E thirra sot këtë mbledhje të Kryesisë së PSSH pas mbledhjes së Qeverisë zhvilluar mbrëmë, në funksion të analizës politike pas ngjarjes së iniciuar nga Sali Berisha dhe banda e tij destr
E thirra sot këtë mbledhje të Kryesisë së PSSH pas mbledhjes së Qeverisë zhvilluar mbrëmë, në funksion të analizës politike pas ngjarjes së iniciuar nga Sali Berisha dhe banda e tij destruktive. Ky sulm i ri ndaj institucioneve synonte goditjen dhe paralizën e tyre. Shkurt dhe thjesht, vazhdohet të synohet vënia në pamundësi fizike e shtetit dhe njerëzve të shtetit në një shoqëri demokratike. Kjo rishfaqet me dhunë, me të cilën fillon dhe si rregull në logjikën e këtyre të çmendurve mbaron me funksionarë të shtetit a policë të vrarë, apo me viktima civile të pafajshme, apo me pronë publike të dhunuar, apo me ankth dhe pasiguri të sipërmarrësve, të qytetarëve, të fëmijëve, të edukatorëve, shkurt dhe saktë me krijimin e një klime ndaluese për progres, për reforma, që pastaj shfaqet në mënyrën më vrasëse për të gjithë motivimin e njerëzve të përkushtuar në këtë vend, me ndërprerjen e punës përfaqsuese, me prishjen e rregullave të funksionimit të shoqërisë me shkatërrimin e imazhit të vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare, me harxhimin e ricikluar të energjive për të kuruar plagë që hap një i marrë dhe kjo nuk mund të tolerohet.
Qeveria e Koalicionit për Integrim ka marrë përsipër të hedhë në 2004, në periudhën 18 mujore që na ndan nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, hapa vendimtare, që dinamizojnë procesin e reformave për integrim, për të kapur dhe për të bërë të prekshëm nga të gjithë standartet e Bashkimit Europian në vendin tonë, për të krijuar kapacitete institucionale, administrative, ekonomike dhe sociale që i bëjnë këto standarte parametra të jetës sonë shoqërore. Qeveria është koshiente për aftësinë që ka maxhoranca për ta bërë këtë gjë, është koshiente edhe nga pikëpamja politike, edhe nga pikëpamja kushtetuese, edhe për kapacitetet që zotëron, edhe për shkak të partneritetit funksionues jo vetëm me Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE-së, por edhe me organizata dhe me qeveri të tjera jashtë BE-së, që na monitorojnë, na asistojnë dhe bashkëpunojmë me ne.
Kjo është detyrë dhe sfidë e jona e përbashkët që ne do ta fitojmë. Ne nuk mund të lëmë këtë vend peng të një të marri, apo të kontakteve hipnotizuese të tij me njerëz që nga dëshpërimi, apo nevoja, apo nga mungesa e informacionit global përtej shtëpisë apo fshatit të tyre të izoluar, kthehen në viktima të dhunës, në agresorë të shtetit, të përparimit të vendit, të integrimit dhe të paqtimit të shpirtrave dhe të xhepave, dhe e kam fjalën për luftën kundër varfërisë, një terren, ku lulëzon edhe krimi, edhe dhuna ndaj institucioneve të një shoqërie demokratike.
Në këtë funksion, unë i kërkova mbëmë edhe anëtarëve të Qeverisë, përfaqësues të Koalicionit për Integrim, ashtu si dhe të partive politike që ata përfaqësojnë, që të komunikojnë me të gjitha forumet e tyre, ashtu siç do të bëjë qeveria dhe ne me të gjithë partnerët tanë, me administratën pubkike, me sipërmarrjen, me komunitetet shoqërore, për të shpjeguar dhe çuar përpara, për të mbrojtur sëbashku me ta proçesin dhe misionin e vështirë që kemi marrë përsipër, sepse jam i sigurtë që dimë ta bëjmë dhe do ta bëjmë, duke e integruar Shqipërinë në Europë.
Ne si maxhorancë qeverisëse, do të veprojmë me të gjithë forcën goditëse ndaj cilitdo terrorist që sulmon shtetin dhe qetësinë publike. Kjo është e prerë dhe fundore. Do të godasim me aksion civil, me aksion ligjor, me aksion demokratik, dhe sidomos me një komunikim të hapur dhe partnerial me njerëzit e këtij vendi, të cilëve po u vëmë shtetin në shërbim.
