E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ndjekin n’ligjëratë

Lëvizja Vetëvendosje nuk po e lë rehat Kryeministrin Hashim Thaçi. Aktivistët e saj penguan kreun e Qeverisë gjatë një debati me studentë në Universitetin AAB. Kryeministri u mbajti kundërshtarëve të tij leksione edukate, derisa sigurimi i Universitetit i nxori ata nga salla. Por, Vetëvendosje tha se pjesëtarët e saj u grushtuan nga truprojat e Thaçit. Nga Shpend Limoni më 21 prill 2011 në ora 09:00

Kryeministri Hashim Thaçi është ballafaquar të mërkurën me pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një ligjërate në Universitetin AAB, ku kishte shkuar për të shpalosur planin ekonomik të Qeverisë së tij.

Gjithçka i ka shkuar mirë kreut të Qeverisë, derisa nuk ka ardhur koha për pyetje. Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur me lehtësi deri te mikrofoni për ta sfiduar Thaçin rreth çështjeve ekonomike.

“Ju po përpiqeni që zhvillimin ekonomik ta bëni duke i shitur të gjitha asetet publike, duke i shitur të gjitha pasuritë publike, duke i shitur pasuritë e qytetarëve të Kosovës, po përpiqeni që këtë shitje që po e bëni për pasurimin tuaj personal për ta transmetuar si zhvillim”, i ka thënë Kryeministrit Thaçi pjesëtari i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi.

Ai më pas ka vazhduar edhe me një pyetje tjetër.

“Pyetja e fundit është z. Thaçi, a ju keni hyp skijave tash”, i ka thënë Krasniqi Kryeministrit Thaçi.

Në këtë mënyrë, aktivisti i Vetëvendosjes ka aluduar në udhëtimin e fundit të një pjese të Qeverisë, përfshirë edhe Kryeministrin, në një qendër skijimi në Bullgari me qëllim të hartimit të një plani për zhvillim ekonomik të vendit.

Kryeministri Thaçi ka kërkuar edhe pyetje tjera, derisa ka dhënë edhe një përgjigje për aktivistin e Vetëvendosjes duke folur për rritjen e pagave.

“...E di sa tash fushata është kryer dhe tash secili jemi më të lirë edhe për të folur, në veçanti unë jam më i lirë sepse atë që e kam premtuar, e kam realizuar për 45 ditë sa i përket rritjes së pagave për të gjithë punëtorët kosovarë”, ka thënë Thaçi.

Derisa Kryeministri ka dhënë këtë përgjigje, dy aktivistë tjerë të Vetëvendosjes kanë hyrë në sallë duke mbajtur një pankartë tjetër, në të cilën shkruhej: “Kjo Qeveri i ka hipur skijave”.

Aktivisti Frashëri ka reaguar ndaj përgjigjes së Thaçit, e më pas është nxjerrë për krahësh nga sigurimi i AAB’së, me kërkesë të Ministrit të Arsimit, Ramë Buja. Edhe dy të rinjtë tjerë, që kanë mbajtur pankartën, janë nxjerrë jashtë. Më vonë gjatë ditës, Vetëvendosje ka njoftuar se aktivistët e tyre janë grushtuar nga truprojat e Thaçit. Po ashtu, në sallë janë hedhur edhe fletushka në të cilat kritikohet Qeveria për çështjet ekonomike. Pjesëtarë të Vetëvendosjes kohë më parë kishin lyer me ngjyrë rektorin e UP’së, Mujë Rugova, duke akuzuar atë për gjendjen në Universitetin publik. Vetëvendosje është forca e tretë në Parlamentin e Kosovës, por zyrtarë të saj thonë se nuk do t’i lënë anash metodat e vjetra të organizimit.

Kryeministri Thaçi ka reaguar ndaj kësaj situate, duke i thënë rektorit të këtij Universiteti. “S’ke mirë që e qitën”.

Ai ka shtuar para studentëve se secili ka të drejtë ta thotë mendimin e vet.

“Ne jetojmë në jetën demokratike dhe njerëzve të sigurisë të Universitetit ju kisha lutur që kush dëshiron le ta marrë fjalën, le të ngritë çfarëdo çështjeje që të ketë, por natyrisht se duhet të respektohet edhe aspekti profesional edhe edukativ edhe i mirësjelljes”, ka thënë Thaçi.

Ai më pas ka thumbuar Vetëvendosjen.

