E Diel, 1 Nëntor 2026

Koleksioni i një panku nga Shqipëria e 1989-ës

Attila The Stockbroker para varrit te Enver Hoxhes, 1989

Artisti britanik Attila The Stockbroker prezanton në Tiranë kujtimet fotografike dhe koleksionin e relikteve që ai krijoi gjatë udhëtimit të tij në parë në Shqipëri në vitin 1989. Tirana Thrash quhet kjo copë shqiptare e rimarrë dy dekada më pas nga artisti dhe poeti kritik punk nga Britania e Madhe, Attila the Stockbroker. Prezantohet nga mbrëmë në Hapësirën e Artit Alternativ – Tirana Ekspres, në ish bllokun e magazinave të Trenit.

Në vitin 1989, John Baines i njohur me emrin e artit Atila, i infiltruar midis fansave të futbollit, arriti të siguronte një vizë hyrëse për në Shqipëri, më qëllim ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Anglisë dhe Shqipërisë. Ndërmjet shumë anekdotave dhe ngjarjeve të ndodhura në këtë udhëtim të veçantë, vizita e Atilës arriti kulmin me koncertin punk të paplanifikuar më parë, në ambientet e Hotel Dajtit, hotelit të famshëm në shërbim të turizmit të varfër. Atila i shoqëruar nga grupi muzikor i Hotel Dajtit, ndër të tjera interpretoi dhe këngë si Blitzkrieg Bop nga Ramones, duke e kthyer këtë ngjarje spontane në një nga performancat e para Punk në Tiranë.

Ai e rimori mbrëmë atë performancë i shoqëruar nga instrumentistët shqiptarë Ilir Kryekurti (perkursion) dhe Angjelin Toma (bas).

Ndërsa ekspozita përbëhet nga objekte si për shembull: fanella e futbollit e bërë me dorë nga vetë Atila në vitin 1989, fotografi dhe ekzemplare origjinale të Tirana Thrash, një revistë e fansave, e publikuar nga Atila gjatë viteve 80.

Përveç listës historike të këngëve të vitit 1989, Atila performoi për herë të parë mbrëmë  dhe një përzgjedhje të poezive sureale, të cilat i referohen Shqipërisë nën regjimin e Enver Hoxhës. Toni i fortë satirik, është një karakteristikë për përqasjen e veçantë të Atilës kundrejt çështjeve politike që ishin të rëndësishme për lëvizjen e Pankut Britanik të viteve 80.

Sipas kuratorëve të projektit Tirana Thrash nuk kërkon të riprodhojë atë që ka ndodhur në të vërtetë në vitin 1989, por ofron bazën e nevojshme për të shndërruar një ngjarje historik në përfshirjen e artistit dhe publikut. Nënkupton idenë e ndryshimit që mund të sjellë ripërsëritja për të krijuar diçka të re.

Tirana Thrash është një projekt i Tirana Art Lab – Qendër për Artin Bashkëkohor, i kuruar nga Sonja Lau, me mbështetjen e Fondacionit Robert Bosch.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›