E Shtunë, 31 Tetor 2026

E magjepsur pas xhazit

Nga Express më 26 korrik 2011 në ora 18:32

Në Europë e ka krijuar profilin e saj artistik si këngëtare xhazi, por edhe tek ne njerëzit tashmë e njohin me emrin Elina Duni. Ajo u largua nga Shqipëria drejt Zvicrës në vitin 1991, kur ishte vetëm 10-vjeç. Gjeneva do të bëhej vendi që e rriti, e edukoi dhe i hapi dyert e mundësive në jetë, ndërsa Shqipëria ka qenë e do të mbetet gjithmonë shtëpia.

Dukeni shumë e familjarizuar me Shqipërinë...

Kohët e fundit kam ardhur shumë shpesh. Kam kuptuar se kam shumë nevojë për atë kaotizmin e Shqipërisë, për atë energjinë që ka Shqipëria. Është kjo lloj energjie kaotike, natyrshmëria e njerëzve sesa thjesht mund t’i takosh, të flasësh, të komunikosh me ta.

Bashkë me grupin keni krijuar një repertor shumë të veçantë, duke kënduar xhaz muzikën folkloristike shqiptare…

Ata (pjesëtarët e grupit) kanë një mënyrë të tyren shumë të veçantë se si e interpretojnë dhe si e ndiejnë folkun shqiptar, por dhe unë gjithashtu e kam përpunuar disi që nga mënyra si e këndoj, çfarë bëj me të.

Por vetëm Elina është shqiptare në atë grup, pjesa tjetër e Quartetit janë të huaj. Sa e kuptojnë pjesëtarët e tjerë të grupit folkun shqiptar, apo thjesht të ndjekin ty?

Ata sigurisht që më ndjekin mua, sepse unë për ta personifikoj folkun shqiptar. Por edhe pse janë të huaj për ta nuk është aspak e vështirë ta kuptuar. Ata të gjithë janë muzikantë të jashtëzakonshëm dhe u intereson gjithashtu ky lloj miksimi në muzikën që ne bëjmë.

Folkun e sollët ju në grup apo ishte ide e të tjerëve?

Ky grup u formua rreth meje. Në fillim isha unë vetëm me pianistin Colin Vallon. Doja të bëja diçka me të, se më pëlqente shumë si pianist. Ishte viti 2004, unë isha në përfundim të shkollës së lartë për xhaz, ndërsa dhe ai sapo e kishte mbaruar. Po shihej si gjeniu i shkollës dhe i Zvicrës dhe gjithë mediet po shkruanin për të. Dhe një ditë më tha: “Dëgjo, derisa ti je shqiptare, përse nuk bëjmë më mirë diçka shqiptare sesa standardet e xhazit”.

Koncerti i parë në Zvicër. Si e priti publiku xhazin e miksuar me muzikën ballkanase?

Kjo ka ndodhur para shumë vitesh, por publiku zviceran është një publik i kultivuar dhe e priti që në fillim shumë mirë. Por unë besoj se diçka e vërtetë dhe autentike nuk ka sesi të pritet keq.

I këndoni në gjuhën shqipe këngët tona popullore?

Po, po, unë këndoj në 7-8 gjuhë. Këngët shqiptare i këndoj në shqip, këngët greke greqisht, turket në turqisht, rumunet në rumanisht, bullgaret në bullgarisht…etj

Më pak fjalë, publiku ndjen dhe kupton vetëm muzikën?

Sigurisht, por unë i shpjegoj gjithmonë fjalët para çdo këngë, ose i recitoj ato në mënyrë që publiku të krijojë një ide se për çfarë bëhet fjalë .

Po publiku në fund të fundit merr gjithmonë atë që i servilet...

Sigurisht. Megjithatë, ky është një problem që ekziston në gjithë botën, por ama në botë ka edhe rryma të tjera; është muzika klasike, xhazi është një lloj pop folku që nuk është shumë komercial, ndërsa në Shqipëri ka shumë pak nga këto.

E nisët karrierën muzikore në Zvicër dhe tashmë suksesi juaj ka mbërritur edhe në Shqipëri. Po anasjelltas a do kishte qenë e mundur për Elina Dunin?

Sigurisht që po të jesh e njohur jashtë e ke të lehtë në Shqipëri, por e anasjelltas do të kishte qenë e pamundur . Jam shqiptare-zvicerane; ajo që unë bëj është shqiptaro-zvicerane. Edukimin dhe formimin tim kulturor e kam marrë në Zvicër: mësimet e xhazit, studimet që kam kryer atje.

Ndihesh e huaj në Shqipëri?

Nuk mund të them se ndihem krejt e huaj; një pjesë e imja ndihet në shtëpi, ndërsa një pjesë tjetër ndihet ndryshe, sepse kam 20 vjet që jetoj në Zvicër. Unë nuk do të thosha e huaj, por mund të them se brenda meje janë dy personazhe që ballafaqohen gjithnjë njëri me tjetrin.

Po miqtë, i ke të huaj apo shqiptarë?

Përveç grupit që i kam shumë miq, kam dhe dy miq të ngushtë shqiptarë në Paris. Njëra është Flonja Kodheli. Sa herë që jemi mes shqiptarët gjithmonë është këndshëm, sidomos me miqtë e mi është fantastike, i dua shumë. Sa herë kthehem në Zvicër, më mungon ajo energjia që kam kur jam me ta.

Po të dashur, ka Elina?

Kam një të dashur që e dua tmerrësisht shumë prej shumë vitesh. Nuk është shqiptar, është i huaj, por nuk më pëlqen të flas më shumë për të, se kam frikë se ma marrin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›