E Shtunë, 31 Tetor 2026

15 vite pas vrasjes, Azem Hajdari prehet tek Varrezat e Dëshmorëve

Nga ceremonia e djeshme15 vjet pas vrasjes, Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Eshtrat e liderit të dhjetorit u zhvendosën dje nga varrezat e Sharrës drejt Varrezave të Dëshmorëve. Në homazhet e zhvilluara dje në ambientet e Pallatit të Kongreseve ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të politikës në vend, si Presidenti, Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryeministri, Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike njëherësh edhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Homazhe për Hajdarin kanë zhvilluar dje, edhe deputetët e maxhorancës, Pandeli Majko e Taulant Balla, një pjesë e kabinetit qeveritar si dhe disa prej ambasadorëve të akredituar në vendin tonë.

Ceremonia

Pas më shumë se dy orë homazhesh kortezhi i është drejtuar varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Në fjalën e rastit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vlerësoi figurën dhe kontributin e Hajdarit në Lëvizjen e Dhjetorit, ndërsa e cilësoi Azem Hajdarin si pasuesin e Rilindasëve të shquar. Azem Hajdari  pason rilindësit tanë më të shquar, për sa u takon vlerësimeve dhe nderimeve institucionale, sepse Lëvizja Demokratike e dhjetorit 1990 shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura  komuniste, fillimin e erës së re të demokracisë perëndimore. Kjo ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën Rilindja e vërtetë e Shqipërisë, pas dekadave të izolimit dhe robërisë, tha Basha. Më tej, Lulzim Basha tha se figura e Azem Hajdarit sot apelon për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. Vërtetë  ishte  themelues dhe drejtues i lartë i  Partisë  Demokratike, por  trashëgimia dhe testamenti  i tij politik u përkasin gjithë shqiptarëve, pa dallim partish, krahinash dhe fesh, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike.

Kiri Hajdari: Mirënjohje Berishës, Metës dhe Bashës

 Tre fëmijët e Azem Hajdarit dhe gruaja e tij, Fatmira ishin të pranishëm dje në ceremoninë e zhvendosjes së eshtrave të Azem Hajdarit nga varrezat e Sharrës drejt varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Në fjalën e tij, Kiri Hajdari, djali i madh i Azem Hajdarit shprehu falënderimin e tij për vlerësimin që ju bë babait të tij. Falenderoj në radhë të parë juve, doktor Berisha. Në të gjithë jetën tonë dhe të Azemit, keni qenë mishërues i dhimbjeve tona. Berisha, Ibrahim Rugova, Haradinajt dhe Jasharët e Kosovës na i keni bërë netët vetmitare të kalueshme dhe të prisnim mëngjeset me shpresa të reja, ashtu siç na është gjendur në momente të veçanta edhe Ilir Meta. Burrat e rritur në pozitën e Azemit, si presidenti Nishani e kanë dekoruar babain me Urdhërin e Flamurit. Është gjithashtu një emër i respektuar por do të duhej një dishepull politik shpirtëror, njerëzor si Lulzim Basha, të projektonte këtë lartësim sa prekëse nga ana njerëzore, aq edhe të nevojshme për ditët që kemi përpara, si vazhdimin e luftës së babait tonë, për liri dhe demokraci. Dua të kujtoj këtu, të paharrueshmin Besim Çera që dha jetën pranë babait tim. Ne, tre fëmijët e Azem Hajdarit, unë Azemi dhe Rudina, në mbështetje të nënës sonë Fatmirës do të përpiqemi të jemi së bashku, sa një Azem, u shpreh Kiri Hajdari.

 

Berisha: Azem ti je gjallë!

 Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri Berisha ka përkujtuar 15 vjetorin e vrasjes së Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Teksa vlerëson figurën e Hajdarit, Berisha e mbyll shkrimin e tij me frazën Azem ti je gjallë!. Të dashur miq, sot(dje) vendosëm në Varrezat e të Rënëve të Kombit, eshtrat e burrit të madh të kombit shqiptar, tribunit legjendar të lirive dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve, udhëheqësit të lëvizjes studentore të dhjetorit 90, themeluesit të PD, mikut tim të paharruar, Azem Hajdarit. Në krye të lëvizjes studentore në dhjetor të vitit 1990 Azemi gjunjëzoi diktaturën më të egër komuniste në Europë dhe bëri për lirinë e shqiptarëve të shtypur më shumë se kushdo tjetër në histori. Nder përjetë veprës së pavdekshme dhe kujtimit të ndritur të Azem Hajdarit! Azem ti je gjallë!, shkruan Berisha.

 

Meta: Të bëjmë realitet ëndrrën e Azem Hajdarit

 Homazhe për Azem Hajdarin zhvilloi dje edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. I shoqëruar edhe nga deputeti i LSI-së, Luan Rama, Meta zhvilloi homazhe para arkivolit të Hajdarit ndërsa la dhe mesazhin e tij në librin e kujtimeve. Sot (dje) është një ditë e rëndësishme, është një ditë homazhesh dhe kujtimi për simbolin e lëvizjes studentore të Dhjetorit, e cila ktheu faqen e Shqipërisë, përmes thirrjes: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, për ish-kolegun tonë Azem Hajdari, kujtimi i të cilit do të jetë i paharrueshëm. Është dhe një ditë angazhimi për të ardhmen për të plotësuar dhe ëndrrën e tij që Shqipëria të jetë si e gjithë Evropa dhe e gjithë gjeneratës që ai drejtoi për të ndryshuar faqen e Shqipërisë. Ai nuk e kurseu guximin, kurajën dhe vizionin e tij duke rrezikuar gjithçka. Jam i bindur se gjithë në të tjerët do të na duhet të tregojmë më shumë urtësi dhe përgjegjshmëri që ëndrra e tij dhe studentëve të dhjetorit të bëhet realitet që Shqipëria të bëhet anëtare e BE. I paharruar emri i tij. Është emër që kujton jo vetëm ndryshim epokal, por na kujton që këto sakrifica duhet ti respektojmë dhe ti çmojmë që ëndrrën e gjeneratës së tij ta përmbushim sa më shpejt, u shpreh Ilir Meta.

 

 Topi: Azemi dinte të bënte dhe trimin dhe diplomatin

Kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi e cilësoi figurën e Azem Hajdarit si më të guximshmen dhe më kurajozen, ndërsa shtoi se Hajdari dinte të bënte edhe diplomatin edhe trimin. Njeri shumë i guximshëm, njeri kurajoz, pa komplekse. Dinte të bënte dhe trimin dhe diplomatin. E përkujtoj me shumë mall dhe respekt dhe vlerësim. Ai do jetë në jetë të jetëve si një njeri që mbahet mend si njeri i papërlyer. Respekt për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar, tha Topi pas zhvilloi homazhet.

 

 Homazhet për Azem Hajdarin bashkojnë politikanët

 Homazhe për Azem Hajdarin zhvilluan dje edhe ministrat e rinj të qeverisë. Kështu, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi u përulën dje para trupit të Hajdarit. Edhe aleatët e PD-së, Fatmir Mediu dhe Agron Duka nga PR-ja, si dhe Nard Ndoka i PDK-së kanë kryer homazhe në kujtim të Azem Hajdarit. Figurën e tij e nderuan edhe deputetët e PD-së Astrit Patozi, Ridvan Bode, Genc Ruli, Sokol Olldashi, Jozefina Topalli etj. Ndërkohë pjesë e homazheve ishin edhe deputetët socialist, Pandeli Majko dhe Taulant Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›