Familjarët e Lejlasë, presin të vërtetën
Mungesa e informacioneve të sakta për mbesën, Lejanë, i është kthyer në ankth familjes Selaci nga Vushtrria. Në shtëpinë ku Lejla kalonte pushimet sa herë që vizitonte Kosovën, mbizotëron heshtje e plotë. Familjarët çdo moment presin zilen e telefonit, por asnjëri nuk gjen forcë të përgjigjet. I frikësohen lajmit që mund ta marrin për Lejlanë.
Hajrie Selaci, halla e Lejlasë, vajzës e cila rezulton e zhdukur që nga java e kaluar, kur ndodhi tragjedia në Norvegji, përkundër dhimbjes për mbesën e saj, thotë se ka filluar të lodhet nga dezinformatat e shumta. Familja e vajzës ka ardhur në gjendje që ta pranojë çdo lloj informacioni për 17 vjeçaren, vetëm që të jetë i vërtetë.
“Do të doja dhe shpresoj që Lejla të paraqitet e gjallë. Por, edhe nëse ka qenë e shkruar që dita e fundit e saj të jetë dita në ishullin ku ndodhi terrori, duam vetëm ta dimë ku ndodhet trupi i saj”, tha Hajria të enjten për Express. “Kemi ardhur deri te kjo gjendje, që ta pranojmë realitetin siç është, por dezinformatat nëpër media nuk po na lënë të qetë”, thekson ajo.
Deri para një jave, Hajria mezi kishte pritur që të vijë nga Hungaria, ku jeton tash sa vjet, vetëm e vetëm që të takohet me familjarët e saj. Ajo kishte planifikuar të takohej e të çmallet edhe me Lejlanë pasi ajo sapo të përfundonte konventën e të rinjve në ishullin Utoya, do të nisej drejt Kosovës.
Por, nga dita e tragjedisë në ishullin norvegjez, Hajria nuk di asgjë për mbesën.
“Hera e fundit që kam dëgjuar për të ka qenë biseda telefonike e vëllait tim, Bajrushit, babait të Lejlasë, me të. Pas shpërthimit të bombës, ajo e ka njoftuar Bajrushin se gjendja e saj është e mirë”, rrëfen Hajria. “E prej asaj kohë më nuk dimë asgjë për të. Kjo po na vret të gjithëve”.
Pak orë para se Express ta vizitonte familjen Selaci, i ati i Lejlasë është ftuar nga policia norvegjeze për t’ua konfirmuar nëse ndonjëri nga trupat e gjetur në ishull është i vajzës së tij. “Ai na lajmëroi nëpërmjet telefonit se ndoshta policia e ka gjetur trupin e Lejlasë. Por, kur ka shkuar atje e ka parë se asnjëri nuk është trupi i saj”, tregon Hajria.
Disa media ndërkombëtare kanë publikuar lista me emrat e të vdekurve të masakrës së Utoyas, në mesin e të cilëve është parë edhe emri i Lejlasë, e cila jetonte në qytetin Fredrikstad. 17-vjeçarja po merrte pjesë në një konventë të rinjsh në Utoya, kur norvegjezi Anders Behring Breivik hapi zjarr mbi ta, duke vrarë të paktën 68 persona.
Policia përfundon kërkimet
Oslo, 28 korrik - Policia norvegjeze ka përfunduar të enjten kërkimet për të zhdukur të tjerë në ishullin Utoya. Një grua nga Gjeorgjia, e cila konsiderohej e zhdukur, është konfirmuar e vrarë.