E shtuna e zezë, 5 femra humbin jetën brenda 10 orëve
Plumba në lokalin e natës, vritet aksidentalisht balerina 26-vjeçare
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes në një lokal nate në zonën e Kasharit në kryeqytet. Një vajzë 26-vjeçare është qëlluar me armë pas një sherri në lokalin e natës. Mësohet se Sonila Tafa (Dervishi), e cila punonte prej disa kohësh si balerinë në këtë lokal, ka mbetur viktimë e përplasjes që ndodhi mes disa të rinjve brenda ambienteve të lokalit. Burime nga policia bëjnë të ditur se agresori pasi është nxjerrë jashtë nga ambientet e lokalit ka qëlluar rreth 6 herë në drejtim të personave me të cilët ishte konfliktuar dhe më pas është larguar. Sipas familjarëve të 26-vjeçares një plumb që dyshohet të ketë qenë rikoshet e ka prekur vajzën në kokë. Tafa fillimisht mbeti e plagosur dhe u transportua menjëherë në spital, por nuk arriti të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda në kokë. Vajza punonte si balerinë në pub-in “Dream City” i cili për një javë ka pezulluar punën, për të lënë hetuesit të bëjnë punën e tyre, por edhe në shenjë respekti ndaj punonjëses që ka humbur jetën. Mësohet se policia ka shoqëruar edhe disa dëshmitarë dhe po i merr në pyetje, për të zbuluar detaje rreth ngjarjes.
Tragjedi në Bulqizë, masivi i kromit vret nënën e 3 fëmijëve
Bulqizë/Një ditë e zezë ka qenë dje për gratë shqiptare, pasi në rrethana të ndryshme pesë femra kanë humbur jetën, në Devoll, Durrës, Bulqizë dhe Tiranë.
Bulqizë
Një ndër rastet tepër të dhimbshme ka qenë historia e Lirie Merës, 45 vjeçe nëna e 3 fëmijëve e cila ka humbur jetën në tentativë për të mbledhur skrap në masivin e dherave, pasi bashkëshorti i saj ishte invalid. Kështu është shënuar një tjetër tragjedi në stoqet e mineralit, që shpesh herë ka marrë jetë njerëzish që përpiqen të mbijetojnë duke shitur krom. Sipas informacioneve nga policia vendase, viktima është Lirie Mera, 45 vjeçe, nëna e tre fëmijëve, një prej të cilëve i mitur. Gruaja humbi jetën mëngjesin e djeshëm, ndërsa ishte duke gërmuar në malin e kromit pranë minierës, me qëllim që ta shiste tek firmat private dhe siguronte të ardhura ditore. Por një shkëmb guri është shkëputur nga sipër, duke e goditur 45-vjeçaren në kokë. Të pranishmit banorë të zonës që mblidhnin mineral, e dërguan me urgjencë në spitalin e Bulqizës, por as ndërhyrja e mjekëve nuk ka qenë e dobishme, pasi gruaja ka humbur jetën pas pak minutash.
Ngjarja
Lirie Mera, ishte nënë e tre fëmijëve dhe jetonte në kushtet ekstreme të varfërisë, pasi bashkëshorti mësohet se është invalid. Nga ana tjetër policia vendore shkoi menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet, duke marrë në pyetje dëshmitarët dhe përfaqësues të kompanive private. Mësohet se ngjarja është aksidentale, pasi banorët punojnë privatisht dhe më tej shesin mineral tek privatët. Por ka mungesë të theksuar kushtesh, që bëhet shkak për aksidente të shumta. Pjesa më e madhe e banorëve të Bulqizës, mbledhjen e kromit e kanë mënyrën e vetme për të siguruar të ardhura. Kushtet e punës dhe siguria e minatorëve lënë për të dëshiruar, ndërkohë që kësaj i shtohet edhe keq menaxhimi nga kompanitë që kontrollojnë nëntokën. Muajin e kaluar, policia kreu një kontroll të imtësishëm të të gjitha mjeteve që transportojnë krom nga Bulqiza, në drejtim të portit të Durrësit. Madje nuk kanë munguar as përplasjet e armatosura mes grupeve rivale të shfrytëzimit të minierave apo galerive në këtë zonë.
