Historia e dhimbshme e Kadries, si u përdhunua tre vite më parë
Njerëz në Udhëkryq
Njerëz në Udhëkryq është rubrika më e re në Tirana Observer, që do iu shoqërojë çdo fundjavë. Histori dhe personazhe reale do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës sonë dramën e jetës së tyre… dhunën, lotët, dhimbjen, apo skamjen në të cilën këta njerëz janë të destinuar të jetojnë. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim… janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Sot ishte dikush që se njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë është thjesht një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla dhe një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive të tilla negative; që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptare…Nëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi. Sot ne do të publikojmë, dramën e një nëne dhimbja e së cilës për përdhunimin e vajzës së saj përpara disa vitesh, mbetet ende plagë në shpirt, pasi fajtori dyshohet se është i lirë. 40 vjeçarja Zhaneta N. e cila i mbijeton çdo ditë edhe dhunës nga bashkëshorti i bën thirrje institucioneve të drejtësisë që nderi i vajzës që endet në karrocë rrugëve të kryeqytetit, pasi është invalide të çohet në vend, dhe fajtori të jetë pas hekurave, ashtu siç e meriton. Kjo nënë e rrëfeu edhe pse me shumë vështirësi, dhe dhimbje dramën e jetës së saj. Një tjetër apel i 40 vjeçares, i shkon shoqërisë shqiptare që mos ti diskriminojnë gratë rome komunitet nga e cila kjo grua vjen por ti ndihmojnë ato të përqasen në jetën e përditshme, dhe të jetojnë si të gjitha gratë e tjera në Shqipëri: Merrni guximin! Denonconi edhe ju në tiranaobserer@gmail.com. Ju mirëpresim
40 vjeçarja: Ju rrëfej dramën e vajzës, agresori ende i lirë
Historia e dhimbshme e Kadries, si u përdhunua tre vite më parë
Nëse do tju duhet të kaloni, urën e vogël në kryqëzimin në afërsi të Drejtorisë së Policisë, sapo hyn në zonën e ish bllokut, sytë do tju zënë patjetër imazhin e një vajze në karrocë, që edhe pse duket shumë e përvuajtur, qëndron thuajse gjithmonë e buzëqeshur duke lypur para me duart e zgjatura drejt kalimtarëve në rrugë. Kjo pamje të kthen shumë mbrapa në kohë, ndoshta të çon nëpër mend, poemën e mjerimit të gjeniut Migjen, por historia e Kadries 17 vjeçare është sa rrënqethëse, po aq edhe aktuale. Drama e kësaj vajze i kalon të gjitha parashikimet njerëzore. Vajza është përdhunuar përpara disa vitesh dhe është marrë me taksi nga një person i panjohur i cili dyshohet se u dënua vetëm disa muaj dhe sipas nënës së Kadries, vazhdon të jetë i lirë nëpër rrugët e kryeqytetit. Nëna e Kadries, 40 vjeçarja Zh. Nuredini rrëfen për gazetën të gjithë tmerrin e përjetuar dhe fatin e trishtë të vajzës së saj, fat i cili duket se është ngjizur në trupin imcak të Kadries në format më të hidhura të tij, pasi 19 vjeçarja është e destinuar të jetojë në karrocë si pasojë e një aksidenti kur ka qenë e vogël.
Çfarë mund të na thoni, në lidhje me historinë e vajzës tuaj Kadries?
E çfarë mund të tregoj më parë për të, ne jemi një familje e rrënuar kur i kujtoj ato momente përpara disa vitesh dhe gjithçka ka përjetuar vajza ime dhe unë, më duket sikur do vdes, ishte një ngjarje që na ka sjellë shumë tronditje. E mbaj mend si sot ka qenë ditë e premte. Vajzën e lashë në vendin ku e vendos gjithmonë skemi çtë bëjmë jetojmë në varfëri të plotë, dhe na duhet të mbijetojmë duke lypur para në rrugë e duke mbledhur kanoçe. E lashë Kadrien atje dhe ika, për të mbledhur në kazanët e plehrave shishe dhe materiale të tjera që më pas ti shisja për bukën e fëmijëve. Po ta dija që do ti ndodhte ajo gjëmë, që një person që askush nuk e njihte do ta merrte e do abuzonte me të seksualisht do duroja edhe pa ngrënë, le të vdisja, vetëm mos të ma dhunonin vajzën, jeta e saj për dy vjet më radhë ka qenë e shkatërruar.
Si e kuptuat që vajza juaj ishte rrëmbyer e abuzuar nga një person i panjohur?
