Islami: Shkrirja me G99, për të promovuar shpejt Erion Veliajn në drejtimin e PS-së
Kastriot Islami
Si ndikon "shkrirja" PS-G99 në suksesin e së majtës... ?
Këto ditë është hedhur në tregun politik ideja e "shkrirjes" së G99 në PSSH. A është efikase nga këndvështrimi elektoral kjo "shkrirje", sepse kjo do të thotë që nuk do të ketë më një "mekanizëm special" për të tërhequr votuesit e rinj? Rezulton nga analiza "Jo". A është kjo "shkrirje" efikase përballë tendencës së kundërshtarit për të rritur numrin e aleatëve që grumbullojnë modestisht vota në "trenin e gjatë elektoral" të koalicionit të djathtë? Rezulton nga analiza, "Jo". A është kjo një lëvizje politiko-elektorale për të maksimalizuar suksesin elektoral të koalicionit të majtë? Nga analiza rezulton "Jo". Apo një zgjidhje pragmatiste individësh, e thënë më shkoqur për të futur në listën e PS dhe promovuar politikisht drejtuesin e G99? Mesa duket, "Po". Nga të gjitha këto rezulton se kjo është një lëvizje jo efikase dhe në drejtim të papërshtatshëm nga këndvështrimi i suksesit elektoral të koalicionit të majtë. Por ky do të ishte njëkohësisht një model dështimi total, nëse shtrihet për aleatët e tjerë dhe një mollë sherri nëse i ofrohet ekskluzivisht vetëm G99. Analiza e mëposhtme dhe përfundimet përkatëse do të ishin jo vetëm për G99, por edhe për të gjithë drejtuesit e partive të vogla të majta e të djathta, apo individët e larguar nga partitë e tyre, që janë apo mund të jenë në koalicion me PS. Nëse me "trenin e gjatë elektoral" të drejtuar nga "lokomotiva" PD do të përballet "lokomotiva socialiste pa vagonë" ku do të uleshin (kjo praktikisht nuk është çështje e mbyllur dhe e sigurt, dhe pa asnjë dyshim mund ta fitonin si bonus 7-10 prej drejtuesve të partive aleate) në vendet e para "të gjithë ose disa nga ish-kryetarët e partive aleate" dështimi i koalicionit të majtë do të ishte i garantuar; ky do të ishte një skenar i gabuar dhe i dështuar për koalicionin e majtë, sepse do të çonte në "vdekjen" përfundimtare të partive të vogla, aleate të PS dhe rrudhjen e votave të ekipit të majtë. Kjo mund të ishte normale, nëse e njëjta gjë do të ndodhte djathtas, ndërkohë që djathtas ka ndodhur dhe do të ndodhë krejtësisht e kundërta, duke u mbajtur gjallë 15 "vagonë" të vegjël që mbushen modestisht me vota. Ka dy opsione zgjidhjesh të tjera për të ndërtuar një koalicion të majtë të suksesshëm nga pikëpamja elektorale...
Tipare të sjelljes
së "zgjedhësve të rinj"...
Fillimisht lehtë vërejmë se cila ka qenë sjellja e zgjedhësve të rinj në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, sidomos e atyre që votojnë për herë të parë? Votuesit e rinj në çdo zgjedhje përbëjnë një potencial deri në 10 për qind të listës së votuesve. Partitë e mëdha tentojnë t'i tërheqin me mekanizmat e tyre rinorë klasikë (FRESH, FRPD apo LRI) por mesa duket sjellja e tyre ka mbetur tradicionale duke iu konfirmuar më shumë "votimit të familjes" por jo në kuptimin klasik të "votës familjare" kur të gjithë "votuesit e familjes në rresht votojnë sipas vendimit të të parit të shtëpisë që ka dhënë besën". Por në kuptimin që "sjellja elektorale" e të rinjve ndjek përgjithësisht "sjellje elektorale" të prindërve për shkak të efekteve të politikës në të ardhurat ekonomike të familjeve të tyre. E vetmja parti që tentoi të tërhiqte "agresivisht" e në mënyrë ekskluzive këtë grupim ishte G99. G99 ishte pjesë e koalicionit të drejtuar nga PS. Edhe LSI ka disa vite që tenton të njëjtën gjë, të tërheqë më shumë se partitë e tjera votuesit e rinj. Një vlerësim i rezultateve nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009 lejon të nxirren disa përfundime empirike, natyrisht jo të plota lidhur me sjelljen e "zgjedhësve që kanë votuar për herë të parë".
