E sfidoj Zotin, si e ndërron montazhi kuptimin

Bellochio-Calvelli dje para takimit me studentet te "Marubi"
Valeria Dedaj
Regjisori italian Marco Bellocchio dhe montazhierja e filmit të tij Vincere (Të fitosh) Francesca Calvelli, mbajtën një leksion për rreth dy orë në Akademinë Marubi. Diskutimi i të dyve plugoi momentet kulminate të filmit nisur nga konstruksioni i montazhit. Kulmet në këtë rast flitet përkojnë me hapjen dhe mbylljen unazë të historisë. Pra 5 minutat e para dhe 5 minutat e fundit janë në gjendje ti kondensojnë rëndë dhe thellë 100 minutat e kapitujve të brendisë dhe zhvillimit të Vincere.
Mënyra sesi minutat hyrëse dhe aty mbyllëse ishin realizuar, kishin hasur kundërshti jo vetëm nga kritikë italianë, por siç pamë edhe dje, këto kundërshti kishin ekzistuar edhe ndërmjet regjisorit dhe montazhieres.
Pesë minutat e para të kapitullit Io sfido Dio, prezantojnë Musolinin e ri dhe ende socialist. Ida Dalser (Giovanna Mezzogiorno) e re dhe e bukur, magjepset nga ekstremizmi i Benitos. Ai sapo ka kërkuar një orë për të matur në dhjetë minuta një sfidë me Zotin. Rrufeja që nuk vjen është prova e tij që zoti nuk ekziston. Ajo ka goditur ndërkaq gruan e re që më pas do të bëhet bashkëshortja e tij sekrete.
Ndërsa pesë minutat e fundit janë mbuluar me pamje dokumentare të shkatërrimeve në masë që solli fashizmi, me një pamje të shkrirjes së bustit të Duçes, dhe pamjet fiction të Benito Albino Mussolinin, biri i mohuar, në çmendinë dhe përsëri rikthim në ato imazhe të fillimit ku Ida Dalser pra rrezatimin nga ai fjalim i parë politik i Benito Musolinit.
Regjisori pohoi se kanë ekzistuar dokumente që kanë dëshmuar se Ida Dalser ishte gruaja e parë e Musolinit por ato dokumente nuk u gjetën kurrë, dhe ajo së bashku me djalin, vdesin në çmendin. Bellochio donte që nëpërmjet montazhit të tregoja me fundin e Ida Dalserit, fundin e asaj çmendurie kolektive. Ndërsa montazhierja Calvelli tregon se regjisori në fillim nuk kishte qenë dakord që finalja ti kthehej takimit të parë të Idës me Beniton, sepse do duhej që ato portrete tanimë do duhej të rrezatonin katastrofën dhe jo entuziazmin e një përplasje zemrash e trupash të dashuruar. Por një gjë po konsolidohej: Vincere të fillonte me Unë sfidoj zotin dhe të mbyllej me pohimin që Zoti nuk ekziston.
I edukuar me kulturën e mjeshtërve të vjetër sovjetikë Dziga Vertov dhe Sergei Eisenstein, Bellocchio e shikon rolin e jashtëzakonshëm të montazhit pikërisht te domethënia e re që mund ti japë ai imazhit. Kështu edhe finalja që vjen te Vincere i jep një kuptim të ri pohimit unë e sfidoj Zotin, kuptimin që ai nuk ishte në gjendje të ndalonte katastrofën, tragjeditë e luftës. Regjisori ka perifrazuar interpretimin kundërthënës që i kanë bërë këtij pohimi disa vëzhgime nga krahu katolik në Itali, sikur Zoti të paskësh pritur 27 vjet që thënia e Musolinit të provohej. Nga i njëjti krah vjen edhe interpretimi se finalja e Vincere demonstron pikërisht se Zoti ekziston.
Por impostimi i diskutimit te ky dimension i religjionit vjen falë përdorimit ndryshe të një njëjtave imazhe nëpërmjet mjetit kinematografik të montazhit. Dhe për nivelin e lartë që ka arritur, Francesca Calvelli është vlerësuar me çmime.
Bellocchio pranon se Të fitosh është një film politik, por qëllimi i tij nuk ka qenë që të përsëriste filma mbi ngjarjet historike nën fashizmin dhe as një portret mbi diktatorin. Ai e quan të shteruar përpjekjen që ka bërë në këtë drejtim kinemaja italiane në vitet gjashtëdhjetë në mënyrën e saj realiste e pedante.
