KSHH: Alarmi se në vend ka 60 mijë përdorues droge duhet të nxisë policinë të veprojë shpejt në Lazarat
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me anë të një deklarate i ka kërkuar Policisë së Shtetit të ndërhyjë sa më shpejt në Lazarat. Sipas KSHH, fakti që vendi është në alarm sepse ka 60 mijë përdorues droge duhet të shërbejë si nxitje për policinë. Po ashtu KSHH thekson se sa më shumë të vonohet ndërhyrja, aq më shumë ndihmohen keqbërësit që të fshehin gjurmët.
Dje Ministri i Shëndetësisë ngriti alarmin se në vend po rritet ndjeshëm numri i përdoruesve të drogës, se janë rreth 60.000 persona që kanë përdorur në jetën e tyre droga të ndryshme, se rreth 5000 prej tyre janë përdorues problematikë, se shumica e atyre që konsumojnë droga u përkasin moshave të reja dhe janë gjimnazistë dhe studentë. Sipas ministrit të shëndetësisë, Petrit Vasili, që prej vitit 1995 shifrat janë rritur me ritme alarmante, gjë që ka imponuar hartimin e një plani strategjik për ta luftuar këtë fenomen, qëllimi i të cilit është që të reduktohet oferta dhe kërkesa për drogat.
KSHH mendon se thirrja dhe alarmi i Ministrit Vasili duhet të jetë një alarm për forcat e rendit dhe organin e prokurorisë, të cilat tashmë kanë dijeni të plotë për veprën kriminale të ndodhur ne komunën Lazarat. Ata duhet të reagojnë menjëherë, sepse shteti duhet të veprojë me të gjitha levat e mjetet e tij në unitet, thuhet në deklaratën e KSHH.
KSHH nuk merr përsipër dhe nuk është kompetente për të përcaktuar rrugën dhe mjetet e procedimit në këtë situatë. Si gjithmonë ne respektojmë organet përkatëse dhe kompetencat me të cilat ato janë pajisur nga ligji, por dëshirojmë të theksojmë se shpejtësia e goditjes së veprimtarisë kriminale është një element i rëndësishëm për vënien e drejtësisë në vend, evitimin sa më shpejt të pasojave të shkaktuara dhe parandalimin e veprave të tjera kriminale. Ngadalësia në veprime nga ana e policisë së shtetit dhe prokurorisë, pa dyshim, krijon një situatë në favor të keqbërësve, i ndihmon ata të fshehin gjurmët e krimit, si dhe për evadimin e sasisë së bimëve narkotike që mund të jenë në ruajtje në banesat ose mjediset e tyre.