E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania s’do ta ndryshojë vendimin e saj për njohjen e Kosovës

(E plotësuar) Ministri britanik për Evropën, David Lidington, është takuar të mërkurën në Mitrovicë me sekretarin shtetëror të Ministrisë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq.

Sipas burimeve serbe, Ivanoviq e ka informuar ministrin Lidington për situatën në veri të Kosovës.

Lidington ka thënë se Britania nuk do ta ndryshojë vendimin e saj për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Nga ana e tij, Ivanoviq ka shprehur bindjen se pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë muajin e ardhshëm në Hagë, “do të hapet mundësia për një rund të ri të bisedimeve për statusin e Kosovës”.

Ministri britanik për Evropën, David Lidington, gjatë vizitës së tij dyditëshe, do të takohet nesër edhe me zyrtarët më të lartë të Kosovës.

Britania me fokus të ri drejt Ballkanit

Qeveria e re britanike thotë se do të vërë një theks të veçantë në politikën e saj ndaj Ballkanit, për "ta kthyer në binarë" këtë rajon.

Këtë e tha për BBC-në ministri britanik për Evropën, David Lidington, i cili ka vizituar Maqedoninë dhe shkon edhe në Kosovë, vizita e parë në rajon e një zyrtari të lartë britanik pas vendosjes së qeverisë së re të aleancës konservatore e liberaldemokrate.

Lidington vuri në dukje se pavarësia e Kosovës nuk ka kthim mbrapa duke thënë se Prishtina e Beogradi nuk mund të bisedojnë për statusin, por duhet të mësojnë të jetojnë si dy vende fqinj.

Pas takimeve me zyrtarët më të lartë maqedonas ai ka inkurajuar vazhdimin e reformave, sidomos në gjyqësor dhe administratë, dhe gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e emrit.

Mesazh të ngjashëm pati zoti Lidington për Shqipërinë, duke thënë se Britania dëshiron të shohë atje "stabilitet politik, demokraci funksionale, zbatimin e ligjit, gjyqësor të pavarur, media të lira".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›