E majta e PE: Të bllokohen vizat
ADI SHKEMBI
Të djathtët dhe të majtët në Parlamentin Europian përplasen sërish për krizën politike në Shqipëri. Në një kohë që të djathtët, të cilët kanë shumicën propozojnë zgjidhjen e krizës përmes dialogut konstruktiv, të majtët shkojnë deri në bllokimin e vizave dhe të integrimit të Shqipëri. Pasi dështoi në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në Shqipëri, Parlamenti Europian do të votojë më në fund rezolutën e raporterit grek, Nikolaos Chountis. Sipas njoftimit zyrtar në faqen e PE-së, ditën e mërkurë në Komisionin e Jashtëm, në orën 09:00-10:00 do të diskutohet dhe më pas votohet draft rezoluta, për të cilën janë bërë mbi 100 amendamente nga të gjithë anëtarët e forcave politike.
Kriza politike
Propozimet e eurodeputetëve kanë të bëjnë me krizën politike në Shqipëri, procesin e liberalizimit të vizave dhe deri te anëtarësimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike. Kreu i delegacionit për Marrëdhëniet me Ballkanin, Eduard Kukan dhe eurodeputetja e djathtë Anna Ibrisagiç, kanë propozuar që "progresi i një vendi kandidat drejt BE-së varet nga aftësia e tij për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit, përfshi stabilitetin e institucioneve garantuese demokratike". Ndërsa raporteri për Shqipërinë, Chountis, thekson se "funksionimi i plotë i institucioneve përfaqësuese dhe sidomos i Parlamentit është kriteri më i rëndësishëm politik drejt integrimit në BE; për këtë u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv politik, në mënyrë që të arrijnë aktivitetin e plotë dhe të pandërprerë parlamentar". Nënkryetari i grupit socialdemokrat, Hannes Swoboda propozon që palët të pranojnë negocimin për zgjidhjen e krizës nga një anëtar i Këshillit të Europës dhe një i Parlamentit Europian.
Vizat dhe integrimi
Konkretisht, përfaqësuesi i të majtës, Viktor Bostinaru, e ka lidhur krizën politike me heqjen e vizave. Madje ai ka shtuar më tej duke nënvizuar se nëse nuk zgjidhet kriza, të ngrijë procesi i integrimit. "Thekson gjithashtu se përkeqësimi i krizës politike në Shqipëri dhe sjellja e palëve politike në takimin e parë BE-Shqipëri, i cili rezultoi i dështuar, për të miratuar një deklaratë të përbashkët mund të rrezikojë procesin e liberalizimit të vizave; për këtë u kërkon të dyja palëve politike të negociojnë për një të ardhme pozitive dhe të qëndrueshme të krizës, duke theksuar se nëse nuk gjendet kompromisi, KE do të ngrijë të gjithë procesin", thuhet në amendamentin e Bostinarut. Në të njëjtën linjë është edhe eurodeputeti i paangazhuar në asnjë grup parlamentar, Barry Madlener "i bën thirrje Komisionit dhe Këshillit të mos nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë".
Konferenca Islamike
Por ajo që bie në sy në amendamentet që do të diskutohen ditën e mërkurë në Komisionin e Jashtëm, është një paragraf i propozuar pikërisht nga Barry Madlener, lidhur me faktin se Shqipëria është anëtare e Organizatës së Konferencës Islamike. "Thekson se Shqipëria është anëtare e Organizatës së Konferencës Islamike, një organizatë që kufizon të drejtat e njeriut në ato që përfshihen në Sharia dhe për këtë bie në kundërshtim me principet kryesore të BE", thuhet në amendamentin e eurodeputetit nga Holanda, i cili gjithsesi pritet të mos votohet, duke qenë se asnjë nga dy grupet e mëdha PPE dhe PSD nuk e kanë artikuluar më parë një fakt të tillë. Në të njëjtën kohë eurodeputetët kritikojnë Qeverinë lidhur me reformën e pronësisë, ndërkohë që vlerësohet performanca ekonomike e vendit.
