E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po punojmë për më shumë njohje

Qeveria e Republikës së Kosovës po bën punë të mirë në përpjekjet e saj për të marrë sa më shumë njohje. Natyrisht se kjo është punë e vështirë. Vendet që nuk kanë pasur hezitim ta njohin Republikën e Kosovës tashmë e kanë bërë atë. Puna tjetër mbetet të punohet me pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Këto deklarata i bëri ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Cliff në një konferencë për media gjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare “Germia Hill” e organizuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jan Cliff, ka thënë se është shumë i përkushtuar që të loboj sa më shumë që është e mundur, duke shfrytëzuar edhe ndikimin e Britanisë, që të ndikojë te ato shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ne dhe partnerët jemi në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në qasjen e saj diplomatike veçanërisht në çështjen e njohjes. Ne mendojmë se Kosova është duke bërë përpjekje të mëdha dhe nuk është e lehtë”, ka thënë ai.

Cliff ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke e kryer një punë të mirë në çështjen e njohjeve, duke shtuar se shpesh kritikat në këtë drejtim nuk kanë qenë edhe aq të drejta. Ai ka thënë se duhet të punohen më shumë me pesëshen e BE-së që ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës.

“Unë mendoj se qeverisa e Kosovës është duke bërë punë të mirë në këtë çështje. Mendoj se kritikat e mediave në raste kanë qenë të padrejta, por është e vështirë dhe një pjesë e përpjekjes është për të bindur shoqërinë civile në pesë vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë për t’u bërë më aktiv për të kuptuar se pse është e rëndësishme për të punuar me ato qeveri për të ndryshuar atë politikë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se ka zëra që mendojnë se pse puna e njohjeve po shkon ngadalë, por, sipas tij, përpjekjet në këtë drejtim janë duke vazhduar.

Sipas tij, një gjë duhet të mbahet në mend se vendet që do të njihnin Kosovën pa shumë vështirësi tashmë e kanë bërë këtë, kështu që, sipas tij, puna tjetër që duhet të bëhet është ajo me pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Ai ka shtuar se Britania dhe Qeveria e Kosovës janë duke punuar në këtë drejtim.

Ai, po ashtu, ka thënë se është duke punuar me vendet që janë pjesë e Commonwealth-it që të sigurohen më shumë njohje për Kosovën. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›