E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, formular i ri i legalizimeve

Me vendim të qeverisë, të ardhurat që do të vijnë nga sanksionet ndaj subjekteve, nuk do të shkojnë më për buxhetin e qeverisjes vendore, por për ALUIZNI-n.

TIRANË- Për të gjithë subjektet që do të vazhdojnë procedurat e legalizimit të objekteve pa leje, apo shtesave informale, në ndërtime me leje, brenda muajit, do të ketë një formular të ri, modeli i të cilit është krijuar sipas ndryshimeve të reja të ligjit për legalizimet. Burime nga ALUIZNI thanë dje për gazetën se, në përmbajtje të këtij formulari, nuk ka ndonjë element të ri, dhe se në thelb, ata do të vazhdojnë që ta derdhin pagesën e shërbimit në numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI. Konkretisht, në formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, përfshihet emri i poseduesit të ndërtimit, të dhënat e objektit, afati se kur e ka vetëdeklaruar, adresa e banesës, si dhe vlera e tarifës së shërbimit, që është 4 mijë lekë të rinj. Përcaktimi i modelit të ri i këtij formulari, që në përmbajtje nuk ndryshon, është bërë dje me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që, në funksion të ndryshimeve të ligjit për legalizimet, qeveria ka marrë një tjetër vendim, krejtësisht në favor të ALUIZNI-t.

Favoret e ALUIZNI-t

Të ardhurat që do të vijnë nga sanksionet ndaj subjekteve, që kanë vetëdeklaruar jashtë afateve ligjore bashkë me tarifën e shërbimit, nuk do të shkojnë më për llogari të qeverisjes vendore, por për llogari të ALUIZNI-t. Këshilli i Ministrave ka vendosur dje përmes disa ndryshimeve të vendimit aktual, “Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit”, që kjo pagesë, pra ajo e mbledhur nga sanksionet, të shkojë për llogari të ALUIZNI-t. Në këtë mënyrë, jo vetëm të ardhurat e mbledhura nga tarifa e shërbimit për legalizim, por edhe sanksionet, do të përdoren nga Agjencia e Legalizimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale për përditësimin në terren dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik të objekteve pa leje, apo shtesave informale në ndërtime me leje, si dhe për ngritjen e funksionimin e zyrave të përkohshme, që do të kryejnë këtë shërbim, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Po me vendim të djeshëm të Këshillit të Ministrave, nuk do të ketë më afate të përcaktuara për ata që kanë vetëdeklaruar jashtë afateve ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›