E majta e Ramës s’mund t’i paraqitet BE-së si alternativë politike
Kur flasim për të majtën tonë të tanishme, kuptohet se e kemi fjalën për të majtën që drejtohet nga Edvin Rama, pavarësisht se në ç’mënyra “demokratike” ai e përvetësoi kreun e PS-së. Kjo e majtë, e drejtuar dhe e komanduar ekskluzivisht nga kryetari, a i ka tiparet e së majtës europiane? Përgjigjja do të ishte një JO kategorike. E majtë është edhe LSI-ja; por ajo ka në emblemë Integrimin, pra frymëzohet nga parime perëndimore. Të majtë janë, po ashtu, edhe elementët më dinjitozë të PS-së, që i bënë qëndresë grushtit të hekurt për të gjunjëzuar LMN-në e tyre, por nuk ia arritën e nuk ia dolën dot në të gjithë përbërësit e kësaj Lëvizjeje, që nuk kishin pranuar që në fillim të herës, „fitoren“ e Edvinit. Pra, sipas kësaj elite të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, E. Rama e kishte humbur të drejtën të mbante, tanimë, ofiqin e kreut të PS-së.
Kësosoj humbja e Ramës më 28 qershor 2009 është e trefishtë, në kuptimin se kjo humbje që pësoi personalizuesi i zgjedhjeve , u miratua nga fituesit, nga elektorati gri dhe nga Lëvizja për Mendimin Ndryshe. Kjo lëvizje brenda radhëve i kontestoi ER-së jo vetëm fitoren imagjinare, por edhe qëndrimin agresiv dhe brutal të një sjelljeje aspak në pajtim me opozitat e vendeve të demokracive euroatlantike. Por Edvin Rama e asgjësoi menjëherë LMN-në, me metoda që u kritikuan rëndshëm në atë kohë: Në errësirë të plotë, pa kamera e pa gazetarë, si në lozhat e mafies.
Dhe ngjau e pabesueshmja. Mënyrat që s’kishin të bënin fare me metodat demokratike brenda partisë, duket se u treguan të frytshme për një pjesë të madhe të anëtarëve të këtij grupimi, që jepnin shpresa se nuk do të kishin të bënin me mendësinë enveriste të një inkoherenti si E. Rama, që kishte kapërcyer ekstremizmat e një radikali antikomunist, (komunistët në litar/ veteranët në hanxhar! – po t’i besojmë H. Milloshit!) për t’u bërë gjeneratori i ruajtjes së mendësisë enveriste në vendin tonë (Ovacionet për Enverin në Pezë, fotot e diktatorit në institucionet tona si ministria e Jashtme, etj.). Në argument të kësaj që sapo thamë: Si shpjegohet që disa anëtarë të kësaj Lëvizjeje, pasi kishin kritikuar qëndrimet absurde të Edit për bllokim të punimeve të parlamentit, për manifestime rrugësh me parulla që merrnin përherë e më shumë ngjyresë anarkiste, - madje i kishin shfaqur edhe në shtyp këto kundërvënie, - u bënë edhe vetë grevistë të asaj grevës me çadra haxhiqamiliste, në “Dëshmorët e Kombit”, përballë kryeministrisë?
Njerëz të tillë paçin hijen e tyre! Por K. Islami dhe A. Sarasani nuk e lanë që të mbytej fare frymëzimi i kësaj Lëvizjeje dhe u bënë qëndrestarë gjer në fund. Kjo do të thotë se jo e gjithë LMN-ja i është përgjunjur Edvinit.
