E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia që kemi shpikur

SINAN TAFAJ

Shqipëria feston njëqind vjet shtet. Prej këtyre, një të katërtën në demokraci. Demokracia shqiptare është sa mall importi, aq dhe një sistem të cilin shqiptarët e kanë ngritur vetë. Sukseset e sistemit tonë demokratik në të gjitha fushat e jetës dhe vdekjes i njohim po aq mirë sa edhe frikën e të përfunduarit në një spital apo në një varrezë shqiptare të kohës së demokracisë. Në të dyja rastet, e drejta e jetës dhe e sistemimit dinjitoz pas vdekjes blihen me para në dorë. Pa para nuk ka dinjitet. Por dinjiteti nuk ekzistonte as kur paratë nuk hynin në punë. Dinjiteti mungonte edhe gjatë diktaturës gjysmëshekullore, të cilën, me vetëkënaqësi të hidhur, e pagëzuam më të egrën në Europë.
Nëse diktatura shqiptare ishte e pashoqe në Europë, sot demokracia shqiptare nuk gëzon ndonjë popullaritet të madh as jashtë, as brenda vendit. Pas ndryshimeve demokratike, çerek shekulli tranzicion snënkupton asgjë të re. Jashtë Shqipërisë, demokracia shqiptare shihet si një dukuri që u përket shqiptarëve; në Shqipëri, demokracia shihet si diçka që ka lidhje me Europën. Kësisoj, pavarësisht pohimit se nuk ka alternativë ndaj demokracisë, mënyra më e mirë për ti larë duart me demokracinë shqiptare ka kohë që është gjetur si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj. Përmbysja e Shqipërisë diktatoriale në fillim të viteve 90 pasqyrohet në përmbysjen e Shqipërisë demokratike në fund të po atyre viteve. Në rastin e parë njerëzit kishin mbetur pa bukë. Në të dytin, pa para. Një dekadë pas ringjalljes me asistencë nga jashtë të kufomës së demokracisë shqiptare, një pjesë e popullsisë sheh se ashtu si më parë, buka dhe paratë nuk mjaftojnë për të jetuar me dinjitet. Dikush nuk i ka, dikush i vjedh, dikujt ia marrin, dikush druhet ti humbasë. Çka mbetet është pyetja: ku po na çon një çerek shekulli demokraci?
Në veprën Iluminime, Walter Benjamin përshkruan engjëllin e historisë, të mishëruar në veprën Angelus Novus të piktorit Paul Klee.
Fytyrën e ka të kthyer drejt së shkuarës. Aty ku ne pikasim një zinxhir ngjarjesh, engjëlli sheh një katastrofë të vetme që hedh gërmadha mbi rrënoja; dora-dorës ato ngrihen turrë para këmbëve të tij. Engjëlli do të donte të ndalte në vend, të zgjonte të vdekurit, të ndreqte çka është bërë copë. Por stuhia fryn nga parajsa; ajo hyn në flatrat e engjëllit me aq forcë, sa ai smund ti mbyllë më. E parezistueshme, ajo e shtyn engjëllin drejt së ardhmes së cilës i ka kthyer shpinën, ndërsa turra e rrënojave përpara syve të tij pushton qiellin. Stuhia quhet progres.
Vendi ynë e njeh progresin më pak se sa gërmadhat e lëna prej tij. Në pak vende të botës progresi ishte aq shkatërrimtar, sa në kopshtin shkëmbor të Adriatikut në këtë locus të paqenë që shndërrohet pa e kthyer kokën pas, nga një koncept gjeografik, në parajsën e arrorëve, në superfuqinë energjetike në Ballkan. Dinamizmi shqiptar ska vend për të shkuarën. Ai i fshin thelbin së sotmes, e shkuara dhe e ardhmja e tij lidhen nëpërmjet një zinxhiri të pakuptimtë shkatërrimesh. Kujtesa jonë afatshkurtër ndalet në Gërdec, mishërimin kolosal të progresit dinamik dhe dynamitard të Shqipërisë. Produkti efemer i këtij progresi është kalimi i shpeshtë nëpërmjet asgjësë. Trashëgimia e tij është hiçi. E ardhmja jonë e afërt lidhet me Piramidën, monumentin ultraluksoz prej mermeri të ngritur mbi varfërinë ekstreme të fundviteve 80. Askush nuk i pyeti shqiptarët nëse ajo duhej ngritur. Atë e ngriti progresi. Tridhjetë vjet më vonë, i njëjti progres po shemb Piramidën. Përsëri askush nuk i pyeti shqiptarët. Ata vazhdojnë të injorohen mbi rrënojat e progresit të tyre. Por tanimë kjo ndodh në kuadër të ndërtimit të institucioneve demokratike. Në emër të kombit. Me rastin e njëqindvjetorit të pavarësisë së tij. Në funksion të progresit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›