Qeveria jonë nuk mund të ketë vetëm faturat e gjakut të policëve apo të kompesimit të viktimave të dhunës, sepse familjet e policëve janë njëlloj si familjet e qytetarëve apo të shtetarëve, apo të të gjithë përfaqësuesve politikë apo jo, që bëjnë detyrën duke shërbyer.
Prandaj në funksion të veprimit institucional dhe ligjor, të shfaqjes së përgjegjshmërisë dhe të përkushtimit politik të aksionit tonë qeverisës, të aftësisë sonë për të komunikuar me njërëzit, në funksion të detyrave reformatore për të cilat jemi votuar, ne duhet të veprojmë siç po bëjmë sot apo siç bëri qeveria mbrëmë, me analiza të përgjegjshme dhe komplementare, të veprojmë në mënyrë koherente, kolegjiale, të vendosur dhe pa humbur kohë.
Ne nuk duhet të shohim më asnjë polic apo funksionar të shtetit të braktisur përballë turmave të verbëra. Nuk duhet të shikojmë asnjë ministër rendi të paralizuar për shkak se mund të tregohet me gisht apo nën ankthin e publikut nëse ndërkombëtarët apo të tjerë do ta kualifikojnë profesional apo jo, veprimin e tij. Ne nuk mund të heshtim kur një prokuror apo një gjykatës toleron apo lëshon nga duart e drejtësisë një kriminel përsëritës, i cili në protesta, në shoqërinë tonë normale dhe demokratike, përpiqet të fshehë vjedhjen apo vrasjen e mëparshme, apo atë të radhës.
Askush në qeveri apo në politikë nuk duhet të ndjehet i bllokuar, në funksion dhe në detyrë, për shkak të sulmeve të verbëra politike dhe publike të një tufe të marrësh të politikës shqiptare, të cilët janë kthyer edhe në profesionistë për ta bërë këtë, me pseudoakuza për korrupsion, për konflikt interesash, për monopole në treg, apo për mitmarrjen e rradhës. Ne duhet të shfaqemi individualisht dhe kolegjialisht si një ekip politik dhe qeverisës që ka vënë nderin, idealin, energjinë, jetën e vet në funksion të mbylljes së qerthullit absurd rë riciklimit të kaosit në Shqipëri, për shkak të një grupi të papërgjegjshmish, që abuzojnë edhe me grupe njerëzish të dëshpëruar në nevojë.
E gjitha kjo kërkon nga ne dhe aleatët tanë që kjo analizë të strukturohet në programe dhe masa veprimi ekzekutiv dhe politik.
Ne po i japim këto sinjale të forta dhe të vendosura veprimi me progresin. Në këtë funksion unë kërkova paraprakisht të mbështes konkluzionin koherent të analizës në mbledhjen e djeshme të qeverisë nga Ministri i Rendit, me gjithë mbështetjen e duhur, duke marrë masa, për të plotësuar ato që mungojnë dhe që përfundimisht janë identifikuar, në funksion të rritjes së sigurisë së institucioneve publike të shtetit. Në asnjë vend të botës nuk është e mundur, për asnjë funksionar, apo titullar, për asnjë përfaqësues apo ekspert, politik apo civil, të punojë nën trysninë e dhunës apo nën ankthin e pasigurisë së institucionit, që drejton apo ku bën shërbimin ligjor për njerëzit.
Në këtë funksion i kërkova ministrit të Rendit Publik një listë të nevojave për teknologji dhe burime njerëzore e financiare që jo vetëm e sjellin policinë në nivelin e ligjit dhe të profesionit akoma më mirë, si në vendet normale të botës, për mbrojtjen e institucioneve dhe të qetësisë publike, por edhe shpëtojnë policinë dhe funksionarin civil nga prekja prej dhunës së verbër. Në këtë funksion ne do të vazhdojmë të stimulojmë ata që kryejnë detyrën, do të stimulojmë të gjallët që i shërbejnë vendit, të shpërblejmë oficerët e karrierës apo ata civilë që mbrojnë rendin, ligjin dhe institucionet. Nën këtë funksion ne do të mbajmë edhe qëndrimin tonë si forumi drejtues politik i forcës më progresiste dhe demokratike në vend.