E majta i fitoi zgjedhjet përmes pazareve korruptive, u hodhën miliona euro për të blerë votat
Deputeti i PD, Edi Paloka: “Berisha, vështirë të zëvendësohet - në garë do të jenë personalitete me vlera”
“Është e vështirë të zëvendësosh Sali Berishën për drejtimin e selisë blu”. Kështu e ka cilësuar garën për lidershipin e ri deputeti demokrat Edi Paloka ndërsa thotë se personalisht nuk do të bëhet pjesë e kësaj gare. Megjithatë Paloka pohon se në këtë garë duhet të përballen personalitete me vlera të cilat sipas tij nuk mungojnë në radhët e demokratëve. “Nuk e kam marrë guximin të kandidoj për kryetar partie, sepse duket shumë e rëndë të zëvendësosh z.Berisha, është një peshë e madhe të zëvendësosh kreun e PD. Megjithatë unë i përshëndes të gjithë ata që do dalin në garën për kryetar të PD dhe sigurisht që PD ka nevojë për një drejtues dhe unë mendoj që ne mund të gjejmë më të mirin. Nuk ka rëndësi sesa histori të gjatë ke në PD. Unë e thash se ne na duhet një njeri që di ta drejtojë PD-në drejt fitores”- u shpreh z.Paloka. Ai komenton edhe garën e Aleksandër Biberajt për garën e selisë blu. “Nuk kam asgjë me z.Biberaj, por ne po flasim për kryetarin e PD-së dhe jo të partive të tjera”. Edi Paloka thotë se ka preferencat e veta në garën për kreun e PD, por nuk mund t’i shprehë për të mos influencuar tek anëtarësia. “Edhe në këtë rast vota është e fshehtë. Duke qenë një nga themeluesit e PD dhe anëtar i vjetër i kryesisë nuk mund të mbaj qëndrim, përndryshe do influencoja tek militantët e PD. Sigurisht ka preferencat e mia, por unë e kam thënë edhe herë tjetër, ne na duhet ta ringremë PD e ta çojmë drejt fitores” - thotë Paloka. Por përtej një analize të mundshme për humbjen e PD-së në zgjedhjet parlamentare, Paloka shprehet se ajo që u vu në dukje në këtë proces ishte shitja e votës. “Ka në PD njerëz që kanë më shumë përgjegjësi për këtë humbje. Flas gjithmonë për pjesën e përgjegjësive, sepse për zgjedhjet pavarësisht se është thënë se ishin zgjedhjet të mira, zgjedhje të ndershme etj, mendimi im nuk është i tillë, pasi mjafton të theksoj faktin se janë hedhur miliona euro që i janë vjedhur shqiptarëve dhe këtë herë janë hedhur për të vjedhur votat e shqiptarëve” - deklaroi deputeti demokrat, Edi Paloka.
...