Amendamentet
Eduard Kukan, Anna Ibrisagic (Partia Popullore Europiane): Thekson kënaqësinë që vendi i është përgjigjur në 14 prill 2010 pyetësorit të Komisionit mbi përgatitjen e opinionit për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe në të njëjtën kohë thekson se progresi i një vendi kandidat drejt BE-së varet nga aftësia e tij për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit, përfshi stabilitetin e institucioneve garantuese demokratike.
Nikolaos Chountis (E Majta e Bashkuar Europiane): Nënvizon se funksionimi i plotë i institucioneve përfaqësuese dhe sidomos i Parlamentit është kriteri më i rëndësishëm politik drejt integrimit në BE; për këtë u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv politik, në mënyrë që të arrijnë aktivitetin e plotë dhe të pandërprerë parlamentar.
Andrew Duff (Aleanca Liberal Demokrate): Thekson se zgjidhja e kësaj krize mund të gjendet vetëm duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe me principet e transparencës.
Adrian Severin, Victor Bostinaru (Partia Socialdemokrate): Mirëpret faktin se të gjithë anëtarët e Parlamentit morën detyrën e tyre dhe i bën thirrje Qeverisë e opozitës të gjejnë një kompromis të qëndrueshëm, me qëllim që të garantojnë respektimin e plotë të vullnetit demokratik të qytetarëve shqiptarë gjatë zgjedhjeve të ardhshme, duke siguruar një aktivitet të plotë dhe të pandërprerë të Parlamentit.
Hannes Swoboda (Partia Socialdemokrate): U bën thirrje të dyja palëve të gjejnë një zgjidhje për konfliktin mbi procedurat e zgjedhjeve, me propozime respektive kompromisi nga të gjitha partitë. Nëse zgjidhja nuk mund të gjendet pa ndihmë nga jashtë, i bën thirrje Qeverisë dhe opozitës të bien dakord për një ndërmjetësim si për shembull, duke ftuar bashkërisht anëtarë nga KiE ose nga Parlamenti Europian.
Cristian Dan Preda, Traian Ungureanu (Partia Popullore Europiane): Në këtë pikëpamje thekson rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të përshtatshme për të kapërcyer afatet politike dhe për të nisur një dialog konstruktiv politik ndërmjet partive të mëdha politike, gjë që është prioritet kyç për partneritetin europian.
Andrew Duff (Aleanca Liberal Demokrate): Shpreh keqardhjen mbi faktin se modifikimet kushtetuese, që kanë të bëjnë me procedurat e zgjedhjes së Presidentit kanë shërbyer për të minuar strukturën kushtetuese në lidhje me fuqitë e Presidentit për të emëruarar anëtarë të institucioneve dhe agjencive të ndryshme shtetërore përfshirë gjyqësorin.
Viktor Bostinaru (Partia Socialdemokrate): Thekson gjithashtu se përkeqësimi i krizës politike në Shqipëri dhe sjellja e palëve politike në takimin e parë BE-Shqipëri, i cili rezultoi i dështuar për të miratuar një deklaratë të përbashkët mund të rrezikojë procesin e liberalizimit të vizave; për këtë u kërkon të dyja palëve politike të negociojnë për një të ardhme pozitive dhe të qëndrueshme të krizës, duke theksuar se nëse nuk gjendet kompromisi, KE do të ngrijë të gjithë procesin.
Andrew Duff (Aleanca Liberal Demokrate): Shqipëria mbetet me performancën më të keqe në rajon, sidomos dhe veçanërisht me nivelin e lartë të korrupsionit.
Barry Madlener (pa parti): Thekson se Shqipëria është anëtare e Organizatës së Konferencës Islamike, një organizatë që kufizon të drejtat e njeriut në ato që përfshihen në Sharia dhe për këtë bie në kundërshtim me principet kryesore të BE.
Barry Madlener (Pa parti): I bën thirrje Komisionit dhe Këshillit të mos nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.