Kundërsulmi diplomatik i Berishës
Kur Berisha vihet nën trysni, gjithmonë kundërsulmon pavarsisht nëse trysnia i vjen nga brenda apo nga jashtë. Kjo nuk është një teoremë që ka nevojë për vërtetim është kthyer tashmë në aksiomë.
Në muajt e parë të këtij viti, Berisha u vu nën trysni për të n-tën herë gjatë karrierës së tij të trazuar politike. Dhe ajo po i vinte kësaj rradhe nga Perëndimi. Dhe duke i mbetur besnik aksiomës së mësipërme, Berisha përsëri kundërsulmoi.
Le tia bëjmë kronologjinë këtij episodi të fundit.
Pasi opozita u fut në Kuvend dhe nisi të bashkëpunojë me mazhorancën për kalimin e ligjeve që kërkonin 3/5 e votave, prozhektori i diplomacisë perëndimore u përqendrua mbi Berishën dhe dëshirën e tij për të zgjedhur një President të Republikës sipas gërmës së Kushtetutës, por jo sipas frymës së saj. Duke parë gjakimin e dallueshëm të Berishës për të kontrolluar institucionet e pavarura që varen nga Presidenti i Republikës, diplomatët perëndimorë e bënë të qartë se e mira e Shqipërisë e do që njeriu që do të zerë atë post duhet të përfaqësojë unitetitn e popullit dhe jo thjesht 71 deputetë të Kuvendit.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Tiranë deklaroi në një intervistë në ABC news se udhëheqësit politikë në moshën mbi 60 vjeç bëjnë mirë tua lënë vendin politikanëve të rinj. Kurse këshilltari politik i Komisionit Amerikan për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë deklaroi në Zërin e Amerikës se kërcënimet që Berisha po bën ndaj institucioneve të pavarura e rrisin dyshimin e zyrtarëve amerikanë për aftësitë e tij për të qeverisur Shqipërinë.
Këto deklarata të forta vinin pasi kishte shumë kohë që Berisha nuk ishte ftuar apo vizituar për ndonjë takim zyrtar dypalësh nga ndonjë kryeministër apo president i huaj. Dhe kuptohet që kjo situatë e vështirë e Berishës u vu mirë në dukje si nga opozita, ashtu edhe nga opinionistë kritikë me qeverinë. Në këto kushte, Berisha nuk mund të rrinte si një kafshë e plagosur, që pret ta shqyejnë grabitqarët. Ai filloi kundërsulmin.
Së pari vizitoi presidentin autoritarist të Azerbajxhanit, i cili i premtoi se do të punojë fort që gazsjellësi që do të furnizojë Europën me gazin azer të kalojë nga Shqipëria. Nuk dihet se çi ka premtuar Berisha në shkëmbim, por nga njoftimet zyrtare mësuam se ai ftoi kompaninë shtetërore azere të naftës që të marrë pjesë në privatizimin e Albpetrolit. Ndërkohë, Berisha gjeti rastin të na bëjë me dije se ne shqiptarët kemi një origjinë të përbashkët me azerët, pasi, në kohët e lashta, fiset autoktone të Azerbajxhanit quheshin albanezë
Më pas, Berisha vizitoi kryeministrin autoritarist të Hungarisë, i cili është bërë delja e zezë e Bashkimit Europian, pas amendimeve kushtetuese të iniciuara prej tij, që kufizojnë pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe medias. Nga njoftimet zyrtare rreth vizitës, të krijohet përshtypja se nuk ka pasur oferta të rëndësishme ekonomike të ndërsjella mes dy kryeministrave takimi ndoshta është realizuar thjesht për të dhënë mesazhin e sfidës ndaj diplomacisë europiane. Ndërkohë, Berisha nuk gjeti dot ndonjë gjë të përbashkët të gjuhës apo origjinës hungareze me tonën. Sidoqoftë, i mëshoi tezës se duhet përgatitur për një periudhë post-perëndimore
