E Shtunë, 31 Tetor 2026

E pres sipas veshjes dhe e përcjell sipas mendjes

Nga Anxhela Peza*

anxhela pezaLarmishmëria e llojeve të veshjeve, vërshon gjithkund nëpër botë. Përpjekjet për veshje sa më të bukura, cilësore, të modës apo të stilit vetjak janë në vazhdueshmëri e sipër.

A vishemi ne sipas karakterit tonë? A personifikon mënyra e të veshurit llojin e tipit që na karakterizon?  Sa të paragjykuar ndihemi ne nga të tjerët për veshjen që bëjmë?                        Paraqitja jonë është një komunikim joverbal që ne zhvillojmë me të tjerët. Ndaj dhe interes të lartë përsa i përket veshjeve nuk është vetëm i stilistëve por edhe i psikologëve. Mënyra se si ne zgjedhim të vishemi korrespondon shpesh me qëndrimin tonë social, të shprehurit dhe të artikuluarit, gjithashtu dhe dashuria  që ne kemi për veten.

Të veshurit me kujdes tregon korrektësi, rregullsi, edukate vetjake për atë çka do të transmetosh tek të tjerët. Për ata njerëz të cilët janë të varur kundrejt tendencës së momentit kanë një personalitet të ndikueshëm dhe veshin rroba që nuk kanë një raport me personalitetin e tyre. Rezultojnë më të suksesshmit psikologjikisht më tendencën e modës ata persona të cilët ndjekim modën, por vënë dhe në përdorim krijimtarinë e tyre, ndjesitë subjektive, ngjashmëritë me karakterin, duke sjellë një lloj miksi të këndshëm për syrin.

Shumë nga veshjet nuk përputhem më karakterin, a duhet të jenë ato në koherencë bashkë? E duke marrë shkas nga kjo, mund të themi që shumë nga veshjet  që bëjmë, ne jemi  të detyruar siç është etika e veshjes në punë, apo në ngjarje të ndryshme në komunitetin që ne jetojmë. E udhës është që  të vishemi më shumë për veten, se sa për të tjerët, duke pasur kështu dhe një qetësi të mirë shpirtërore dhe psikologjike. Veshja zgjidhet gjithnjë në bazë të intelektit, trupit, dhe moshës që përfaqësojmë.

Teori dhe studime:

Disa studiues amerikanë kanë zhvilluar një studim duke i paraqitur njerëzve foto të personave që nuk i njihnin, dhe ata duhet ti përshkruanin atyre personalitetin në bazë të veshjes që ata kishin. Aty u vu re se individët përcaktoheshin me anë të veshjes dhe ajo ishte një rrugë e cila çonte drejt një njohje të përgjithshme. Ngjyrat janë ato që psikologët i kanë kategorizuar njerëzit në persona introvert dhe ekstravet. Ata të cilët përdorin veshje me ngjyra të mbyllura e të tokës janë tipa me karakter të mbyllur, relativisht të qetë, të vendosur, ndërsa personat të cilët veshin rroba të çelta, të ndezura janë më të hapur, dinamikë, impulsiv, ekspresiv.

Për mos thënë që çdo ngjyrë ka një karakteristikë personaliteti. Një psikologe klinike Jennifer Baumgartner, në SHBA publikoi një libër që zbulonte anë të ndryshme të karakterit nëpërmjet gardërobës që kishte individi. Ajo shpreh në atë libër se një dekolte e dukshme, është një shprehje e qartë e dëshirës për pushtet dhe tregon se femra që e mban ndihet e sigurt. Nga ana tjetër, vendosja e bizhuterive të shtrenjta dhe të shumta në pjesë të dukshme të trupit konsiderohet nga psikologia se shpesh herë është vetëm një tentativë për të fshehur probleme financiare apo forma të depresionit. Në libër, femrat që paraqiten në punë me këmisha të mbyllura deri në kopsën e fundit apo që përshtatin veshje burrërore, transmetojnë një lloj dobësie, ndërsa shprehin me veprime se qenia femër do të thotë dobësi, ndaj ato nuk duan të identifikohen me gjininë e tyre. Megjithatë, përfundimi më i çuditshëm i psikologes ishte se veshja me xhinse dhe bluzë të zakonshme, përgjithësisht fsheh ndjenja faji dhe paaftësi për të marrë përsipër përgjegjësi të një moshe më të rritur.

Theksoj se çdo gjë e jona si shija për tu veshur, për të ngrënë, sjelljet tona vijnë nga mënyra se si ne jemi edukuar, modelet që kemi zgjedhur për të imituar dhe ndjesitë tona të brendshme.

*Psikologe Këshillimi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›