E shpëtoi baleti

Michaela DePrince (17), nga Sierra Leone, është një bonjake, babanë e së cilës e vranë rebelët e armatosur, përderisa e ëma i vdiq nga uria. Për shkak se vuante nga një sëmundje e lëkurës, atë në jetimore e quanin “fëmija i djallit”. Kohë më parë Michaela debutoi në balet, në Teatrin Joburg, në Afrikën Jugore. Rrugëtimi që bëri ndërkohë ngjan në një rrëfim filmik.
Derisa në Sierra Leone po zhvillohej lufta e pistë qytetare Micahela, e cila asokohe quhej Mabinti Bangura, para dyerve të jetimores ku jetonte pa diçka që i ngjau në një vizion nga ndonjë botë tjetër. Një revistë me fotografinë e një balerine.
“Ajo dukej aq e bukur dhe aq e lumtur, saqë e preva fotografinë dhe pastaj e fsheha brenda ndërresave të mia. E shikoja për çdo natë, dhe ëndërroja që të dukesha ai ajo”, tregon Michaela gjatë intervistës për gazetën britanike ‘The Guardian’.
Por vajzën, babanë e së cilës e kishin vrarë rebelët kur ishte vetëm trevjeçare dhe së cilës nëna dhe vëllezërit i kishin vdekur nga uria dhe Sida, para se dajët ta dërgonin në jetimore - ku ajo mund të ushqehej, e prisnin edhe shumë ditë tjera të vështira. Gjatë asaj kohe, për shkak se vuante nga sëmundja e lëkurës që njihet si vitiligo, në jetimore e quajtën “fëmija i djallit”. Mbase për këtë shkak, ajo gjithnjë radhitej e fundit në radhën për ushqim. Por, ishte fotografia e vlefshme e balerinës ajo që e mbushte forcë për të vazhduar tutje.
“Isha vazhdimisht e uritur. Nuk e di fare si arrita të mbijetojë”, tregon Michaela.
Jeta a re në Amerikë
E vetmja edukatore që e donte Michaela’n, e cila mundohej me shpirt që vajza të mos vdiste nga uria dhe që ta mësonte diçka, po ashtu u vra nga rebelët. Ishte në muajt e fundit të shtatzënisë.
Megjithatë, Michaela arriti që në jetimore të bënte edhe një shoqe tjetër të mirë, shoqen jetësore Mia’n, e cila më vonë u bë dhe motër e saj e adoptuar.
Pasi që u bombardua jetimorja, vajzat u dërguan në nj kamp refugjatësh, që ndodhej disa kilometra larg. Në vitin 1999, nga New Jersey në kamp erdhi çifti bashkëshortor Charles dhe Elaine DePrince, me qëllim të adoptimit të një fëmije. E zgjodhën Mia’n. Por, kur përgjegjësit e kampit treguan se Michaela mbase s’do të mund të gjejë kurrë një familje, vendosën ta adoptonin edhe atë. E, pas saj, edhe vajzën e tretë, Mariel.
Michaela ishte katërvjeçare.
Adoptimi me vete solli edhe një emër të ri për të, megjithëse edhe vetë shkruaja në SHBA ishte diçka krejt e jashtëzakonshme.
"Në të vërtetë, isha e tmerruar. Absolutisht e tmerruar. Kurrë më parë s’kisha parë aq shumë njerëz të bardhë; më dukeshin si jashtëtokësorë. Por, ndërkohë u njoha më mirë me nënën time... e cila sillej me mua për mrekulli”, tregon ajo, derisa kujton edhe një episod interesant që ndikoi shumë në të ardhmen e saj.
“Po ia kontrolloja nënës çantën e saj, sepse mendoja që atje të gjithë mbathin pantofla baleti dhe se ato vazhdimisht i mbajnë me vete. Kur më pyeti se çfarë po kërkoja, ia tregova fotografinë që e ruaja”, kujton Michaela. Nënës i tha se dëshironte të bëhet si ajo, ose s’do të bëhej gjë tjetër.
“Mirë, por duhet edhe të ushtrosh shumë”, ishte përgjigja që mori nga nëna e re.
“Ushtrova shumë, kështu arrita këtu ku jam sot”, thotë Michaela, e cila, falë përkrahjes së prindërve, ndërkohë mbaroi Shkollën e Baletit Jacqueline Kennedy Onassis, të Teatrit Amerikan të Baletit, në New York. Muajin e ardhshëm do të fillojë të punojë në Dance Theatre, në Harlem. Paraprakisht, Michaela u shfaq edhe në një film dokumentar dhe performoi në emisionin televiziv ‘Dancing With the Stars’.
Por, në kohën sa po përpiqej ‘të kapte’ ndonjë rol të madh në balet pengesë doli të ishte ngjyra e lëkurës së saj. Amerika sikur ende s’është e gatshme të pranojë një balerinë të zezë në rolin e Maria’s, në shfaqjen “The Nutcracker” (Arrëthyesja), kështu që debutimin e saj në balet e realizoi në Amerikën Jugore. Për këtë vajzë të guximshme, që kaloi mbi aq shumë pengesa e telashe, ky është problem i vogël, sepse është e vendosur të mos i pranojë stereotipet që në balet lidhen me ngjyrën e saj të lëkurës.
Ka dëshirë që luaj rolet kryesore në “Liqenin e Mjellmave”, “Bukuroshen e Fjetur” dhe në “Romeo e Xhulieta”. Kush e di ndoshta një ditë kthehet në Sierra Leona, dhe atje hapë një shkollë baleti...