E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyesit e simetrisë

Dekonstruktivistët thyen simetrinë dhe ndërprenë traditën. Ata, njëkohësisht, po ndërtojnë objektet më prestigjioze dhe më të shtrenjta në botë, duke shtyrë përpara një arkitekturë që provokon.

Dueti arkitektonik, Wolfgang Prix dhe Helmut Swiczinsky, urren simetrinë dhe vijat e parashikueshme. Dy austriakët njihen si Coop Himmelb(l)au. Këta dy dekonstruktivistë patën thënë njëherë se dëshirojnë “të ndërtojnë një qiell të ri”. Për ta, arkitektura duhet të jetë e aplikueshme, njësoj sikurse retë në qiell. Mbase nuk është e rastësishme që Prix ndërtesat e tij i krahason me këngën e Rolling Stones “Get Off of My Cloud” (Zbrit nga Reja Ime).

Ndërtimi i një qielli të ri

Prix aktualisht ndodhet në një kantier gjigant ndërtimi, në një vend pune për 2,500 njerëz nga afro 30 shtete. Aty po lind ndërtesa me një aurë dhe fuqi të pabesueshme simbolike; ndërtesa e re e Bankës Qendrore Evropiane (ECB), në Frankfurt. Lartësia e saj do të jetë 220 metra, ndërsa vetë kantieri konsiderohet më i rëndësishmi në Gjermani.

Projekti ideor i Coop Himmelb(l)au fitoi në konkursin publik të vitit 2004 për ndërtimin e ndërtesës së ECB. Objekti do të ketë 45 kate në pirgun jugor dhe 45 në atë verior. Dhe, edhe pse euro po vazhdon të bie, pirgjet e Prix dhe Swiczinsky po ngriten drejt qiellit. Krejt kjo ngre pyetjen se çfarë ka mbetur nga sensacioni i dekonstruktivizmit? Ose, ku janë heronjtë e kësaj mënyre të re të ndërtimit?

Vetë termi “dekonstruktivizëm“ në arkitekturë u bë i njohur falë një ekspozite të arkitektit amerikan, Philip Johnson, në vitin 1988. Ndërtesat dekonstruktiviste janë tejet të komplikuara statikisht, dhe duken sikur do të rrënohen nga çasti në çast. Dyert, shtyllat dhe dritaret nuk duhet që domodoshmërisht t’i shërbejnë qëllimit, por kanë një funksion të veçantë estetik.

Dekonstruktivizmi pra thyen formën, ndërkaq karakteristika kryesore të tij janë vijat josimetrike dhe ekspresive. Gjithçka kthehet mbrapsht. Zhuken kufijtë e asaj që është lartë dhe asaj që është poshtë, të interierit dhe eksterierit. Një revolucion në ndërtim.

Fuqia e një femre

Prandaj, mbase nuk habitë fakti që një nga figurat kryesore të dekonstruktivizmit është arkitekte. Quhet Zaha Hadid, ka prejardhje britaniko-irakiane, dhe në vitin 294 është nderuar me çmimin prestigjioz të arkitekturës, Pritzker Prize.

Për ndërtesat e saj duket sikur vlejnë ligjet e gravitacionit, ndërkaq hapësirat brenda tyre i lënë pa frymë kritikët dhe ndërtuesit e gjithë botës. Veç kësaj, ka vite që shumëkush vetëm kënaqet me disa nga projektet e saj, sepse ende askush s’ka guxim të fillojë t’i ndërtojë. Hadid aktualisht mbetet e preferuara e porositësve të pasur, posaçërisht e atyre nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Bëhet këtu fjalë për objekte nga ana tjetër e avangardës.

Efekti Bilbao

Museo Guggenheim Bilbao, i arkitektit Frank Gehry, është hapur më 1997, dhe sot konsiderohet ndër muzetë më të vizituar. Qindra-mijëra njerëz e vizitojnë për vjet kryeqytetin bask. Këtë gjë ekspertët e emërtuan ‘Efekti Bilbao’, sepse muzeu që konsiderohet një kthesë në arkitekturë, e ndryshoi gjithë provincën.

Pra, dekonstruktivistët tashmë janë pjesë e pandashme e kremit arkitekturor, e ndërtesat e tyre cilësohen si “architainment” - një lidhje e kapitalizmit, fuqisë dhe arkitekturës. Mbetet pikëpyetje se sa shpejt do të ngopemi me dekonstruktivizëm, sa ka shpirt revolucionar në ato ndërtesa, dhe a shërbejnë ato vetëm për promovimin e një qyteti apo shteti?

Në këtë kontekst, shtrohet pyetja se çfarë mund të thotë për ardhmen tonë, por edhe për frikët dhe kizën e euros, ndërtesa e re e ECB?

Pa dilema pa dyshim që janë të arsyeshme, megjithëse për dikë-dikë ne duhet pasur parasysh se një ndërtesë duhet të mbetet estetikisht e qëndrueshme edhe pas disa dekadave.

Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: me idetë e tyre të pazakonta, dekonstruktivistët dikur thyenin monotoninë në arkitekturë. Ata përfaqësonin një shpirt të ri dhe optimist, ndërkohë që botës i dhuruan disa ndërtesa vërtet interesante. Megjithëse, sot nuk ka mbetur edhe aq shumë nga vullneti i tyre rebelues.

DW

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›