E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hetimet e pilotit amerikan i drejtonte atasheu ushtarak i Bashkimit Sovjetik”



afrim imaj

“Pavarësisht kush bisedonte me pilotin amerikan që u ul në Rinas, pyetjet përgatiteshin më parë nga atasheu ushtarak i Bashkimit Sovjetik në Tiranë”.Ky fakt i zbardhur për herë të parë nga njëri prej përkthyesve që shqipëronte rrëfimet e amerikanit Howard Joseph Curran, zbulon pjesën më të mistershme të ngjarjes së 23 dhjetorit ‘57. Asokohe, pohon ai, një ushtarak i NATO-s i izoluar në Tiranë, ishte privilegj i jashtëzakonshëm për shërbimet inteligjente të Traktatit të Varshavës, aq të interesuara për arsenalet luftarake perëndimore. Loja në rastin “Curran” funksionoi perfekt. I detyruar të rrëfejë para autoriteteve shqiptare për shkeljen e hapësirës ajrore, piloti amerikan në mënyrë të tërthortë u përdor për t’iu përgjigjur interesimit të Ambasadës Sovjetike, për të dhënat më të fundit rreth bazave ajrore të Aleancës së Atlantikut në Europë. Dosja “Howard Joseph Curran” përmban me dhjetëra dëshmi të tij, ku artikulohen çështje të karakterit sekret dhe tepër sekret të Forcave Ajrore Amerikane, të siguruara me përkujdesjen e fshehtë të zbuluesve nga Moska.
“Jo vetëm shtatmadhorët e ushtrisë, Vehbi Hoxha e Edip Ohri, kujton përkthyesi, por edhe hetuesit e Ministrisë së Brendshme, fund e krye fokusoheshin në detaje të mirëfillta ushtarake”.
Një fakt i tillë konstatohet pa shumë vështirësi edhe në dokumentin e mëposhtëm, ku janë regjistruar bisedimet e kreut të hetuesisë, Nevzat Haznedari me pilotin Curran vetëm dy ditë pas uljes në Rinas....

PROCESVERBAL
Tiranë, më 25 dhjetor 1957. Unë kolonel Nevzat Haznedari, duke asistuar, dhe major Petrika Mushi, mora në pyetje të pandehurin Howard Joseph Curran me shtetësi dhe kombësi amerikane.