Unë isha i magjepsur nga kuraja ekstreme e një gruaje që luftoi e vetme deri në fund. Kërkoja një gjuhë epike-dramatike që protagoniste të ishte kjo grua, Ida Dalser që e projekton në thellësi figurën e Musolinit. Ndërkohë për realizimin e figurës së këtij të fundit, regjisori kishte në dorë gjithë lirinë e mundshme sepse për periudhën e hershme, prej vitit 1914, kohë kur zënë fill ngjarjet e Vincere deri e më 1922 kur Musolini mbërrin në Romë dhe nuk ndalet më, nuk ekzistojnë filmime të tij.
Rrugëtimi i artistit, për Bellocchion nuk mund të kuptohet pa kushtin e lirisë. Sa më i lirë të jetë një artist, aq më të vlefshme dhe edukative janë mesazhet e tij për njerëzimin.
Vincere u shfaq dje në Millenium në kuadër të Festivalit të Fimit Europian në Tiranë, 2-8 maj.
Sonte, regjisori italian zbret në Durrës ku do të tërheqë dy trofetë e Gladiatorit të Festivalit të Durrësit që Vincere i fitoi vitin e kaluar, për filmin më të mirë dhe për interpretimin më të mirë të rolit femëror nga Giovanna Mezzogiorno.
Bio
Marco Bellocchio (1939) e nisi karrierën në vitet 60, pas studimeve në Qendrën Eksperimentale Kinematografike në Romë. Më 1965 realizoi I pugni in tasca që është konsideruar një veprat e para më të mira në historinë e kinemasë. Dhe në vazhdim vepra që kanë hyrë në historinë e kinemasë italiane Nel nome del padre, Lora di religjione, Buongiorno Notte, Il fotografo di matrimoni, Sorelle mai. Vitin e kaluar, në Festivalin e 68-të të Venecias, ai u vlerësua me Luanin e Artë për Karrierën. Çmimi i bënte homazh një regjisori social, nga më të rëndësishmit e kinemasë bashkëkohore i cili gjithnjë ka kërkuar të shohë një mijë fytyrat e realitetit tonë.
Sonte, në Durrës
Sorelle Mai, Marco Bellocchio, 2010. Me: Letizia Bellocchio, Maria Luiza Bellocchio, Elena Bellocchio, Pier Giorgio Bellocchio. Sorelle Mai lind nga eksperienca e Marco Bellocchio-s në krye të kurseve të Fare Cinema-s në Bobio, qytet në rrethinat e Piaçenës ku regjisori ka lindur dhe ku më 1965 xhiroi filmin e tij të parë të gjatë artistik I pugni in tasa, që do ti jepte atij emër. I ndërtuar në gjashtë episode, filmi tregon bëmat e familjes Mai, duke u përqendruar te marrëdhënia mes Sarës, aktore e re në kërkim të suksesit, vajzës së tij Elena, më parë fëmijë dhe pastaj adoleshente, vëllait Giorgio dhe dy të afërmit. Në sfond shtëpia e familjes në Bobio, një hapësirë ndjellëse ku ndërthuren fatet e të gjithëve.
Filmi projektohet në prani të regjisorit, sonte, ora 19.00, në kinoteatrin Aleksandër Mosiu të Durrësit.
Për vendin tonë
Dy të ftuarit në Akademinë Marubi treguan shkurt se kur Shqipëria ndodhej nën regjimin komunist, ky vend u dukej i mistershëm, për shkak të izolimit të tij dhe të lidhjeve që kishte me të vetmin shtet Kinën. Kur në Itali i referoheshin Kinës, i referoheshin dhe Shqipërisë, derisa në një moment lidhjet mes tyre u shkëputën dhe Shqipëria ngeli vetëm. Bellocchio thotë që Shqipëria për mua ngelet një kuriozitet. Figura e diktatorit Enver Hoxha nuk më intereson pavarësisht se kishte dominuar për një kohë të gjatë një popull të tërë. Por kam interes të di mënyrën sesi Enver Hoxha vdiq fare qetësisht në shtratin e tij. Ndërsa Françeska thotë se Shqipëria për mua nuk është një vend i njohur, vetëm nga im atë. Kisha dëgjuar se ishte një vend në të cilin as mund të hyje, as nuk mund të dilje. Pavarësisht se ajo që e tronditi më vonë ishte eksodi masiv i shqiptarëve.