Nuk zmbrapsemi
Status quo-ja në veri tashmë ka ndryshuar dhe nuk do të ketë kthim mbrapa.
EULEX shkeli mandatin e vet. Kjo qasje duhet të ndryshojë menjëherë.
KFOR’i ka luajtur një rol shumë pozitiv. Në ditët në vijim, Qeveria do të riparojë Pikën 1 dhe aty do të kthehen oficerët e Policisë Kufitare të Kosovës së bashku me doganierët.
Këshilltari kryesor i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, flet për Express.
Express: Aksioni i Policisë së Kosovës a është bërë me konsultime paraprake me faktorin ndërkombëtar?
B. Çollaku: Faktori ndërkombëtar në Kosovës është pjesë e rëndësishme e lirisë dhe e shtetndërtimit tonë. Kosova dhe qytetarët e saj i mbeten përherë mirënjohës ndihmës dhënë nga bashkësia ndërkombëtare. Veprimet e fundit për vendosjen e rëndit në veri të vendit natyrisht se nuk janë bërë pa i vënë në dijeni autoritetet relevante ndërkombëtare në Kosovë. Në këtë aspekt, vlen të përmendet ndihma dhe roli shumë pozitiv që ka luajtur KFOR’i në vendosjen e situatës nën kontroll.
Express: Si e komentoni refuzimin e EULEX’it për bashkëpunim me Policinë e Kosovës në veri?
B. Çollaku: Mungesa e përkrahjes së EULEX’it për operacionet e Policisë së Kosovës në përpjekje për vendosjen e rëndit dhe ligjit në veri të vendit, është vërtet për të ardhur keq. Ky hezitim, apo kjo qasje refuzuese, përveç që bie në kundërshtim me vetë mandatin e misionit të EULEX’it për sundim të rendit dhe ligjit, dërgon edhe një mesazh shumë të keq, sepse në mënyrë indirekte shërben si faktor nxitës që grupet kriminale dhe mafioze të veprojnë pa frikë aktivitet e tyre kriminale në veri të vendit. Kjo qasje duhet të ndryshoj menjëherë në rast se EULEX është vërtet i interesuar që të ndihmojë autoritetet e Republikës së Kosovës përgjegjëse për rend dhe ligj. EULEX’i nuk mund që të përdorë forcë enorme policore për bastisjen e një lokacioni në qendër të Prishtinës, ndërsa të lërë në mëshirë të bandave kriminale pikën 1 dhe 31. Unë jam i sigurt se EULEX’i do të nxjerrë shumë mësime nga ndodhitë e fundit.
Express: Të hënën kur ka filluar aksioni, në afërsi të Leposaviqit është vendosur barrikada duke lënë të kuptohet që plani i Policisë së Kosovës është dekonspiruar nga dikush?
B. Çollaku: Rreziku i rrjedhjes së informacionit të klasifikuar në ndërmarrjen e operacioneve të natyrës së tillë ekziston edhe në shtetet që kanë sistem shumë më të avancuar të institucioneve të sigurisë krahasuar me Kosovën. Në rastin tonë, rreziku i rrjedhjes së informacionit është edhe me i lartë për shkak të mungesës adekuate të mbrojtjes së komunikimeve nga përgjimet e shumta që bëhen në vendin tonë. Për më tepër, nuk duhet të harrojmë se për fat të keq, në kuadër të Policisë së Kosovës ende ka disa pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët bashkëpunojnë ngushtë me strukturat paralele të Serbisë, të cilat veprojnë në Kosovë. Padyshim që Policia e Kosovës dhe Agjencia Inteligjente e Kosovës në ditët në vijim do të merren me këtë çështje dhe si rrjedhojë do të ndërmerren veprime konkrete për të identifikuar të infiltruarit e strukturave paralele në Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera. Masat e tilla janë të domosdoshme.
Express: Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se nuk do të ketë kthim mbrapa nga vendimi për vënie të ligjshmërisë në veri. A do të vazhdoni shtrirjen e autoritetit atje edhe pas funksionalizimit të doganave? A do të hapen gjykatat dhe institucionet e tjera shtetërore?
B. Çollaku: Natyrisht, konsideroj se duhet të jetë një rrjedhojë logjike e veprimeve që do të pasojnë. Veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës synojnë dhënien fund të kontrabandës, krimit të organizuar dhe cenimit të vazhdueshëm të sovranitetit shtetëror të Kosovës nga ana e strukturave kriminale paralele të Serbisë. Për më tepër, funksionimi normal dhe i papenguar i organeve të sundimit të rendit dhe ligjit, duke përfshirë punën e gjykatës , janë thelbësore për normalizimin e situatës në veri të vendit. Gjendja që ka ekzistuar në veri të vendit, ka qenë ajo e sundimit të krimit, kontrabandës, korrupsionit dhe e cenimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Kjo ka qenë status-quoja e deritanishme, e cila për ne ka qenë gjithmonë e papranueshme. Kjo status quo tashmë ka ndryshuar dhe nuk do të ketë kthim mbrapa.
Express: Çfarë do të ndodhë tani kur pika 1 në Jarinje është djegur, ndërsa pika tjetër 31 po ruhet nga KFOR’i?