NEVZAT HAZNEDARI: Na tregoni si ju quajnë?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Mua më quajnë Howard Joseph Curran.
NEVZAT HAZNEDARI: Me çfarë jeni marrë kohët e fundit?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Kohët e fundit unë kam ushtruar profesionin si pilot teknik, që kontrolloja aeroplanët e rimontuar në bazën ushtarake që ndodhet në qytetin Shotru të Francës në Komandën e Materialeve Ajrore të Evropës. Aty bëja kontrollin teknik të avionit d.m.th. a është i aftë për fluturim, duke e provuar vetë. Në qoftë se ky ishte në gjendje të mirë, lejonim të fluturonte, por gjithmonë fluturimin e parë ishim të detyruar ta bënim ne.
NEVZAT HAZNEDARI: Këtë profesion e ushtronit si shëtitës nëpër qendra, ku paraqitej nevoja apo ndryshe?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Zakonisht unë punoja vetëm në qytetin Shotru, vetëm në këtë rast komanda më dërgoi në Napoli për të kontrolluar një aeroplan.
NEVZAT HAZNEDARI: A kishit aty punë të mjaftueshme dhe a kishe kolegë të tjerë?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Punë ka pasur shumë pak. Po thuaj se tërë ditën pinim duhan. Aty isha vetë i tretë, edhe ata specialistë si unë.
NEVZAT HAZNEDARI: Ju kontrollonit vetëm aeroplanë reaktivë apo edhe tipa të tjerë?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Neve nuk i ndajmë aeroplanët në reaktiv ose jo reaktiv. Unë kam qenë specialist për tre tipa aeroplanësh: F84 aeroplan luftarak ky gjuajtës bombardues, F86 edhe ky gjuajtës bombardues. Ndryshim midis tyre pothuaj nuk ka. Numrat i ka të ndryshme, për arsye se F84 prodhohet në Nju Jork, kurse F 86 prodhohet në Kaliforni. Tipi tjetër është RF 84, është aeroplan zbulimi prodhim i Nju-Jorkut.
NEVZAT HAZNEDARI: Po për tipa të tjerë, a përgjigjeshit ju si teknik dhe çfarë lloje të tjerë avionësh kishte aty?
HOëARD JOSEPH CURRAN: Unë njoh vetëm këto tre tipa, kurse specialistë të tjerë njohin tipa të tjerë, që unë nuk i njoh.
NEVZAT HAZNEDARI: Sa kohë keni që punoni te Forcat e Armatosura?
HOëARD JOSEPH CURRAN: Në korrik 1941 hyra vullnetar në forcat e armatosura amerikane, si ushtar i thjeshtë dhe në vitin 1942 hyra në shkollë për pilot, ku ndenja 10 muaj në qytetin Montgomeri shteti Ellebama dhe prej andej dola me gradën n/toger. Deri në shkurt 1944 qëndrova në SHBA. Në shkurt të 1944 më transferuan në Angli në qytetin Bormath, vet i njëzetë. Unë kam qenë në aeroplan bombardues gjuajtës P47. Prej këtej, ne dërgoheshim nëpër vende të ndryshme. Kjo komandë quhej: Forcat e Nënta. Ajo ishte komandë e madhe dhe ishte shpërndarë në Angli në shumë qytete. Aty ishim rreth 100 veta. Ishim një bazë e avancuar për të luftuar gjermanët. Unë mora pjesë gati në 100 luftime mbi Francë dhe Belgjikë duke bombarduar. Deri në tetor 1944 punova si instruktor për të mësuar pilotët e rinj. Në SHBA qëndrova në Teksas, rreth një vit e gjysmë dhe merresha me kursantët që kishin mbaruar shkollën e pilotazhit.
NEVZAT HAZNEDARI: Kursantët i përgatisnit vetëm për drejtimin e aeroplanit, apo edhe për teknikë luftarake?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Për fluturim, por edhe për të avancuar si të mitralonin dhe të bombardonin.
NEVZAT HAZNEDARI: Sa persona ishit që punonit me cilësinë e instruktorëve dhe cili ka qenë kriteri që juve ju mblodhën?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Ishim gjithsej 50 instruktorë. Na mblodhën si njerëz të sprovuar dhe me eksperiencë.
NEVZAT HAZNEDARI: Sa ishte numri i kuadrove që përgatisnit ju ose, ti personalisht sa kuadro përgatite?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Gjatë dy muajve praktikë, kursanti fitonte të drejtën të bëhej pilot. Unë punova afërisht 18 muaj. Duke marrë parasysh se për çdo dy muaj unë kisha 5-6 vetë nën patronazhin tim, duhet të kem instruktuar afërsisht 50 kuadro. Mbasi mbarova, më transferuan në Forcat e Armatosura të Panamasë.
NEVZAT HAZNEDARI: Sa kohë keni shërbyer në Panama dhe me ç’gradë?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Aty shkova në vitin 1946 dhe qëndrova deri në korrikun e 1948 me gradën kapiten. Kam shërbyer në Forcat e Gjashta Ajrore të SHBA-s. Kam qenë përgjegjës jo i skuadriljes, por diçka më e vogël. Kam pasur në skuadriljen time dhjetë pilotë.
NEVZAT HAZNEDARI: Skuadrilja thatë që është më e madhe. Sa aeroplanë dhe pilotë ka një skuadrilje?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Ajo 25 aeroplanë dhe 25 deri 35 pilotë.