Rritja e votuesve 2009/2005 nga "zgjedhësit që kanë votuar për herë të parë"..
Nga të dhënat e Institutit të Statistikave rezulton rreth 300 mijë numri shtetasve me moshë 18-22 vjeç kanë qenë në listën e votuesve të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Nëse bëhet supozimi se pjesëmarrja e këtij grupi moshor në zgjedhje ka qenë afërsisht e barabartë me atë të pjesës tjetër të votuesve, rezulton se kanë votuar për herë të parë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 mbi 150 mijë votues. Ndërkohë nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se në vitin 2005 kanë votuar 1.366.266 zgjedhës dhe në vitin 2009 kanë votuar 1.519.176 zgjedhës ose 152.910 zgjedhës më shumë në vitin 2009 në krahasim me vitin 2005 që koincidon me shifrën e votuesve që kanë votuar për herë të parë. Pra mund të nxirret në mënyrë empirike përfundimi i përafërt se rritja e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 krahasuar me atë të vitit 2005 ka ardhur kryesisht nga "futja" në sistem e zgjedhësve që votojnë për herë të parë.
Ende 97 për qind e zgjedhësve të rinj votojnë tradicionalisht...
Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 partia kryesore që kishte një objektiv të qartë të tërhiqte zgjedhësit që votonin për herë të parë ishte G99. G99 grumbulloi vetëm 12.989 vota, ose 0.86 për qind të votave në shkallë kombëtare, duke mos mundur të siguronte asnjë deputet. Nëse bëhet supozimi se kanë votuar për G99 vetëm ata që kanë votuar për herë të parë rezulton se G99 ka mundur të grumbullojë vetëm rreth 4.2 për qind të numrit të votuesve potenciale që mund të votonin për herë të parë ose afërsisht një të njëzetepestën e këtyre votuesve. Ky natyrisht është tavani në përqindje sepse mundet që për G99 të kenë votuar edhe votues të tjerë, të rinj ose jo, me moshë më të lartë sesa 21 vjeç, pra që kanë qenë në listat e votuesve të zgjedhjeve të mëparshme të përgjithshme. Po të kihet parasysh se votat e fituara në Berat (Kuçove) nuk kanë të bëjnë shumë me të rinjtë që kanë votuar për herë të parë, përqindja e fituar nga G99 rezulton 3.2 për qind e numrit të votuesve potenciale që mund të votonin për herë të parë ose rreth një e tridhjeta e këtyre votuesve. Ndërkohë rreth 96-97 për qind e këtyre votuesve të rinj ose nuk kanë ardhur të votojnë ose janë tërhequr nga të gjithë partitë "tradicionale" duke përbërë një "rezervuar" të fuqishëm për partitë që kërkojnë të jenë më afër të rinjve.
Zgjedhësit që kanë votuar për herë të parë pa ndikim në mandatet kuvendore..
