Egjipt, ushtria “rrëzon” Morsin. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do drejtojë përkohësisht vendin
Presidenti egjiptian Mohamed Morsi është vënë nën arrest shtëpiak nga ushtarakët në selinë e gardës republikane në Kajro. E ka bërë të ditur me një flash televizioni i pavarur El Hayat. Lajmë ende nuk është bërë zyrtar. Morsi është objekt i një ndalimi për të dalë jashtë vendit, thonë burime të Sigurisë së Aeroportit të Kajros, së bashku me liderin shpirtëror të Vëllazërisë Myslimane Mohamed Badie e liderë të rëndësishëm të kësaj partie si Khairat el Shater, Essam Sultan e Mohamed el Beltagui.
Lajmi i orës 16:30 - Egjipti në prag të një grushti shteti. Morsi nuk dorëzohet: Do e mbroj postin me jetë. Ushtria rrethon godinën e Televizionit Shtetëror
Nis në Egjipt grushti i shtetit kundër presidentit Mohamed Morsi. Pas sfidimit te afatit te lënë ne dispozicion nga protestuesit, tanke dhe mjete të tjera të rënda janë vendosur para televizionit shtetëror, ndërkohë që mediat e huaja raportojnë se tashmë kjo godinë është vënë nën kontroll nga ushtria. Ndërkohë pak orë para se të mbarojë afati për t’u dhënë fund trazirave, shefi i ushtrisë egjiptiane, Abdel Fatah al-Sisi tha se ushtria është e gatshme të sakrifikojë gjakun e saj për të mbrojtur vendin kundër atyre që ai quajti terroristë dhe naivë. Deklarata i referohej me sa duket presidentit, Mohamed Morsi, i cili disa orë më parë mori në mbrojtje legjitimitetin e tij dhe deklaroi se do të qëndronte në postin e presidentit, edhe nëse kjo çonte në vdekjen e tij. Ai i kërkoi ushtrisë të tërhiqte kërcënimin për të ndërhyrë në krizën politike të vendit. Duke folur në Televizionin shtetëror, mbrëmë vonë, Morsi i fajësoi lojalistët e ish-liderit Hosni Mubarak, për trazirat aktuale, me ç’rast tha se ka përpjekje për përmbysjen e qeverisë së tij. Morsi ka premtuar një varg të masave për arritjen e konsensusit politik me kundërshtarët, përfshirë edhe ndryshimin e kabinetit të tij. Nga ana tjetër Ushtria ka paralajmëruar se do të imponojë një “plan” për të ardhmen e Egjiptit në qoftë se mosmarrëveshjet mes zotit Morsi dhe kundërshtarëve të tij nuk zgjidhen deri sot në orën 5 pasdite, sipas kohës lokale.
...