afër”

Emisioni “Afër”, i transmetuar në televizionin RTK, e që ka përfunduar së shfaquri disa javë më parë, po kërkohet përsëri nga teleshikuesit e këtij emisioni.

Me kërkesën e shumë nevojëtarve por edhe shumë donatorëve, producentët e emisionit “Afër” kanë lëshuar një komunikatë për shtyp ku kërkojnë që t’i informojnë mediat se a mundet apo nuk mund të emitohet më ky emision në Radio Televizionin e Kosovës.

“Në bazë të kontratës që kemi pasur me RTK ky projekt ka përfunduar, mirëpo kërkesat e shumta nga nevojtarët dhe donatorët të cilët e kanë mësuar adresën e KosovaProductionit jemi duke menduar si ta zhvillojmë më tutje këtë aktivitet Humanitarë”, thuhet pos tjerash në këtë komunikatë.

Sipas këtij produksioni, ata kanë pasur një numër të madh të aktiviteteve nëpër shtetet e perëndimit, ku shumë bashkatdhetar kanë shprehur gatishmërinë për t’ju dalë në ndihmë shumë njerëzve në nevojë.

“Rezultatet e emisionit të realizuar në Radio Televizionin e Kosovës RTK-në që deri më tash janë realizuar 40 emisione humanitare që kanë trajtuar raste me gjendje të rëndë ekonomike shëndetësore”.

Sipas producentëve, emisioni ka pasur si rezultat ndërtimin e 40 shtëpive për familjet në nevojë në tërë territorin e Kosovës , ka shëruar mbi 10 raste të rënda jashtë vendit dhe në Kosovë, mbi 15 troje për banim, dhe ka siguruar ndihma të tjera, për 100 familje të ardhura mujore për një afat të pa caktuar në shumën 150 deri në 200 Euro.

“Të gjitha këto rezultate të arritura në emisionin “Afër” janë si rezultat i ndihmës së ardhur nga diaspora, konkretisht nga bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit, por natyrisht ky sukses nuk do të ishte i mundur të arrihet pa dhënien e hapësirës programore nga ana e menaxhmentit të televizionit publik te Kosovës RTK”.

Ata në fund i janë falënderuar publikisht menaxhmentit të RTK-së i cili ka mbështetur projektin e tyre dhe në këtë mënyrë RTK përmes këtij projekti ka ndihmuar drejtpërdrejt, skamnorët, të pa strehët, të sëmurët dhe njerëzit e ndryshëm në nevojë.

“KosovaProduction shpresonte se RTK duke u bazuar në të gjitha këto të arritura të emisionit AFER do të gjeje mundësit për vazhdimin e këtij projekti kaq human edhe për vitin 2012”, thuhet në fund të komunikatës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›