E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi synon Premierligën si trajner

Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 12:16

Shefki Kuqi nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga Premierliga. Por, pasi luajti si futbollist në elitën e futbollit anglez, futbollisti kosovar synon që në të ardhmen të jetë sërish pjesë e kampionatit anglez, por si trajner. 34 vjeçari po vijon kursin për trajner dhe shumë shpejt do ta marrë licencën.

“Kur kam ardhur këtu, synim imi ishte të luaja në Premierligë dhe këtë e kam arritur. Tash objektiv imi është që në të ardhmen të punoj në Premierligë si trajner”, deklaroi Kuqi për të përditshmen finlandeze Iltalehti.

Ish përfaqësuesi finlandez aktualisht po luan tek ekipi nga liga e tretë angleze, Oldham. Ndërkohë, ai pritet ta marrë në dorë edhe ekipin e juniorëve të këtij klubi. Sipas kësaj gazete, në rast se Kuqi do t’i zhvillojë 20 ndeshje këtë sezon me ekipin nga Ligue One, kontrata e tij do të vazhdohet edhe për një vit.

“Kur ta përfundoj me futbollin, jam i gatshëm të vrapoj te një punë tjetër. Ky ishte një opsion i mirë për mua”, përfundoi Kuqi i cili në vitet e fundit po e studion zejen e trajnerit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›