E Shtunë, 31 Tetor 2026

E presin rrëfimin e Thaçit

Tri partitë politike PDK, LDK dhe AAK kërkojnë nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi që të vjen në Kuvend të Kosovës dhe të raportojë për takimin e dytë me kryeministrin serb, Ivica Daçiq. Vetëvendosje dhe AAK janë grindur se cila po i shërben më shumë Qeverisë. Ndërsa, AAK edhe njëherë ka shprehur gatishmërinë që të i bashkohet ekipit në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i ka besuar kryeministrit Thaçi në këto bisedime, duke shtuar se ai do t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Ne nuk kemi çka të komentojmë. Takimi mes të dy kryeministrave si dy shtete të pavarura, mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është vazhdimësi e takimit të kaluar dhe natyrisht kemi pas dhe do të kemi besim të plotë tek kryeministri Thaçi se do të përfaqësoj në mënyrën më të mirë mundshme shtetin e Kosovës, do të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës, të respektoj ligjet e Kosovës, në rastin konkret Kushtetutën e Republikës së Kosovës, gjithsesi edhe rezolutën e fundit, për çka edhe njëherë falënderoj opozitën”, ka theksuar Grabovci.

Ai ka kërkuar nga gazetarët që t’i referohen deklaratës së përfaqësues së Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, që sipas Grabovcit ajo e thotë shumë qartë dhe është në përputhje që e thotë kryeministri Thaçi.

Grabovci ka thënë se edhe për veriun ka çka të bisedohet me qëllim të krijimit të një klime sa më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në atë pjesë në Kosovës dhe largimin e grupeve kriminale në atë pjesë.

Nga ana tjetër, shefi GP të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se duhet së pari të vijë dhe të raportoj kryeministri Thaçi.

“Por, për mendimin tonë, ajo që duhet të ndodhë në ditët në vijim që zotëri Thaçi të raport në Kuvendin e Republikës së Kosovës se për çka është biseduar, sigurisht se ne nuk do të pyesim se çfarë ka ngrënë se nuk është shumë e rëndësishme, por për ato cilat kanë qenë temat dhe ka pas apo nuk ka pas rezultate konkrete. Mendoj se çdo qasje tjetër është spekulative të themi se çfarë është thënë sepse ne nuk jemi të informuar ajo çfarë është shkruar me gjithë respektin është shkrim i mediave”, ka theksuar Beqiri.

Për më tepër, ai ka shtuar se është e rëndësishme që të mbrohet shteti i ynë në bisedimet e tilla, të mbrohet sovraniteti që parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Për deklaratën e kryeparlamentarit, Krasniqi se opozita nuk kryen shërbime pa interes, Beqiri nuk ka dashur të komentojë.

“Është mirë me pyet zotërinë Krasniqi çka ka menduar. Por LDK as nuk shitet dhe as nuk blihet jemi pjesa më kreative e shtetndërtimit të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkaq deputeti i AAK-së, Burim Ramadani ka thënë se deri më tash informacionet janë marrë vetëm nga mediat.

I pyetur për akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje se opozita po i kryen shërbime Qeverisë, Ramadani ka thënë se është Vetëvendosje që po i shërben më shumë.

“Besoj se nëse dikush është duke i shërbyer Qeverisë është Vetëvendosja. Pikërisht për faktin se është duke u paraqit një frymë e cila i sulmon institucionet dhe kjo e forcon qeverinë me gjitha zhvillimet e tjera ndërkombëtare”, ka theksuar Ramadani.

Ndërkohë, për interesimin e nënkryetarit të AAK-së, Blerim Shala që të jetë pjesë e këtij dialogu, Ramadani ka qartësuar se nuk bëhet fjalë këtu për individë, por sipas tij, ky është vullnet i AAK-së.

“Duhet të qartësojmë një gjë nuk është Blerim Shala që po kërkon, por është aleanca që po kërkon të jetë pjesë e këtij procesi se besojmë se kemi ekspertizë dhe njohuri për të ndihmuar vendin dhe në të njëjtën kohë që ta mbrojmë pozicionin e Kosovës. Pra nuk bëhet fjalë për individë, por për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe ditën e djeshme është zhvilluar takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq, ku pas takimit të dy kryeministrat kanë deklaruar se janë rënë dakord që të implementohen marrëveshjet e arritura e në veçanti ajo e Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM).

Pas takimit të parë kryeministri, Thaçi ka shprehur gatishmërinë që të informojë deputetët e Kuvendit të Kosovës, prandaj mbetet të shihet a do të vazhdoj me këtë traditë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›