E pafalshme, kjo qeveri vjedh edhe librat e fëmijëve
Që kjo Qeveri është një qeveri hajdute. Këtë e dinë të gjithë.
Por të kesh guximin dhe paturpësinë që të vjedhësh edhe me librat e fëmijëve të vegjël që shkojnë në shkollë për herë të parë, kjo ia kalon cdo lloj babëzie.
I drejtohem sot Sali Berishës publikisht.
Turp të qoftë ty që me dijeninë tënde të plotë, Këshilltari yt për Arsimin po pasurohet me librat e fëmijëve të vegjël që shkojnë në shkollë. Edhe Ministri që bën qingjin e urtë, është i përfshirë në këtë aferë. Keni vjedhur gjithcka: toka, troje, naftë, miniera, lumenj, hidrocentrale. Por që Sali Berisha të ishte kaq i pangopur sa që të vjedhë edhe nga librat që iu shiten fëmijve të vegjël. Këtë nuk ua a fal as publiku dhe as Zoti.
Sot po ju zbardh plotësisht një ndër aferat më të turpshme në këtë vend.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Në arsimin parauniversitar përdoret sitemi Altertekst, pra nuk ka një tekst unik për lëndët, por janë mësuesit ata që zgjedhin tekstin. Një sistem që ka shkatërruar tërësisht arsimin parauniversitar. Megjithatë ky është sistemi që ju keni zgjedhur.
Për vitin shkollor që u mbyll 2011-2012, në pjesën më të madhe të shkollave të Shqipërisë (rreth 90%), në ciklin e ulët (klasa 1-5), për lëndën e Matematikës u përzgjodhën tekstet e shtëpisë botuese EDUALBA. Ishte shumë e çuditshme përzgjedhja e këtyre teksteve në përqindje kaq të lartë, pasi ishte një linjë e paprovuar më parë nga mësuesit.
Mësuesit i ndërprenë menjëherë linjat (klasa 1-5) në lëndën e matematikës, me të cilat kishin punuar deri vjet dhe njëzëri përzgjodhën këto tekste, ku bashkëautor është Këshilltari i Kryeministrit për Arsimin në Shqipëri e njëkohësisht pronar i shtëpisë botuese EDUALBA.
Ky rezultat i përzgjedhjes së teksteve të tij, nuk erdhi si pasojë e cilësisë, përkundrazi ky erdhi si rrjedhojë e turit në mbarë Shqipërinë të Këshilltarit për Arsimin të Kryeministrit Bardhyl Musai, i cili takoi personalisht drejtuesit e Arsimit nëpër rrethe.
Mesazhi ka qenë i qartë në të tilla raste Është porosi e doktorit, që fëmijët të mësojnë Matematikë me këto tekste. Nga burime konfidenciale, disa prej tyre janë shprehur për presionin që ka ushtruar tek ata për përzgjedhjen e teksteve të tij.
Vetë mësuesit të shprehur publikisht edhe në media, janë shprehur se u është kërkuar me patjetër nga drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave që të zgjidhen tekstet ku bashkëautor është B.Musai.
Ky presion ka nisur para se të fillojë proçesi i përzgjedhjes së teksteve nëpër shkolla. Më pas, gjatë këtij proçesi, në Maj 2011, në të gjitha mbledhjet e mësuesve të organizuar nëpër shkolla për përzgjedhjen e teksteve, të mbajtura në shumë raste në kundërshtim me ligjin, u ushtrua presion mbi mësuesit që të zgjidhen librat e Këshilltarit të Saliut.
Emisioni Fiks fare intervistoi mësuesit për gjithçka të parregullt që ndodhi gjatë këtyre mbledhjeve. Në disa shkolla ku nuk ishin përzgjedhur tekstet e shtëpisë botuese EDUALBA, u grisën proçsverbalet e votimit të mësuesve dhe u zëvendësuan ato me proçsverbale të tjera, të cilat nxirrnin fitues tekstin e Bardhyl Musait. Këto tekste u morën edhe në ato shkolla ku ligji e ndalon këtë gjë, pasi në këto shkolla punojnë mësues që janë autorë të tyre (të teksteve të nxënësit, të teksteve të mësuesit dhe të teksteve të punës së nxënësit), të gjitha këto me bashkëautor Bardhyl Musain. Sipas ligjit, në shkollat ku punojnë mësues që janë autorë të teksteve shkollore, nuk mund të përdoren tekstet e këtyre mësuesve për shkak të konfliktit të interesit.
-Zoti Ministër a ka mundësi të më thoni se ku përfundoi liria e mësuesit në përzgjedhjen e teksteve shkollore, e trumpetuar kjo gjë me të madhe nga Ministria e Arsimit?!
Por ka dhe më në këtë histori
Nuk është fare e rastësishme që pothuajse të gjithë bashkëautorët e teksteve shkollore të botuara nga Bardhyl Musai janë emëruar dhe po emërohen dita-ditës drejtorë dhe nëndrejtorë të shkollave më të mëdha dhe më në zë të Tiranës?!
Kjo ka ndodhur në shkollat Edith Durham, Emin Duraku, Dora DIstria, Mihal Grameno etj.
-Si ka mundësi, që në shkollën ku bashkëshortja e Bardhyl Musait është nëndrejtore, të gjithë nxënësit nga klasa 1 deri në klasën 5 mësojnë me librat e tij, kur ligji e ndalon këtë gjë?
Pas fillimit të punës së mësuesve, në shtator 2011, zotëria në fjalë, organizoi në shumë qytete të Shqipërisë trajnime 1-ditore, ku të gjithë mësuesit e klasave 1-5 ishin të detyruar të shkonin.
Të gjithë mësuesit e Ciklit të Ulët të Tiranës u mblodhën në auditoret e UET-s, gjoja për tu trajnuar. Akademiku që duhet ti trajnonte, pra këshilltari i Kryeministrit, papritur u kthye në shitës, duke i detyruar të gjithë mësuesit pjesëmarrës të blinin tekstet e mësuesit, të botuara prej tij (metodika), që shoqërojnë librat e nxënësit, ku shkruhej dukshëm emri B ardhyl Musai. Pak mësues mund të kenë mbetur pa i blerë ato tekste, pasi ishin nën vëzhgimin e kujdesshëm të drejtorëve të tyre.
Bardhyl Musai po tregon se ka një pushtet, të cilin po e përdor dita-ditës për interesa të tij. Me ndryshimet që sjell ligji i ri për Arsimin Parauniversitar në Shqipëri, do të hartohen programe të reja në të gjitha lëndët.
-Si ka mundësi që grupet e ngritura nga MASH për hartimin e programeve të reja të lëndës së Matematikës, të krijuara gjatë këtyre ditëve, kanë në përbërjen e tyre vetëm bashkëautorët e Këshilltarit të Kryeministrit Bardhyl Musai? Mos ndoshta rastësisht ndodh dhe kjo gjë ?
Siç duket ky synon të diktojë dhe hartimet e programeve të reja për të mbrojtur interesat e tij edhe në vazhdim.
Kam në dorë dy emaile të dërguara nga drejtues të Ministrisë së Arsimit.
Drejtori i IKAP kërkon respektimin e ligjit dhe shmangien e konfliktit të interesave. Këshilltari i Ministrit ju thotë të kundërtën.
*Fjala e deputetit socialist Taulant Balla për Arsimin Parauniversitar
