E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Do të ngre opozitën sot për t’u rikthyer shumicë nesër - ne do ta çojmë Shqipërinë përpara

03-07-2013 / Gazeta 55

Sokol Olldashi shpall zyrtarisht kandidaturën për kreun e PD Sokol Olldashi shpall zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet që do të mbahen për kreun e ri të Partisë Demokratike. Ishte vetë Olldashi ai i cili bëri publik një vendim të tillë, përmes një deklarate për shtyp nga selia e Partisë Demokratike. “Pas shumë e shumë takimesh me përfaqësues të institucioneve bazike te Partisë Demokratike dhe pas një takimi që kam zhvilluar dje me Kryetarin Sali Berisha, i jam drejtuar sot Kryesisë së Partisë me kërkesën për regjistrimin e kandidaturës për garën e shpallur për funksionin e Kryetarit të Partisë Demokratike, parti ku unë militoj prej 23 vjetësh”, u shpreh Olldashi. Gjithashtu, në këtë dalje publike Olldashi dha dhe arsyet se përse zgjodhi të ishte pjesë e kësaj gare. “Hyj në garë me dëshirën për të përfaqësuar militantët e partisë, anëtarët e Partisë Demokratike por edhe ata që janë pjesë e opozitës që kjo parti ka zhvilluar në vitet ’97-2005 dhe pjesë e arritjeve madhore të qeverisë së kësaj partie në vitet 2005 e deri më sot. Hyra në garë me vendosmërinë për të fituar përgjegjësinë e përfaqësimit të 100 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe me synimin për të rindërtuar themelet morale mbi të cilat bashkë me ta do të ngre opozitën sot për tu rikthyer shumicë nesër. Sepse besoj se proceset zgjedhore nuk janë pazare dhe se shumica e shqiptarëve ende besojnë në moralin dhe me idenë për të çuar vendin përpara!”, deklaroi ai. Sokol Olldashi është i pari në radhën e kandidatëve që hyn në garë për kreun e ri të PD-së, pas dorëheqjes nga kjo detyrë të z.Berisha. Prezantimi i kandidatëve përfundon të enjten në mesnatë, ndërsa më pas procesi kalon në dorë të anëtarësisë, të cilët sipas parimit “një anëtar, një votë”, do të zgjedhin kryetarin e ri të Partisë Demokratike.


Kryesia e PD


Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet të enjten, për vlerësimin e kandidaturave, për kreun e ri të PD-së. Kandidatët kanë patur një javë kohë për të shpallur kandidimin e tyre dhe për tu bërë pjesë e garës që këtë herë është në dorë të anëtarësisë së PD, sipas parimit “një anëtar- një votë”. Do të jetë pikërisht baza demokrate që me votën e tyre do të zgjedhin një mes kandidaturave zyrtare. Ndërkohë, verifikimi i listës së anëtarësisë së PD përfundoi të hënën, duke shpallur edhe numrin zyrtarë të anëtarëve demokratë me të drejtë vote. Do të jetë vota e 100 mijë demokratëve që do të zgjedhë lidershipin e ri demokrat, sfidat e të cilit do të jenë jo pak të vështira, nga strukturimi i partisë e deri në përgatitjen e saj për zgjedhjet e ardhshme lokale, ku sfidë është fitorja e tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›