NEVZAT HAZNEDARI: Sa skuadrilje ka pasur në Panama?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Ka pasur vetëm tre skuadrilje. Prej andej shkova në Gjermani, në Munih, si pilot gjuajtës dhe qëndrova nga korriku 1948 deri në janar 1949. Këtu u transferova së bashku me tre skuadrilje aeroplanësh F 80 këta janë bombardues gjuajtës. Meqenëse sipas rregullit, bëra tre vjet jashtë SHBA-s, u ktheva aty vetë pa avion dhe qëndrova në Riversoj në shtetin e Kalifornisë, përsëri si gjuajtës skuadriljeje. Prej këtu shkova në Kore, ku qëndrova 15 muaj. Në Tegy, Kimpo këto ishin baza ushtarake ajrore si pilot gjuajtës në Forcat e V Ajrore ishim gati 100 avionë. Kam qenë dhjetë muaj në Tegy dhe pesë muaj në Kimpo.
NEVZAT HAZNEDARI: Cili nga këto aerodrome paraqitej më i rëndësishmi nga pikëpamja ushtarake?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Pothuaj se të dy njëlloj ka qenë.
NEVZAT HAZNEDARI: Kur u kthyet nga Koreja dhe ku jeni vendosur?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Në tetor 1951 u ktheva në Nju Jork. Qëndrova aty deri në shtator 1957. Në shtator ‘57 erdha në Francë. Në Nju-Jork kam punuar pranë një fabrike që prodhonte aeroplanë dhe i provoja për fluturim.
NEVZAT HAZNEDARI: Sa persona punonin në këtë fabrikë?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Afërsisht 20 mijë vetë.
NEVZAT HAZNEDARI: Kontrolli teknik ishte i detyruar për çdo aeroplan?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Sigurisht që po.
NEVZAT HAZNEDARI: Sa ka qenë mesatarja e aeroplanëve që ti provoje në muaj?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Afërsisht rreth 30 aeroplanë në muaj.
NEVZAT HAZNEDARI: Si e keni ditur aeroplanin me të cilin udhëtove dhe erdhe në Shqipëri?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Unë e kam ditur që është në rregull. Defekti ndodhi kur isha në ajër. Ka edhe raste të tilla. Stacioni i fundit që unë u lidha ishte Milano, kurse me Torinon nuk u dëgjua dhe mora drejtimin e Pizës, por era me sa duket më shtyu dhe kalova më nga ana e detit. Unë u nisa nga Shatruja dhe do qëndroja në Napoli, por meqenëse as Napolin nuk e kapa dot dhe ndodhesha gjithmonë mbi re, kujtova se jam gjithmonë mbi Italinë. Kur erdha mbi Shqipëri, unë e pashë bregdetin, por gjithmonë duke kujtuar bregdetin e Napolit, eca më tutje dhe duke kaluar mbi të, pashë aerodromin dhe u ula.
NEVZAT HAZNEDARI: Morët masa kur ishit në ajër për të rënë në lidhje ose të rregullonit aparatin e prishur?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Sigurisht që po, por nuk mora asnjë rezultat.
NEVZAT HAZNEDARI: Na tregoni konkretisht, se çfarë është kjo Komandë Qendrore e Materialeve Ajrore?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Ajo varet direkt nga Nju-Jorku dhe quhet e tillë, jo për faktin se zë një pozitë qendrore nga pikëpamja gjeografike. Komanda të tjera të tilla ka edhe në vende të tjera si: Gjermani a gjetkë, që unë në fakt nuk i di dhe ato sigurisht duhet të varen nga qendra. Ato mund të quhen sipas pozitës gjeografike ku gjenden. Unë gjerësisht mbi detyrat e kësaj komande nuk di, as personalitetin e atyshëm. Aty ka persona të ndryshëm me detyra të ndryshme që nuk kam se si t’i di. Unë di vetëm detyrën time, të cilën e kam shpjeguar me hollësi. Thashë se detyrat e të tjerëve nuk i di, por edhe sikur t’i dija, unë jam ushtarak dhe nuk kam se si t’i tregoj. Unë në komandë kam jo më tepër se tre muaj d.m.th. jam shumë i ri dhe nuk mund të di për detyrat që ju më pyesni. Kur më nisën nga SHBA-ja më thanë se do të shkoja në qytetin Shtaru, duke më shpjeguar edhe detyrën që kam, të cilën e kam treguar disa herë dhe që edhe sikur të më pyesni më tepër, nuk kam se çfarë t’ju tregoj. Juve keni të drejtë të më pyesni rreth ardhjes time këtu dhe këtë e shpjegova, por unë di gjithashtu se kundër meje ka për t’u zhvilluar një hetuesi shumë e rëndë kur të kthehem. Sipas rregullave ndërkombëtare, ju lutem të mos më pyesni për gjëra që nuk i di, se pozita si ushtarak që jam, nuk më lejon të flas, megjithëse unë nuk di...
NEVZAT HAZNEDARI: çfarë kuptimi kanë gërmat Cema, që shënohen në avion?
HOWARD JOSEPH CURRAN: Kjo do të thotë Komanda Qendrore e Materialeve Ajrore në Europë. Në rast se do të ndodhej kjo qendër në Japoni, në vend të gërmës “E”, do të shënohet “J”. d.m.th. Japoni.

