E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shoh suksesin në mënyrën time

Që nga kërkimi i saj publik për një bashkëshort, te tentativat për të vrarë veten, shtrimi në spital dhe bëma të tjera…këngëtarja irlandeze ka kaluar vite të turbullta madje edhe për standardet e saj. Por albumi i saj i ri është një album me gëzim, me forcë dhe ndër më të suksesshmit që ka nxjerrë që prej shumë vitesh.

Vizitorët në sajtin e Sinead përballen me mesazhin: “Ky sajt përmban tema për të rritur dhe është për moshën mbi 18 vjeç” dhe një foto të këngëtares. Ajo aty është tërësisht e zhveshur dhe pjesët intime të saj mbulohen vetëm nga një kitarë akustike. Në fakt nuk mund të presësh gjë tjetër nga një artiste ekstravagante e përmasave të Sinead. Ajo i ka kaluar 25 vitet e fundit duke kërkuar brenda vetes. Nuk ka kërkuar kurrë që të tërheqë vëmendjen me asgjë të sajën, ndërkohë i ka lejuar vetes kapriçio që mund t’i kenë kushtuar shumë shtrenjtë dhe sot ajo e di mirë koston e tyre.

Së fundi ajo ka shprehur dhe treguar një forcë dhe guxim të madh ndërkohë që disa mund ta quajnë edhe kapriçio. Ajo është duke publikuar dhe promovuar albumin e saj të parë në këto 5 vitet e fundit: “How about I be me (and you be you)?” Por ndërkohë kjo ngjarje është nisur nga ndodhitë e jetës së saj personale.

Që nga vera e kaluar jeta e saj ka shkuar pak a shumë kështu: në gusht ajo doli në internet duke deklaruar se ishte në kërkim të një të dashuri. Shumë shpejt e gjeti një dhe vendosi që të martohej me të, por menjëherë pas ceremonisë u nda dhe u ribashkua brenda një kohe shumë të shkurtër. Më pas pati një tentativë vetëvrasjeje, u shtrua në spital nga depresioni bipolar.

Ky është pak a shumë përshkrimi i jetës së saj të 6 muajve të fundit. Një jetë e ngjeshur me shumë ngjarje kulmore herë tragjike dhe herë të gëzuara, por shumë intensive. Dhe jo vetëm për të, por edhe për bashkëshortin e saj të ri, Barry Herridge, një terapist të punësuar nga qeveria britanike për të këshilluar të rinjtë në lidhje me pasojat e përdorimit të substancave abuzive. Por a ja ka thënë ndokush këngëtares se ajo është e guximshme? Se është e guximshme deri në çmenduri? Këtë ndjenjë ajo e ka shprehur edhe në këngën e saj të re që përfshihet në album: “Ujku po martohet”.

Kësaj pyetjeje ajo i përgjigjet që përgjithësisht gjatë gjithë karrierës dhe jetës së saj ajo është paragjykuar dhe keqkuptuar nga media, por edhe njerëzit në përgjithësi. Së fundi, ajo ka përdorur sajtin e saj për të shprehur ndjenjat e vërteta dhe shpesh komentet janë të çuditshme. Shpesh e trajtojnë si “të çmendur”. Kjo e hidhëron jo pak. Por ndërkohë, kur është e lumtur ajo shkruan si një rreze dielli, plot dritë e ndriçim. Në një artikull të fundit për shembull të shkruar në një gazetë irlandeze:

“The irish independent”, ajo rrëfen se çfarë pret nga një burrë. Janë momente sinqeriteti, të cilat rrëfejnë thellësinë dhe problematikën e shpirtit të kësaj këngëtareje që ka prekur lavdinë më të madhe dhe vuajtjen më të madhe në të njëjtën kohë. Ajo është një qenie që ka nevojë në mënyrë të vazhdueshme të shprehë vetveten. Ta bëjë këtë në mënyra nga më të ndryshmet dhe me mjete të ndryshme. Është tashmë shumë e qartë që ajo merr shumë fuqi pikërisht nga paraqitja e ndjenjave të saj në publik, dhe kjo pavarësisht se çfarë ndjenjash janë dhe cilat mund të jenë pasojat e tyre. Në këtë moment ajo është në mesin e një sherri me një revistë amerikane në lidhje me një intervistë që i është keqkuptuar dhe keqinterpretuar dhe keqshkruar.

Ata që e kanë dashur shumë këngëtaren e famshme 20 vjet të shkuara nëse do ta dëgjojnë tani do të kuptojnë se zëri mund të ketë ndryshuar, por jo timbri dhe energjia e brendshme me të cilën ajo këndon, që janë diçka e jashtëzakonshme dhe të emocionojnë gjithmonë. Kënga e fundit e albumit të fundit të saj është një himn i vërtetë dhe titullohet “Vip” dhe është një nga këngët më të jashtëzakonshme që këngëtarja ka incizuar ndonjëherë.

Nëse do të bëjë, apo jo para me këtë këngë, O’Connor nuk do t’ia dijë për sa kohë që është e lumtur dhe ndihet se ka dhënë më të mirën e vetvetes. Ajo pësoi një ndryshim në tërë karrierën e saj kur në një intervistë televizive në vitin 1992 grisi fotografinë e Papës publikisht. Ndërsa për këngëtaren ajo çka është e rëndësishme jo vetëm në suksesin e muzikës, apo artit, por mbi të gjitha për sa i përket suksesit në jetë është “të jesh vetvetja”.

Ajo thotë se nuk ka nevojë për miliona dollarë për të qenë e lumtur. Thotë se mund të këndojë në rrugë dhe të fitojë sa për të paguar faturat dhe të jetë mirë gjithsesi. Kjo sipas saj është arsyeja se përse e grisi foton e Papës, sepse në atë kohë ndihej mirë dhe e lirë. Ndihej se nuk kontrollohej nga askush, për më tepër nga ndonjë burrë pasanik dhe me ‘penis të vogël’, siç thotë ajo që t’i merrte energjinë dhe t’i kontrollonte jetën në këmbim të pagesës së faturave.

Në albumin e saj të fundit meshkujt janë një figurë qendrore, por sipas këndvështrimit të saj albumi i dedikohet vëllait të saj shkrimtar, Joseph, dhe ish të dashurit e babait të fëmijës së saj më të vogël, Frank Bonadio, me të cilin duket se ajo ka marrëdhënie shumë të mira dhe miqësore. Ka këngë të tjera te të cilat shprehet se është e dashuruar çmendurisht duke folur për ekstazën e dashurisë. Në një këngë tjetër flet për përgatitjet e dasmave.

Ndërkohë, jashtë muzikës ajo është duke drejtuar një fushatë për mbajtjen e përgjegjësisë nga priftërinjtë katolikë për abuzimet me të miturit që kanë bërë në vite. Këtë qëndrim e ka shprehur edhe në këngë. E megjithatë duhet thënë se edhe për këtë këngëtare, pas një periudhe të vështirë, duket se dielli ka dalë përsëri dhe se pjesa më e madhe e këngëve janë të gëzuara dhe plot dashuri dhe janë pikërisht ato që të mbeten në memorie dhe jo këngët e trishtuara në të cilat flitet për probleme.

Kur i dëgjon ato duket sikur turbullirat e muajve të shkuar janë zhdukur për t’ia lënë vendin diellit të pranverës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›