Nën drejtimin e Ministrit të Shtetit për Koordinimin, Z. Marko Bello, më datë 10.02.2004 u mblodh Komiteti Shtetëror për Luftën kundër Trafikut të Qënieve Njerëzore. Në këtë takim morë
Nën drejtimin e Ministrit të Shtetit për Koordinimin, Z. Marko Bello, më datë 10.02.2004 u mblodh Komiteti Shtetëror për Luftën kundër Trafikut të Qënieve Njerëzore. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Rendit Publik, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financës, Ministrisë së Punës dheÇështjeve Sociale, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe SHISH. Qëllimi i këtij takimi ishte që të rishikonte punën e bërë në zbatim të Planit të Veprimit 2003-4, të miratuar në takimin e fundit të Komitetit Shtetëror për Antitrafikun, si dhe realizimit të detyrave dhe afateve kohore të përcaktuara në këtë Plan Veprimi.
Z. Bello theksoi se ky takim do të shërbejë për të vënë në funksionim efikas mekanizmat e përcaktuara në këtë Plan Veprimi dhe për të përmirësuar koordinimin e punës së të gjitha strukturave të shtetit: polici, prokurori, shërbimi informativ dhe institucioneve të tjera qeveritare.
Gjithashtu u theksua se lufta kunder krimit të organizuar dhe trafikimit të qënieve njerëzore si pjesë e tij vazhdojnë të mbeten prioriteti kryesor i Qeverisë Shqiptare dhe në vëmendjen e veçantë dhe të vazhdueshme të Kryeministrit. Masat e përcaktuara në Planin e Veprimit përbejnë edhe angazhime ndaj partnerëve tanë ndërkombëtare, për këtë arsye këto detyrime dhe angazhime duhen përkthyer në masa dhe veprime konkrete, pasi vetëm kështu nuk do të vihet në pikëpyetje për asnjë moment vullneti politik i Qeverisë për çrrënjosjen e trafiqeve.
Gjatë takimit u evidentua fakti se mangësitë tona konsistojnë ne ndjekjen e rasteve që dërgohen për ndjekje penale në prokurori dhe më pas në gjykata, dhe për këtë qëllim është e nevojshme ngritja e një data-base statistikor që do të përfshijë numrin e arrestimeve, dosjeve që përgatiten nga policia dhe dërgohen në prokurori, numrin e ndjekjeve penale dhe dënimeve të suksesshme, rastet e korrupsionit në rradhët e strukturave të policisë, etj.
Anëtarët e këtij komiteti diskutuan rreth axhendës së këtij takimi dhe theksuan nevojën e një koordinimi më të mirë për të evidentuar arritjet, korrigjuar mangesitë dhe përcaktuar saktësisht prioritetet e punës në luftën kundër trafiqeve. Në këtë takim u ra dakort për një sërë masash të rëndësishme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e viktimave, trafikimin e fëmijëve, mbarëvajtjen dhe funksionimin e qendrave pritëse të Linzes, IOM dhe VATRA në Vlorë, rritjen e shkallës operacionale të Qendrës së Antitrafikimit Vlorë, bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare dhe donatorë të tjerë, si dhe u trajtuan një sërë cështjesh të tjera.
Në përfundim të këtij takimi Ministri i Shtetit ritheksoi domosdoshmërinë e marrjes së masave aktive në këtë drejtim dhe njekohësisht përcaktoi afatet kohore për konkretizimin e tyre.