E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta ndahet në Kashar - Meta, Milo e Ceka do të provojnë të vetëm

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ftoi dje partitë e opozitës që të
ulen në një tryezë bashkëpunimi për Kodin Zgjedhor. “Opozita e majtë të ulet në bisedime për të firmosur një marrëveshje bashkëpunimi që të na sigurojë fitoren në zgjedhjet e vitit të ardhshëm” - u shpreh Milo, gjatë fjalës së mbajtur me rastin e punimeve të Kongresit të dytë të Forumit të Gruas të kësaj force politike. Sipas kreut të PDS-së tryeza për reformën zgjedhore do të ishte në të vërtetë shansi i fundit që opozita e majta të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009 e bashkuar, pasi realisht dy lobet aktuale të së majtës i ndajnë më shumë gjëra sesa i bashkojnë. Megjithatë më shumë se një shans i dhënë përmkundrejt lidershipit të Partisë Socialiste, apeli i Milos ngjan më tepër një alibie të radhës, pasi në të vërtetë koalicioni i ri që Meta konsakroi “E majta për Integrim” ka vendosur de facto hyrjen vetëm në zgjedhje. Dje në mbrëmje kreu i LSI-së, Ilir Meta, ai i PDS-së, Paskal Milo dhe ai i PAD-së, Neritan Ceka, kanë prezantuar në Kashar kandidatin e parë për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që është Albert Bakalli. Përgjatë tubimit tre drejtuesit shprehën besimin se koalicioni i ri si pjesa reale e opozitës do të dalë triumfuese në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Eksponentët e vegjël të së majtës kanë perdorur apelin per largimin nga qeveria të Kryeministrit Sali Berisha, si lejtmotiv te aksionit te tyre politik. Kryetarët e partive të vogla majtise në opozitë, LSI, PDS dhe PAD, në kushtet e pamundësisë dhe skarcitetit ideor për t’u përshtatur me zhvillimet ditore të axhendës politike, vijuan spekulimet me idenë promotore politike: largimin e kreut të ekzekutivit. Kreu i LSI Ilir Meta e akuzoi kryeministrin Berisha se e ka zhytur vendin në krizë të thellë ekonomike dhe institucionale, duke e cilësuar atë si një rrezik për demokracinë. Për të gjitha këto arsye, sipas Metës, reformat në vend nuk mund të ecin pa dorëheqjen e kryeministrit. Dorëheqje të kryeministrit ka kërkuar edhe kreu i PDS Paskal Milo, i cili e ka nënvizuar si shumë të rëndë situatën aktuale në vend.
99-shat prezantohen në Vlorë, tek limani që mendojnë se u përshtatet/Në serinë e takimeve në qendrat urbane, lëvizja G99 është prezantuar tek qytetarët e Vlorës. Kryetari i kësaj lëvizjeje, Erion Veliaj ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të vitit 2009, si mundësia më e mirë për të larguar të papërgjegjshmit nga politika dhe për t‘i dhënë fund tranzicionit që ende nuk mbaron në Shqipëri. “Duhet të filloni të keni besim tek vetja dhe të jeni të bindur se mund të dalim nga tranzicioni duke u organizuar si lëvizja G99. Pushteti i ynë është më i madh se pushteti i Berishës”, është shprehur para të pranishmëve Veliaj. Në takim kanë marrë fjalën edhe aktivistë të G99 nga qyteti i Vlorës, të cilët kanë theksuar nevojën e një politike të re dhe një karakteri të ri politikanësh, për t‘i rikthyer besimin e humbur qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›