E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet e huaja në Shqipëri, një histori suksesi

Kryeministri Sali Berisha ka ftuar dje biznesin ndërkombëtar, i përfaqësuar në Forumin e Crans Montanës në Monte Karlo, të investojë në Shqipëri, pasi siç u shpreh ai “investimi në Shqipëri është një histori suksesi”. Presidenti i Fondacionit “Crans Montana Forum” z. Jean Paul Carteron organizoi dje një dreke pune për nder të Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit nga vende të ndryshme si SHBA, Franca, Austria, Monako, Jordania, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara, Pakistani, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina. Bizneset e tyre janë të përqëndruara kryesisht në fushën e energjetikës, të infrastrukturës, të telekomunikacionit, të bujqësisë dhe ujit, të industrisë minerale, si dhe të industrisë financiare dhe fondeve të investimeve. Kryeministri Berisha përshëndeti pjesëmarrësit për interesimin e tyre për këtë takim dhe i ftoi ata të investojnë në Shqipëri në fushat e mësipërme duke i informuar se Shqipëria përfaqëson mundësi të mëdha në këtë drejtim. Z. Berisha i njohu pjesëmarrësit me përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe angazhimin e saj për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për biznesin. “Investimi në Shqipëri është një histori suksesi jo vetëm për shkak të potencialeve të mëdha që ajo ofron, por edhe si pasojë e reformave të thella ekonomike dhe revolucionit në fushën fiskale, që e kanë kthyer Shqipërinë në një nga vendet me taksat më të ulëta në Europë”, tha Kreu i Qeverisë shqiptare.
Shqipëria ofron potenciale të mëdha për investime/Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, gjatë një takimi me Presidenten e Shoqatës Ekonomike të Kuvajtit, Rola Dashti se “Shqipëria ofron potenciale të mëdha për të investuar në fushën e infrastrukturës, të energjisë, të burimeve minerale dhe atë të turizmit”. Gjatë takimit në Monte Karlo me Presidenten e Shoqatës Ekonomike të Kuvajtit, Kryeministri Berisha informoi se “Shqipëria ofron një sistem fiskal nga më të ulëtit në rajon dhe më gjerë, si dhe një klimë të favorshme për zhvillimin e biznesit”. Duke vlerësuar ndihmën e qeverisë së Kuvajtit ndaj vendit tonë, Kryeministri Berisha ftoi biznesin kuvajtian të investojë në Shqipëri në fushën e turizmit, transportit, por edhe më gjerë.
Berisha fton sipërmarrësit e Emirateve të Bashkuara të investojnë në Shqipëri/Kryeministri Sali Berisha siguroi mbështetjen e qeverisë shqiptare për investitorët e Emirateve të Bashkuara të cilët janë të interesuar të investojnë në vendin tonë, gjatë një takimi të shtunën, me Ministren e Shtetit të Emirateve të Bashkuara, Reem Al-Hashimy. Gjatë qëndrimit në Monte Karlo, ku po zhvillon punimet Forumi i Crans Montanas, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Ministren Reem Al-Hashimy, të cilën e njohu me klimën e favorshme ndaj biznesit në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›