E vetmja parti që tentoi të kthente në mandate kuvendore votat e zgjedhësve që kanë votuar për herë të parë mund të thuhet se ishte G99. Por kjo gjë nuk ndodhi sepse G99 përveç qarkut të Beratit ku mori rreth 4 për qind të votave në të 11 qarqet e tjerë nuk e kaloi kufirin e 0.9 për qind të votave, sasi shumë larg pragut të nevojshëm për të siguruar të paktën një mandat kuvendor. Natyrisht arsyet janë të shumta. Ato lidhen kryesisht me i) orientimin "ideologjik" të G99 shumë të afërt me PSSH, ii) mungesën e një strategjie të qartë për të kthyer votat në mandate kryesisht përmes përqendrimit të vëmendjes në qarqet kryesore, iii) mungesën e një programi dhe ekipi specifik e tërheqës vetëm për votuesit e rinj; iv) njësimin në sytë e votuesve e drejtuesit të G99 me drejtuesin e PSSH; v) me "luftën radikale" të G99 ndaj LSI për interesa elektorale jo direkte të saj, por për interesa indirekte elektorale të PSSH, vi) vështirësitë e sistemit zgjedhor, vi) mungesën e një strukture organizative, e tjerë e tjerë. Rezultatet sipas qarqeve nuk ishin aspak pozitive. Konkretisht: A) kanë kontribuar me rreth 65 për qind të votave të G99 katër qarqet e Beratit (26 % e të gjithë votave të G99), Tiranës (20 %), Fierit e Elbasanit (9 %); B) më keq u paraqiten katër qarqet në veri, Kukësi (102 vota ose 0.2 %), Dibra (340 vota ose 0.5 %), Lezha (368 vota ose 0.5 %) dhe Shkodra (564 vota ose 0.5 %); C) në jug qarqet me më pak vota ishin Gjirokastra (670 vota ose 1.3 %), Korça (909 vota ose 0.7 %) dhe Vlora (979 vota ose 0.9 %); D) në Durrës, G99 grumbulloi vetëm 979 vota ose 0.6 %; E) G99 grumbulloi mbi 1000 vota në Elbasan (1173 vota ose 0.8 %), Fier (1209 vota ose 0.7 %), Tiranë (2582 vota ose 0.7 %) dhe Berat (3324 vota ose 4.1 %); F) G99 grumbulloi më shumë vota në qarkun e Beratit rreth 3300 vota ose rreth 4.1 %. Duhet shënuar se në krye të listës së G99 për qarkun e Beratit ka qenë një ish deputet i PSSH me prejardhje nga biznesi, i cili rezulton të ketë grumbulluar në një qark mesatar (me 8 deputetë) mbi një të katërtën e votave të G99 në të gjithë vendin. G99 nuk ka fituar asnjë mandat dhe relativisht më afër për të fituar një mandat ka qenë në qarkun e Beratit. Votat e fituara nga G99 nuk kanë ndikuar në pothuajse asnjë nga qarqet në rritjen e mandateve të koalicionit BPN të drejtuar nga PSSH. Bile në qarkun e Beratit ku G99 ka rezultatin më të lartë konkurrimi me "rezonancë destruktive" midis PSSH dhe G99 mund të interpretohet si shkak i mosfitimit të mandatit të pestë nga koalicioni i drejtuar nga PSSH.
Përfundimi i parë për
"shkrirjen" PS-G99...
Nga një vështrim i parë dhe i shpejtë rezulton se i) G99 ka pasur një strategji të shpallur (por jo të realizuar) për të tërhequr zgjedhësit që votojnë për herë të parë, por kjo nuk ka qenë shumë rezultative, me shumë gjasa edhe ky grup votuesish në masën 96-97 për qind ka ndjekur në pjesëmarrje e votim pothuajse tendencën e grupimeve të tjera, ii) si pjesëtare e Koalicionit Bashkimi për Ndryshim, G99, me 12989 vota, është renditur forca e katërt në këtë koalicion me 5 parti duke lënë pas vetëm partinë PDS që ka fituar vetëm 10395 vota. Kurse nga 35 parti politike G99 është renditur në vendin e 9 pas PSSH, PD, LSI, PR, PSD, PBDNj, PDI dhe PDK; iii) G99 nuk ka mundur të sigurojë asnjë mandat nga votuesit e rinj. Kjo sepse G99 nuk ka pasur një strategji elektorale për të përqendruar në mënyrë selektive forcat në ato qarqe ku shanset mund të ishin më të mëdha për të përkthyer votat në mandate; iv) Votat e votuesve të rinj të grumbulluara nga G99 në 12 qarqet nuk kanë ndikuar në rritjen e mandateve të koalicionit të majtë; mund të thuhet se vetëm në një rast, në qarkun e Beratit, për shkak të "konkurrimit problematik midis PS e G99" nuk është fituar mandati i pestë. G99 synoi më shumë të