Anulojeni tenderin 100 milionë euro të Lotarisë, z. Berisha
Sali Berisha u përgjigj sot për skandalin e Lotarisë Kombëtare. Por unë jam i shokuar nga përgjigjja. Këta duan që çdo akt të padenjë, akt të dëmshëm për interesin publik, akt korruptiv, të na e imponojnë si normalitet, të pranueshëm, madje shembull!
Zyrtarisht është përgjigjur ministri i Financave dhe përgjigjet e tij meritojnë një tjetër përgjigje.
Së pari, ministri ka thënë sot se qeveria i ka besuar tërësisht konsulentit në këtë praktikë. Ky element i ri nuk e zhbën skandalin, por në mënyrë të qartë dëshmon për mungesën totale të transparencën në çdo hallkë të kësaj praktike. Kurrkush deri më sot nuk ka ditur se qeveria paska bërë tender për konsulentin, paska shpallur një fitues dhe se ky paska pasur të gjitha atributet që duhet ti ushtrojë shteti!
Së dyti, ministri ka thënë sot se qëllimi i qeverisë paska qenë kredibiliteti i praktikës dhe i fituesit të licencës së Lotarisë Kombëtare.
Në dy aspekte, duke e dhënë licencën te një kompani private, duke u interesuar për ndalimin e depërtimit të kapitaleve të pista!
Madje ministri i ka vënë përpara përvojave të vendeve të BE që këtë lotari e kanë mbajtur publike, ka thënë se bindja e tij ka qenë që Lotaria duhet të shkonte në duart e një kompanie private, sepse po të mbetej shtetërore, do të kishte akuza për korrupsion.
Logjika e ministrit është tërësisht e papranueshme.
Unë e di që kemi një qeveri pa kredibilitet apo me kredibilitet të rrënuar prej korrupsionit. Por, në një vend anëtar të NATO-s, kredibiliteti nuk vjen nga administrimi privat i Lotarisë Kombëtare.
Skandali dëshmon se kredibiliteti është cenuar edhe me nga një praktikë e tillë jotransparente dhe korruptive. Dëmi ka dy ditë që konsumohet.
Ne i qëndrojmë edhe më tej bindjes se ky monopol duhet ti mbetet shtetit duke adresuar qartë përfitimet prej tij në politika sociale.
Është e papranueshme që përfitimet nga kjo lotari ti shkojnë klientit të radhës të Sali Berishës.
Nga ana tjetër, deklarimi i ministrit se për qeverinë, pasi kanë përjashtuar shtetin nga përfitimet direkte të Lotarisë, nuk ishte prioritet çmimi, por ndalimi i depërtimit të kapitaleve të pista, është skandaloz.
Kuvendi ka miratuar ligje, prej tyre janë ngritur agjenci, me taksat e tyre shqiptarët paguajnë këto agjenci që të mbrojnë shtetin nga depërtimi i parave të pista.
Pra qeveria ka mundësi të plota ligjore të ndalojë kapitalet e pista dhe natyrisht të ftojë e të garantojë kapitalet e pastra si çmim tregu për të drejtat që tregton.
Nga tri mundësi, ta mbante Lotarinë shtetërore, ta tregtonte licencën në vlerën më të lartë të tregut, ta falte, qeveria zgjodhi ta përdorë atë për të qerasur klientin e bandës më të madhe të interesave pranë saj me një të drejtë monopol që kushton deri në 100 milionë euro.
Unë dua edhe njëherë ti thërras Sali Berishës: Anuloje tenderin. Tani! Je ende në kohë! Ktheja të drejtën dhe përfitimet e saj marramendëse prej saj shtetit.