“Jam i hapur për çfarëdo pyetjeje, për çfarëdo komenti që ju mund ta keni. Keni mujt me marrë edhe kryesinë e partisë tuaj, s’ka pas problem”, ka thënë ai.

Ndaj largimit nga salla të Frashër Krasniqit ka reaguar një pjesëmarrës tjetër në debat duke pyetur :”Me kënd po debatoni tash”?

Një kundëreagim solidarizues me Kryeministrin Thaçi ndaj kësaj e ka bërë mësimdhënësi i këtij Universiteti, Ekrem Kryeziu.

“Dil jashtë!”, ka thënë Kryeziu.

Tërë situata është përcjellë koha pas kohe me duartrokitje të studentëve.

Disa prej tyre i kanë brohoritur Vetëvendosjes e disa për Thaçin.

“Unë besoj se përveç pjesës profesionale, Universiteti dhe shkolla është për edukatë edhe mirësjellje”, ka thënë Thaçi.

E nga ndonjë student kanë ardhur edhe përkrahje direkte për Kryeministrin.

“Fillimisht më vjen keq për incidentin e mëhershëm unë u ndjeva e fyer”, ka thënë një studente. E një tjetër ka reaguar për ngritjen e pagave: “Fillimisht jap komplimente për rritjen e pagave”, ka thënë studentja.

Thaçi më pas ka thumbuar Vetëvendosjen.

“Edhe këtyre që janë kundër ekonomisë së lirë të tregut dhe fuqizimit të sektorit privat, e kam theksuar edhe në Parlament, edhe në debate publike, se qytetari ia ka treguar vendin secilit. Qytetari mund ta jep votën, apo të mos ta jep atë, por nuk mund të bartë edukatën, ajo rrjedh nga familja”, ka thënë ai.

“Ju e shihni debatin, dikush flet për bashkim kombëtar, ndërsa është kundër ndërtimit të autostradës. Qesharake!”, ka shtuar Thaçi.

E në tërë këtë situatë ka reaguar edhe rektori Universitetit duke u distancuar nga Vetëvendosje.

“Të nderuar studentë, i nderuar Kryeministër, Universiteti ynë shquhet për mënyrën e organizimit të debateve të tilla. Ju e pat që të gjithë studentët, të cilët e morën fjalën, u prezantuan si studentë të fakulteteve të caktuara . Të gjitha pyetjet ishin atraktive dhe interesante për këtë debat. Mirëpo, ata të cilët nuk u prezantuan, vetëm e morën fjalën, ata nuk janë studentë të Universitetit tonë”, ka thënë rektori.

Universiteti AAB ka lëshuar edhe një deklaratë për media për t’u distancuar edhe njëherë nga ngjarja.

“Universiteti AAB-Riinvest njofton opinionin publik se gjatë ligjëratës së Kryeministrit Hashim Thaçi para studentëve dhe auditorit të tij, disa persona të pandërgjegjshëm, të cilët deshën të prezantohen si studentë të këtij universiteti dhe shpërndanë pamflete për auditorin, nuk janë studentë të Universitetit tonë.

Universiteti AAB-Riinvest shpreh keqardhje dhe distancohet publikisht nga sjelljet dhe veprimet e tyre”, thuhet në reagim.

Reagon Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar me një komunikatë për media, në të cilën ka njoftuar për “aksionin”. Kjo lëvizje ka pohuar se aktivistët e saj janë shqelmuar nga truprojat e Thaçit.

“Ky argumentim i Lëvizjes Vetëvendosje u përcoll me shpalosjen e parullës “Kjo Qeveri i ka hipur skijave” dhe shpërndarjen e fletushkave me argumentet e Lëvizjes Vetëvendosje te të pranishmit, të cilët tërë aktivitetin e miratuan me duartrokitje.

Kjo gjë nuk i pëlqeu Hashim Thaçit dhe truprojave të tij, të cilët në mënyrë të dhunshme nxorën nga salla aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje duke i grushtuar dhe shqelmuar ata. Lëvizja Vetëvendosje e quan sjelljen e dhunshme të truprojave të Hashim Thaçit si pengim i fjalës së lirë në një ligjëratë që ishte e hapur për të gjithë”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosje ka reaguar edhe ndaj Universitetit AAB.

“Ndërkaq, reagimi i Universitetit AAB dëshmon edhe një herë se licenca e akreditimit është më e vlefshme sesa shpalosja e ideve, debatit dhe kritikës, siç i ka hije një universiteti”, thuhet në njoftim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›