E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama-gjykatës: Kujdes me Lulëzim Bashën

“Fati” i ministrit ndodhet në duart e bashkëshortes së Azem Hajdarit. Prokuroria kërkon mos shqyrtim të kërkesës

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme paralajmëron gjyqtaren Fatmira Hajdari për mos pranimin e shqyrtimit të kërkesës së avokatit të ministrit të pandehur Lulëzim Basha. Ky i fundit ka kërkuar nga gjykata që të shpallëtë pavlefshme procedurat e njoftimit të tij nga prokurori i çështjes në cilësinë e të pandehurit. Por sipas prokurorisë, kjo gjykatë nuk është kompetente. Ky fakt mësohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilët konfirmuan se me firmën e kryeprokurores Ina Rama, institucioni i akuzës ka paralajmëruar Gjykatën e Shkallës së Parë se nuk është ajo kompetente për shqyrtimin e kësaj kërkese ku i pandehuri në këtë mes është deputet.

Në këtë kërkesë thuhet se Gjykatë kompetente për shqyrtimin e këtij kundërshtimi të kërkuar nga avokatët është vetëm Gjykata e Lartë, kompetencë kjo e caktuar me Kushtetutën e vendit. “Me anë të kësaj shkrese, ju vëmë në dijeni se Gjykata e Shkallës së Parë nuk është kompetente për shqyrtimin e veprimeve procedurale të ankimuara nga avokati i të pandehurit Lulëzim Basha pasi personi në fjalë është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe kompetent për shqyrtimin e kërkesë- padisë është Gjykata e Lartë”,- thuhet ndër të tjera në letrën e dorëzuar dje në zyrën e protokollit të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Pritet që kjo shkresë mëngjesin e sotëm t’i kaloi në zyrë gjyqtares së caktuar me short elektronik për shqyrtimin e kësaj kërkese, Fatmira Hajdari, bashkëshortja e ish- liderit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Seanca gjyqësore për shqyrtimin e kërkesë-padisë së avokatëve mbrojtës pritet të zhvillohet mesditën e sotme, kur gjyqtarja Hajdari e ka parashikuar zhvillimin e seancës gjyqësore me dyer të hapura për publikun.

Vetëm pak ditë më parë, Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha, me ndihmën e avokatit të tij Zef Nikaj ka kundërshtuar vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për cilësimin e klientit të tij si të pandehur. Dhe po ditën e refuzimit të flet-thirrjes së prokurorisë nga kryediplomati shqiptar Basha, avokati ka depozituar pranë togave të zeza një kërkesë-padi ku kërkohet shpallja e pavlefshmërisë së aktit të thirrjes së klientit të tij si i pandehur. Sipas kërkesës së avokatit Nikaj, mësohet se pavlefshmëria e veprimeve procedurale të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme është kërkuar duke u bazuar në vendimin e pak ditëve më parë kur gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë, Sokol Tona, pranoi kërkesë-padinë e të pandehurit Andi Toma dhe Armand Telitit (i liruar nga akuza) për kundërshtimin e vendimit të zgjatjeve të afateve hetimore nga 6 nëntori deri më 6 dhjetor.

Ky vendim, sipas institucionit të akuzës, është respektuar dhe që nga data 6 nëntor e këndej nuk është kryer asnjë veprim hetimor për dosjen me numër 1 të vitit 2007. “Mbi bazën e analizës së dosjes hetimore të kryer nga organi i akuzës për procedurat e tenderimit dhe deklarimit të fituesit të tenderit për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash si pjesë e autostradës Durrës-Kukës dhe nga hetimet e mbledhura deri më datë 6 nëntor, ka rezultuar se shtetasi Lulëzim Basha dhe Andi Toma me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë kryer veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tender” në bashkëpunim, duke favorizuar kompanitë e tyre”,-thuhet nga akuza, që mbi bazën e këtij hetimi është konkluduar marrja në cilësinë e të pandehurit të deputetit pa imunitet Lulëzim Basha. Mësohet se kryediplomati shqiptar, tashmë i pandehur nga organi i akuzës, nuk do të paraqitet vetë pranë togave të zeza, por do të përfaqësohet nga avokati i tij mbrojtës Zef Nikaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›