Dukuria
Pas një përplasjeje me armë mes grupeve që kërkojnë të mbajnë nën kontroll në mënyrë të jashtëligjshme zonën D të minierës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë nisi kontrollin e personave që shfrytëzojnë kromin në mënyrë ilegale gjatë muajit mars dhe ende në vazhdim. Për të mbështetur këtë operacion në Bulqizë u vendosën për disa ditë forcat speciale, të cilat ushtruan kontrolle sidomos në zonat më problematike të konflikteve mes palëve për zaptimin e galerive të kromit.
Shkonin për mort, zetori përmbyset në lumë, vdesin 2 gra
Devoll/Shkonin për mort në fshatin fqinj përtej lumit, por zetori ku udhëtonin të paktën 20 persona, u përmbys duke mbytur në Devoll dy gra të afërme me njëra-tjetrën dhe me të mbijetuarit. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës së djeshme në fshatin Braçaj të rrethit të Devollit dhe një prej shkaqeve ka qenë prishja e urës së kësaj zone muaj më parë. Viktimat janë Mirela dhe Elena Zyfi, nëna të pesë fëmijëve, kurse policia vendore arrestoi drejtuesin e mjetit, Gëzim Zyfi, 38-vjeç, i afërm i një prej grave që humbën jetën. Nga hetimet e kryera rezultoi se në momentin që mjeti kalonte rrjedhën e rrëmbyer të lumit për të shkuar në fshatin ku zhvillohej ceremonia mortore, është përmbysur në një prej gropave të hapura gjatë kërkimit për inerte në lumë. Karroceria është përmbysur dhe të gjithë kanë rënë në ujë. Prej tyre shpëtuan 18 persona, por dy gratë u rrëmbyen nga rrjedha e fortë dhe nuk mbijetuan dot. Trupat e tyre u nxorën të pajeta nga lumi dhe dërguan në morg. Policia e cilësoi ngjarjen aksidentale, kurse Zyfi akuzohet për shkaktimin e aksidentit me pasojë vdekjen. Burime zyrtare të policisë së Korçës konfirmuan tragjedinë në aksident të ndodhur dje dhe ndalimin e të dyshuarit nga fshati Braçaj, i cili ka dëshmuar se për shkak të prurjeve të forta të lumit ka menduar të ndihmojë të afërmit e tij për ti dërguar matanë bregut me zetor, për në fshatin Dobranj, ku kishte ndërruar jetë një i afërmi i tyre. Por policia dyshon se në karroceri ka pasur mbingarkesë dhe kjo mund të ketë ndikuar në aksident. Dëshmitarët thanë se ishin të paktën 20 persona dhe sapo rrotat kanë rënë në një gropë, mjeti është anuar dhe përmbysur nga pesha. Kurse ekspertët që kryen autopsinë në trupat e viktimave konstatuan se shkak i vdekjes ka qenë asfiksia prej ujit të lumit, pra mbytja në ujë dhe jo ndonjë goditje në trup nga mjeti i transportit gjatë përmbysjes.
Durrës, krim brenda familjes, djali vret nënën 82-vjeçare
Durrës/Krimi brenda familjes ka goditur sërish në vend. Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur në fshatin Kullë të Durrësit, ku djali i sëmurë mendor, ka qëlluar me mjete të forta nënën e tij, duke i shkaktuar vdekjen. Policia e Durrësit bën me dije se ka arrestuar tashmë autorin e dyshuar për ngjarjen. Ai është Lefter Pashaj, 51-vjeç prej kohësh vuante nga probleme mendore. Viktima është 82-vjeçarja Merjeme Pashaj, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Djali 51-vjeçar jetonte prej një viti me nënën e tij 82-vjeçare, pasi e shoqja i kishte vdekur dhe që prej asaj kohe ai kishte pësuar depresion dhe kurohej. Ai ishte baba i tre fëmijëve, që janë strehuar tek të afërmit në Greqi. 51-vjeçari ka ngritur dorë mbi nën e tij, duke e goditur për vdekje me drutë dhe mashën e sobës për shkak se i kish kërkuar gruas së moshuar paratë e pensionit dhe çelësat e shtëpisë dhe flitet se kishte dashur ta përzinte nga shtëpia. Sipas fqinjëve e moshuara edhe pse jetonte në kushte të vështira kujdesej vazhdimisht për të, pasi sipas dëshmisë së fqinjëve djali vuante nga sëmundje mendore, madje edhe kurohej.