E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i Kastriot Abdylit për filmin

Filmi “Kthimi” me një tematik tejet interesante mbi imgrimin e shqiptarëve dhe dukuritë e tjera të ndërlidhura po vazhdon realizimin. Kastriot Abdyli, producenti, regjisori dhe koskenaristi i këtij projekti të filmit me metrazh të gjatë, që është i pari shqiptar në Maqedoni flet për të gjitha detajet mbi filmin, problemet dhe sfidat, duke qenë i vendosur për realizimin e tij…

Intervista e plotë për agjencinë e lajmeve INA me producentin, regjisorin dhe koskenaristin Kastriot Abdyli.

Kastriot, ju jeni të vendosur për të realizuar filmin “Kthimi” me metrazh të gjatë, ku mundë të thuhet është ndër filmat e parë artistik shqiptarë në Maqedoni (apo edhe i pari i këtij zhanri).

Po jam i vendosur tí dal kësaj pune në fund. Është një sfidë të cilën së bashku me ekipin jemi të bindur ta kalojmë.

Deri ku keni arritur me rrumbullakësimin e gjërave apo vazhdoni akoma me probleme dhe mungesa të ndryshme ?

Gjërat janë rrumbullakësuar sa i përket kompletimit të ekipit realizues si dhe 90 % të ekipit të aktorëve. Mbetet kompletimi i buxhetit të filmit pasi deri tani kam kompletuar 45% të buxhetit.

Ku i shihni pengesat?

Pengesat janë të ndryshme, duke filluar se kinematografia shqiptare në Maqedoni deri tani ka qenë thuajse inekzistente (sa i përket filmave artistik), por edhe ne Kosovë prej 1990 e deri më tani janë xhiruar diku 5 filma te metrazhit të gjatë. Gjë që tangon më komunikim më komunitetin ndërkombëtar të filmit. Por esenciale janë mjetet financiare të cilat pas krizës globale financiare janë gjithnjë e më të pakta për koprodukcione prej fondacioneve dhe koprodukcioneve të huaja e sidomos për një kinematografi që thuajse është e panjohur.

Sa është përkrahja nga ana e Fondit të Filmit të Maqedonisë për filmin tuaj dhe cila është arsyeja sipas jush që është përkrahur filmi juaj?

Në konkursin e vitit 2010, FFM më ka premtuar diku rreth 200 000 euro apo 40 % të bugjetit total të filmit ”Kthimi”. Arsyeja është skenari i filmit që duke i`u falënderuar bashkëpunimit me regjisorin e mirënjohur Isa Qosaj është një skenar i qëndrueshëm dramatikisht dhe kompetitiv në zhanrin e vet.

Po si mund të shpjegohet fakti se filmat maqedonas financohen nga 500 000 euro në konkursin e njejtë me filmin tuaj, krahas kësaj plus edhe nga 1.5 milion dhe madje dhe 2.5 milion euro nga Kryeministri Gruevski.

Këtë pyetje duhet parashtruar Kryeministrit dhe Qeverisë së Maqedonisë.

Në konkursin e fundit, Fondi i filmit nga 4 milion euro, vetëm 50 mijë euro u takojnë regjisorëve dhe producentëve shqiptarë, ku regjisorit serb Rade Sherbexhija i ndahen 500 000 euro.

Ky është një diskriminim në vazhdim që Fondi i Filmi bën ndaj filmit shqip, ku është koha e fundit që përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri të ndërmarrin masat për të ndikuar në Fondin e Filmit që njëherë përgjithmonë të ndalohet kjo praktikë. Sepse filmi shqiptarë duhet të mbështetet aq sa paguajnë taksa shqiptarët në Maqedoni, nëse dëshirojmë që kinomatografia shqiptare të fillojë të zhvillohet ashtu si ajo maqedone, bullgare, greke etj.

Po përkrahja nga Kosova dhe Shqipëria?

Qendra Kinomatografike e Kosovës në konkursin e fundit mi ka ndarë 29 000 euro për pagesën e aktorëve nga Kosova, që është një shumë e vogël po është simbolike se për herë të parë bëhet koprodukcioni mes Maqedonisë dhe Kosovës. Ku shpresoj edhe Shqipëria të jetë pjesë e këtij koprodukcioni pasi që jam në pritje të hapjes së konkursit për koprodukcione, sepse konkurset e deritanishme nuk kanë qenë për këtë mënyrë të financimit. Përndryshe nga artistët dhe ata që merren me kinematografi, skenari është vlerësuar mjaft mirë në aspektin artistik.

Ka pasur ndonjë ofertë apo interes për bashkëproduksion?