godiste LSI e cila ishte një parti që synonte po ashtu grumbullimin e votave nga zgjedhësit që votonin për herë të parë dhe që drejtonte një koalicion në përballje të fuqishme me koalicionin e drejtuar nga PSSH sesa të fitonte mandate. Duke u "shkrirë" në PSSH performanca elektorale e G99 të futur nën sqetullën e PS do të jetë më e ulët dhe për shkak të "shkrirjes", G99 do të sjellë më pak vota nga votuesit e rinj në koalicionin e majtë sesa sillte kur konkurronte më vete. Ky skenar i testuar pjesërisht në zgjedhjet e 2009 tregoi se "treni i gjatë i koalicionit të djathtë" duhet konkurruar po me "tren të gjatë të koalicionit të majtë" kurse "shkrirja" PS-G99 është një veprim në drejtimin e kundërt, një veprim që e shkurton më tej "trenin e shkurtër të koalicionit të majtë" deri në kufijtë e "lokomotivës së kryetarëve pa asnjë vagon" nëse ky skenar shtrihet për të gjitha partitë e majta e të djathta, aleate të PS. Të zvogëlosh numrin e partive aleate përballë kundërshtarit me shumë aleatë që tenton ta rrisë numrin e aleatëve është vetëvrasëse. Arsyeja e vetme është garantimi i plotë i individëve-kryetarë për t'u zgjedhur deputetë me koston e i) vdekjes së partive aleate dhe ii) uljes së mëtejshme të sasisë së votave të koalicionit të majtë. Në rastin e G99 "shkrirja" ka realisht për synim kryesor promovimin e shpejtë të Erjon Veliajt nga Edi Rama brenda hierarkisë së PSSH.
Përfundimi i dytë për strategjinë e koalicionit të majtë...
Nëse modeli i "shkrirjes" PS-G99 do të shtrihet edhe për PSD, PDS, PBDNj, PLD, PDK dhe disa individë të tjerë (pra në total rreth 7-10 drejtues aleatë/individë do të futen në listën e PS në pjesën e sigurt për të fituar) atëherë mundet që dizavantazhet që vijnë nga "shkrirja PS-G99" të shumëfishohen progresivisht. Aleatët e vegjël të PS ndodhen midis dy dilemave 1) ose të kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor për të pasur garanci të plotë për fitimin e mandateve prej tyre (këtë garanci do t'ia jepte ligji) ose 2) të kërkojnë një marrëveshje me Ramën për tu futur në pjesën e sigurt të listës së PS me koston e "vdekjes" së partive të tyre (kjo lloj "marrëveshje" nuk ka shumë garanci të mbahet). Disa përfundime do të nxirreshin nëse do të shtrihej modeli i "shkrirjes PS-G99" për aleatët e tjerë: i) zvogëlimi i numrit të aleatëve është një taktikë e gabuar dhe me pasoja elektorale negative për ekipin e majtë përballë taktikës së PD për të rritur numrin e partive aleate në ekipin e djathtë; ii) duhet thënë haptas se kjo taktikë e gabuar elektorale është thjesht një lëvizje për të futur në listën e PS një ose disa personazhe politike me koston e eliminimit të partisë përkatëse. Më konkretisht nëse "modeli i shkrirjes PS-G99" shtrihet edhe për aleatët e tjerë të majtë atëherë a) shuma e votave të koalicionit të majtë do të zvogëlohet ndjeshëm, b) partitë aleate do të zhduken; c) grupi parlamentar i PS do të zvogëlohet në numër (me aq vende sa do tu lihen drejtuesve të aleatëve në pjesën e sigurt të listës së PS, pra me rreth 7-10 deputetë); maxhoranca qeverisëse dhe ndërtimi i Qeverisë do të mbetej kryesisht në dorën e të gjithë këtyre drejtuesve të partive aleate. Nëse modeli i "shkrirjes PS-G99" mbetet ekskluziv, pra vetëm për G99 atëherë a) ajo parti aleate që kandidon e vetme nuk ka asnjë shans të fitojë mandat pa ndryshuar sistemin; b) drejtuesit e partive aleate që nuk futen në listën e PS (ashtu si drejtuesi i G99) do ta ndjenin veten të tradhtuar (nëse një gjë e tillë ju është premtuar) dhe mund të reagonin shumë negativisht në momentin kur do ta merrnin vesh një gjë të tillë. Ka edhe dy mundësi që mund dhe duhet të elaborohen me shumë kujdes e inteligjencë për të rritur votat e koalicionit të majtë dhe rritur shanset e zgjedhjes deputet të drejtuesve të partive aleate.