***
Tani le të shohim disa tipare të Edvinit që u manifestuan në zgjedhjet administrative të 8 majit. Luhatjet e tij u shfaqën që në fillim të fushatës. Fillimisht kërkonte zgjedhje të
parakohshme. Kështu e shpërfilli 8 majin si ditë përfundimtare, që iu imponua nga faktori ndërkombëtar e që s’mund të shtyhej më tej. Të padurueshmit pa elektorat dalloheshin për marrjen e pushtetit në tavolinë, pa zgjedhje! Kuptohet se këto ishin ëndrra në diell. Pastaj Edit mezi iu mbush mendja të konkurronte për rikandidimin si kryetar bashkie. Debatin zgjedhor të drejtpërdrejtë me kandidatin L. Basha e refuzoi. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe me kryetarin e PD-së, në fushatën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Si vjellës frazash stereotipe në frazeologji retorike pa përmbajtje, atij i mungon arsyetimi programor, siç është akuzuar nga elita e PS-së, se i ka pas munguar kurdoherë programi në debatet zgjedhore. Ajo që ai di të bëjë në fushën e gojëtarisë, janë ulërimat dhe akuzat në havà. Shtoju këtyre edhe nihilizmin paranojak dhe del në pah një pjesë e personalitetit të tij skizofrenik. Fjali si ajo që përmblidhet në “e pranoj verdiktin e Kolegjit Zgjedhor nëse dal UNË fitues”, nuk gëlltitet dot as nga nxënësit e nëntëvjeçares! Apo: Të kërkosh të futësh me dhunë në punimet e KQZ-së militantët e tu, plus deputetët që kanë tipare mendore si të tuat, pa autorizim (kur ky detyrim është shprehur ligjërisht e me shkrim si kusht), kjo është jo vetëm dëshmi kapadaillëku, por edhe vetëdamkosje antidemokratike. Kjo fjala e fundit përligjet me thirrjen nga anë e anës të populistëve, që të orvaten të kalojnë kangjellat duke u shtyrë mbi kokat e policëve; është e pangjashme në asnjërën prej zgjedhjeve demokratike në BE, ku synojmë të arrijmë. Trysnia e palejueshme i kalon kufijtë e KQZ-së. Të shpallësh veten fitues, pa u shprehur KQZ-ja, madje as Kolegji Zgjedhor, kjo është e ndaluar me ligj! Por E. Rama, siç është mohues i çdo përparimi të qeverisjes PD-LSI, është edhe mohues i ligjshmërisë së shtetit tonë demokratik.
Nihilizmi i këtij personazhi dëmtues për fatet e demokracisë në vendin tonë është i binjakëzuar me narcizizmin. Do të sjell një fakt të vetëm, në morinë e fakteve të shumta. Në vitin 2005, ER s’kishte vërejtje për zgjedhjet. Humbjen ishte ai i pari që e pranoi me gëzim djallëzor. Madje s’la fjalë poshtëruese për të denigruar tetëvjeçarin pushtetar të PS-së (1997- 2005): “E kishim me hak humbjen” e përfundoi fjalimin e tij kundër asaj qeverisjeje të korruptuar, të trafiqeve ilegale, të drogës... e të të gjitha të zezave. Harroi, veç, një gjë: Të përmendte se në një hark kohor të atij tetëvjeçari të mallkuar, ai kishte pas qenë ministër i Kulturës. Përse nuk tha edhe pak fjalë për atë pjesë kohore kur artistët popullorë, ata të operës, ata të cirkut, ata të valleve, ata të teatrit, ata të pikturës e të skulpturës, të gjithë së bashku, nuk e duronin dot mujshinë e tij dhe u futën tërësisht në grevë urie? Apo ajo i përkiste ATIJ dhe qé një periudhë e shkëlqyer! Epilogu ishte vajtues. Ky usta i mëvonshëm i grevave të kota, atëherë kishte alergji nga grevat! I nxori nga ngujimi me dajak, brutalisht, me sharje vulgare!
Tani që kërkon ta marrë pushtetin me dhunë, “brenda dy ditëve”, - siç shprehet një anarkist i tij, i papërgënjeshtruar nga ai, - ç’na ofron si etalon qeverisjeje “demokratike”, në mungesë të një programi: atë të kohës së lavdishme të sundimit të tij si ministër, që ishte koha më e neveritshme e atij tetëvjeçari të zi sterrë, sipas fjalëve të tij?
Ky tekanjoz i pandreqshëm, në thelb është antiperëndimor. Kur ia do puna, bën sikur i përgjërohet shpirti për faktorin ndërkombëtar! Qyshkur kaloi nga njëri skaj i politikës te tjetri, nga antikomunisti ekstrem te panegjiristi i Enverit në Pezë, s’mund të ishte édhe me vendimin e AP-së së KE-së, édhe me Enver Hoxhën. Ky dyzim e ka lënë gojëmbyllur bash atë që i merr erzin dynjasë! Zaten ai s’është as me Shqipërinë, përderisa është me Boshtinarun!
Shqipëria, ndonëse e katandisur si Sizifi me huqet e Edit mbi shpinë, - që janë më të rënda se guri i Sizifit, - do të kishte bërë hapa të hatashëm përpara, në ketë ecje si rekordmeni me pengesa, që kushedi sesa do ta shkurtonte kohën e finishit, po të vraponte pa pengesa...
Tani që do të ketë një shtatëshe nga opozita dhe një shtatëshe nga qeveria për të shkuar në instancat e BE-së për të raportuar për kushtet dhe mundësitë për anëtarësimin në këtë komunitet, dihet qartësisht se çdo të thotë delegacioni opozitar për Shqipërinë, vendin e njerkës! Duke filluar nga mjerimi ekonomik, që bie ndesh me vlerësimet e Fondit Ndërkombëtar Europian!