B. Çollaku: Pika 1 është djegur dhe dëmtuar në masë të madhe, ndërsa pika 31 është mbrojtur nga forcat e KFOR’it dhe ato të Policisë së Kosovës. Në ndërkohë, forcat e KFOR’it dhe Policia e Kosovës kanë mbajtur kontrollin në pikën 31, ndërsa pika 1 është rimarrë nga forcat e KFOR’it dhe aktualisht është mbyllur për qarkullim. Në ditët në vijim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të riparuar logjistikën e dëmtuar në pikën 1, me qëllim që aty të dërgohen përsëri oficerët e Policisë Kufitare të Kosovës së bashku me doganierët. Në pikën kufitare 31, Policia Kufitare e Kosovës së bashku me doganierët tanë janë duke kryer punën e tyre, ndërsa KFOR’i është duke ofruar siguri.
Express: Si e vlerësoni qëndrimin e Qeverisë së Serbisë gjatë këtyre zhvillimeve në veri?
B. Çollaku: Fatkeqësisht, qëndrimi dhe qasja e Serbisë gjatë këtyre zhvillimeve është e njëjtë me atë të shekullit të kaluar. Vetëm ka ndryshuar formën dhe mjetet për shkak të rrethanave të reja në Kosovë. Tani Serbia nuk mund të dërgojë tanke dhe mjete tjera ushtarake e policore për të vrarë popullsinë e pafajshme, por në vend të kësaj ka dërguar paramilitarë dhe mercenarë, të cilët ushtrojnë dhunë, kontrabandë dhe herë-herë vrasin pjesëtarë të Policisë së Kosovës siç bënë në rastin e fundit. Kjo është qasja e Serbisë përpara së cilës për momentin një pjesë e caktuar e bashkësisë ndërkombëtare po provon t’i mbyllë sytë. Kjo qasje e papranueshme është demaskuar edhe me veprimet e fundit të Serbisë. Në kohët e sotme është papjekuri politike që në mëngjes të aprovosh heshtur një veprim kriminal për djegien e pikave kufitare në pikën 1 dhe 31, ndërsa në orët e pasdites t’i dënosh publikisht ato veprime dhe të kërkosh nga Këshilli i Sigurimit i OKB’së mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën në Kosovë. Këto veprime naive dhe të papjekura politike në ditët e sotme i bën vetëm Serbia, e cila pretendon se mund të gënjejë tërë botën, duke e ditur njëkohësisht se pjesa dërmuese e bashkësisë ndërkombëtare është e pranishme në Kosovë. Kështu, me veprimet e tanishme, Serbia nuk është duke dhënë shpresë se në të ardhmen mund të adaptojë një qasje normale, civilizuese të vlerave perëndimore në raport me Kosovën.
Express: Pas refuzimit të EULEX’it për ligjshmëri në veri, por edhe për shkak pakënaqësive të gjithanshme me të, a është koha që të rishikohet statusi i këtij misioni në Kosovë dhe bashkëpunimi me të?
B. Çollaku: Padyshim se EULEX’i duhet të nxjerrë mësimet e nevojshme nga rrethanat e reja të krijuara në Kosovë. Ne e dimë se sa kohë i është dashur këtij misioni që të shtrihet në Kosovë. Pastaj i është dashur shumë kohë të dëshmojë se ka filluar të japë rezultate në punë. Ndoshta natyra komplekse e misioneve të tilla ndikon në mosefikasitetin e arritjes së rezultateve, por kjo nuk mund të përdoret si justifikim. Qeveria e Republikës së Kosovës ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me këtë mision me qëllim që të arrihen rezultate pozitive në fushën e sundimit të ligjit. Mirëpo, me ngritjen e kapaciteteve tona, roli i EULEX’it duhet gjithashtu të zvogëlohet dhe transformohet. Në ndërkohë, ftesa zyrtare e bërë nga institucionet e Kosovës për misionin e EULEX’it mbetet ende valide. Prandaj, i mbetet EULEX’it që me punën e tij në përkrahje të institucioneve tona të sundimit të renit dhe ligjit ta arsyetojë prezencën e tij në Kosovë dhe paratë e taksapagueseve të shteteve kontribuuese të këtij misioni. Puna e tyre është e nevojshme në tërë territorin e Kosovës, ndërsa më së shumti aty ku ka mungesë totale të rendit dhe ligjit. E kjo është pikërisht pjesa veriore, aty ku deri më tani EULEX’i ka dështuar të bëjë punën e vet. Dua të besoj, në rrethanat aktuale, EULEX’i do të reflektojë dhe do ta kuptojë se janë duke vepruar në një shtet të pavarur, në një shtet ku ka zot shtëpie dhe se Kosova nuk është toka e askujt.
Express: Pse u shkarkua drejtori i Policisë, Reshat Maliqi?
B. Çollaku: Nuk mendoj se më takon mua të jap sqarime në këtë çështje, mirëpo me lejoni të sqaroj se emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës është kompetencë kushtetuese dhe ligjore e Kryeministrit. Kjo nënkupton se Kryeministri rezervon të drejtën e tij që të mbajë në diskrecion të plotë arsyet e emërimit apo shkarkimit. Ndoshta në një periudhë të mëvonshme Kryeministri mund të sqarojë këtë çështje, por në rrethanat aktuale kjo nuk është gjëja më e rëndësishme që kërkon vëmendje.