Vëllai: Kur u tregova fëmijëve se Curran është gjallë

Paris, 9 janar (JUN. PRESS)/ Togeri i parë Riçard Curran vëllai i një piloti të Forcave Ajrore që besohet se është detyruar të ulet në Shqipëri nga aeroplanët komunistë, tha sot se ai nuk iu kishte njoftuar tre fëmijëve të pilotit se ai mund të jetë akoma gjallë. “Nuk mund t’u ngre shpresat atyre vetëm për t’i bërë pastaj të shpërthejnë si flluska”, tha togeri Riçard. Vëllai i tij majori Curren, 39 vjeç, u zhduk bashkë me avionin që drejtonte më 23 dhjetor në një mjegull të dendur përpara bregdetit perëndimor të Italisë dhe mendohet se është në Shqipëri, megjithëqë fëmijët besojnë se ai është i vdekur. E vetmja fjalë nga Shqipëria ka qenë një lajmërim i shkurtër se një pilot që besohet se është Carreni, u detyruar të ulej atje. Ai është konsideruar si i vdekur zyrtarisht më 28 dhjetor pas një kërkimi pa sukses nga aeroplanë të SHBA dhe të Italisë. Fëmijët, Uilliam 12 vjeç, Patricia 8 dhe Meri Lou 4, u njoftuan në vigjiljen e Krishtlindjeve se ati i tyre kishte vdekur. Nëna e tyre vdiq dy vjet më parë në këtë muaj. Sot tre fëmijët jetim mësuan rastësisht se i ati i tyre mund të jetë gjallë. Kujdestarja franceze e kishte dëgjuar lajmin nga një radio. Ajo ishte plot gaz kur shkonte në mëngjes në apartamentin e familjes Carren për të filluar punën. Togeri i parë Riçard Carren deklaroi: “Fëmijët ishin kaq të gëzuar saqë nuk hëngrën fare mëngjes. Ne i paralajmëruam ata se nuk jemi akoma të sigurt, në lidhje me fatin e atit të tyre dhe se e vërteta do të dilte në shesh më vonë”.

Media perëndimore:Curran 15 ditë i zhdukur

“Gjallë apo i vdekur” Dilema për fatin e pilotit të ulur në Rinas mesditën e 23 dhjetorit ‘57, pushtoi lajmet e para të agjencive perëndimore për 15 ditë me radhë. Fakti që autoritet shqiptare e mbajtën të fshehtë vendndodhjen e tij, e bënte ngjarjen me të mistershme e gati-gati tragjike për pilotin Curran. E para shenjë jete për të u emetua nga media pas 15 ditësh, por jo nga burime zyrtare. Një nga “radarët” e Beogradit më në fund kishte zbuluar në sinjalin e Radio Tiranës lajmin befasues: Pilotët shqiptar kanë ulur në Rinas një avion ushtarak amerikan! Që këtej historia filloi të plotësohet dita-ditës. Po çfarë thoshin agjencitë perëndimore për fatin e pilotit Curran....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›