Siç më treguan personat që shisnin aty afër, një taksi i ishte afruar Kadries dhe një burrë rreth të 50-tave që ndodhej brenda e kishte marrë duke e gënjyer se do ta sillte tek unë, ishte vetëm një gënjeshtër për ta bërë vajzën time viktimë të një abuzimi, pastaj me pafytyrësinë më të madhe pasi kishin mbaruar punë me të, e kishte sjellë sërish në vendin ku e lashë, vajza vetëm qante ishte e tmerruar, dridhej dhe belbëzonte, pasi ajo është invalide dhe e sëmurë, dhe as nuk mund të flasë për gjithçka i ndodh. Nuk dua ta kujtoj, ishte një ditë që nuk ja uroj asnjë vajze asnjë nëne në botë, por ne jemi rome dhe nuk na kushton rëndësi as drejtësia, as policia, askush…ai krimineli që më dhunoi vajzën dyshoj se është i lirë, dhe e mallkoj me gjithë forcën e zemrës time për gjithçka i ka bërë vajzës time(fillon të qajë, të trishtohet).
Çfarë apeli keni për drejtësinë shqiptare, kujt i kërkoni ndihmë?
E kujt mund ti kërkoj ndihmë, kur jetoj e rrezikuar jo vetëm për shkak të historisë së vajzës, por edhe nga dhuna që përjetoj çdo dite nga ish bashkëshorti, kam 8 fëmijë për të rritur dhe skam asnjë ndihmë përveç krahëve të mi. Kam të dhëna dhe jam interesuar në polici që agresori i vajzës është i lirë, ka paguar para dhe ka dalë nga burgu mostra, ndërsa vajza ime akoma e përjeton atë ditë të zezë, kur ju desh të duronte abuzimin e atij njeriu të pa shpirt. I bëj apel, drejtësisë dhe policisë shqiptare që të kryejë hetimet e duhura, dhe ta burgosin agresorin e Kadries, pasi nëse e gjej që është gjallë do ta vras me duart e mia. Në fillim u përfol sikur unë e kisha dhënë vajzën time vetë tek ai person në këmbim të parave, ju drejtohem atyre njerzve që gjetën këtë guxim të tepruar e të më akuzojnë për këtë gjë kaq të padrejtë, që të përballen me mua, të shohin në çfarë kushtesh mjerane jetoj, ku më duhet të duroj edhe dhunën e ish bashkëshortit tim, dhe pastaj të flasin.
Ju keni dhe një urdhër mbrojtjeje, çfarë ju thoni grave të tjera që dhunohen?
Të gjitha femrave në Shqipëri, kudo që të jenë, në fshat , në qytet, femra të thjeshta apo zyrtare, të zeza apo të bardha, të mos e durojnë dhunën në familje, unë jetoj në kushte shumë të vështira, lyp për të mbajtur fëmijët, por dhunën nuk e duroj dot, e kam duruar ish bashkëshortin tim të më rrahë pa pikë mëshire disa vite rresht, por tashmë sa herë që më afrohet mua dhe fëmijëve i drejtohem policisë, në fakt duhet ta them, edhe forcat e policisë duke më parë një grua rome, pa mbështetje, shpesh herë më vënë në lojë, megjithatë i bëj apel femrave që të bëhen të zonjat e jetës së tyre e të mos lejojnë të shkelen nga askush.
Ëndrrat e shkelura të Kadries që mbetën në karrocën me rrota
Në sytë e Kadries mund të shohësh, dëshirat e saj të panumërta. Ajo është një vajzë në pamje të parë shumë e qeshur, me një natyrë të ëmbël dhe dramat e një pas njëshme në jetën e saj e kanë rritur para kohe. Mes belbëzimesh dhe vështirësish na rrëfen duke lëvizur duart në ajër, moshën që ka. Na thotë se qëndron në karrocën me rrota që kur ka qenë e vogël, pasi një aksident i rëndë në rrugë, i ka shkaktuar paralizë në të dy këmbët. Pastaj na tregon atletet me ngjyra, të cilat ja ka blerë nëna e saj. Kadria ka shumë dëshirë të shkojë në shkollë por nuk mundet, dhe për këtë shpesh herë vështrimi i saj i trishtuar mbetet e fiksohet në fëmijët e tjerë që ecin kalimthi pranë këmbëve të saj. I pëlqejnë shumë ngjyrat dhe bën me shenjë se i pëlqen edhe të pikturojë, ndaj ndonjëherë me paratë që fiton duke lypur në rrugë, blen lapsa me ngjyra dhe disa fletor