Po kanë qenë të interesuar disa koproduksione nga Zvicrra, Franca, Gjermania, Kroacia dhe SHBA-të, por nuk kemi arritur të finalizojmë bashkëpunimin sepse shumica e koprodukcioneve kanë kusht që të kemi së paku të kompletuar 70 % të buxhetit (ku ata të hyjnë me Production). E disa nga koprodukcionet kanë pasur edhe kërkesa për ndërhyrje në skenarë, që për mua kanë qenë të papranueshme, sepse insistoj që ky të jetë film shqiptar, ku pasqyrohet kultura, tradita dhe personaliteti i shqiptarëve.

Cila është tematika e këtij filmi?

Filmi i takon zhanrit dramë me një tematikë aktuale që i preokupon shqiptarët – imigrimi. Në këtë film shtjelloj arsyet që ndikojnë te shqiptarët për të emigruar dhe udhëkryqin që gjinden mes asaj të integrimit në kulturën europiane apo mbetje besnike asaj shqiptare si dhe kontradiktat mes kulturës dhe traditës shqiptare dhe asaj europiane.

Përzgjedhjen e aktorëve e keni bërë dhe nëse mundeni të zbuloni emrat e tyre?

Për shumicën e aktorëve jam përcaktuar (katër role ende nuk janë caktuar duke ia lënë hapsirën aktorëve nga Shqipëria). Në ekip nga Maqedonia bëjnë pjesë Hazir Sh. Haziri, Teuta Ajdini, Sefedin Nuredini, Bajrush Mjaku, Ismail Kasumi, Shkëlqim Islami, Hamdi Rashiti, Dritëro Ame, Enver Halimi etj, Nga Kosova bëjnë pjesë Selman Lokaj, Liridona Shehu, Xhevat Qorraj, Mentor Zymberi, Sunaj Raqa, Valon Bujupi, Selatin Ademi, Florim Brajshori etj.

Nga përbërja e aktorëve shihet se ju doni ta krijoni ekipin prej aktorëve të të gjitha trojeve shqiptare apo jetësimin e thënies “trekëndëshi Shkup-Prishtinë -Tiranë.

Kjo është edhe një ndër pretendimet e mia.

Përvec aktorëve, në ekipin realizues keni edhe persona tjerë nga Maqedonia, duke ditur deficitin e kuadrove në këtë lëmi.

Po vlen të theksohet edhe bashkangjitja e kreatorit dhe dizajnerit të njohur Izet Currit si kostumograf dhe Zeni Ballazhit si skenograf.

Nga ajo që po thuani po vërej se keni bërë grumbullimin edhe të njerëzve të artit që kanë prejardhje nga Maqedonia dhe punojnë jashtë saj. Duke filluar nga ju që jeni regjisor, producent dhe koskenarist, Hazir. Sh. Haziri rolin kryesor, Zeni Ballazhin qe po ashtu punon ne Prishtinë dhe Izet Currin qe punon në Paris. Mendoni se ka vend edhe për të tjerë si rastet e lartpërmendur.

Po është e vërtetë se kam pasur kujdes të afroj sa më tepër njerëz nga Maqedonia dhe të cilët kanë dëshirë, do edhe ëndërr të punojnë në një projekt shqiptarë në Maqedoni. Më duhet ta përmendi rastin e Izet Currit i cili ka shprehur që në mënyrë vullnetare të jetë pjesë e ekipit realizuaes.

Ku do të jetë lokacionet e xhirimit dhe a prisni që ky film të jetë me një skenar të realizuar, duke qenë një film që do të përmbushte të gjitha tiparet e një filmi të shkëlqyer artistik?

Lokacionet do te jenë 90 % ne Maqedoni dhe pjesa tjetër në Kosovë dhe Shqipëri.

Kohën e fundit më pak jeni në Shkup e më shumë në Prishtinë. Cilat janë arsyet?

Në Prishtine prej 2007 kam regjistruar masterin në regji filmi në Akademinë e Arteve me mentor Isa Qosaj, ku një herësh ky është edhe film i diplomës, si dhe punoj në Postën e Kosovës. Sepse në këto hapësira nuk mundet të jetohet vetëm se nga arti, pa pasur edhe një punë dytësore.

Kur prisni që ta përmbyllni filmin “Kthimi” që mund të vlerësohet edhe si ëndërr dhe një sfidë për ju në botën e filmit?

Shpresoj se brenda vitit do të arrijë të përmbyll xhirimet, nëse përmbylli buxhetin dhe nëse nuk ndodh diç e paparashikuar. (INA)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›