Fill pas vizitës së Berishës në Hungari, Shqipërinë e vizitoi një nga politikanët më të lartë kinezë. Në bisedimet me të, Berisha ofroi lehtësira për investimet kineze në Shqipëri dhe i thuri lavde modelit kinez të zhvillimit ekonomik. Pas asaj vizite, ai hodhi idenë e tij të famshme të futjes së gjuhës kineze si gjuhë e dytë në shkollat shqiptare
Dhe për ta kurorëzuar kundërsulmin e tij diplomatik ndaj Perëndimit me një xhevahir, Berisha bëri vizitën e tij të famshme në Turqi, ku, në takimin me kryeministrin antiperëndimor turk, tha se populli shqiptar dhe turk janë vëllezër. Ai i kërkoi vëllait të madh turk që të inkurajojë bizneset e vendit të tij të investojnë në Shqipëri e që konsullatat turke të kujdesen për vëllezërit shqiptarë kudo ku ne nuk kemi konsullata. Në shkëmbim, Berisha premtoi se Shqipëria do të japë votën e saj për pjesëmarrjen e aleatit të saj strategjik (Turqisë) në Këshillin e Lartë të Sigurimit të OKB-së (më parë, Shqipëria ua kishte premtuar Gjermanisë dhe Italisë atë vote, ndërsa aleat strategjik ka patur SHBA-në).
Me kthimin në Shqipëri, Berisha vazhdoi lavdet ndaj vëllezërve turq dhe arriti deri atje sa ti quante pseudopatriotë ata që kundërshtojnë teorinë se fiset ilire dhe ato turke kanë origjinë të përbashkët! Në ndërkohë, pa u ndjerë, ai po punonte për atë që përbënte objektin kryesor të këtyre kundërsulmeve diversioniste diplomatike vizitën në SHBA.
Duke mos patur për një kohë shumë të gjatë një ftesë zyrtare nga Uashingtoni për takim dypalësh, ai mendoi për tu vetëftuar. Meqenëse Shqipëria, në kushte normale, nuk del në radarin e zyrtarëve të lartë amerikanë (Presidentit, z.Presidentit, Sekretares së Shtetit), Berisha mendoi se me diversionet e tij antiperëndimore ka arritur të tërheqë sadopak vëmendjen e tyre. Dhe meqë kjo tërheqje vëmendje nuk mund të ishte e mjaftueshme për të siguruar një ftesë për takim zyrtar dypalësh, ai, sipas një diplomati në ambasadën amerikane në Tiranë, ka planifikuar të bëjë një vizitë në New York, për të marrë pjesë në një konferencë të Vatrës, e një vizitë tjetër në Washington në muzeun e Holokaustit, dhe sipas shumë gjasash, njerëzit e miqtë e tij në SHBA janë duke eksploruar mundësitë për takime të tjera. Dhe ky diplomat lë të nënkuptohet, se është e natyrshme; do të jetë që do të jetë në këto dy qytete, pse të mos bëjë çfarë ka në dorë për të realizuar ndonjë takim me zyrtarë amerikanë? http://www.respublica.al/artikuj/2012/3/29/vizitat-ne-shba-festival-qokash-nje-burim-nga-amb-amerikane-ne-skemi-rol-eshte-nje
Sipas informacioneve që kemi ne të sitit respublica.al, njerëzit e miqtë e Berishës në SHBA janë munduar që të realizojnë një takim ose me z.Presidentin Biden ose me Sekretaren e Shtetit Clinton. Dhe meqë numrat teatralë diplomatikë të sipërpërmendur mund të jenë regjistruar në ekranin e radarit të tyre, nuk është çudi që të paktën njëri syresh të ketë rënë dakord për ta takuar.
Por pyetja vërtet e rëndësishme është se çfarë do ti thuhet Berishës në takimet që do të ketë. A do ta kalojë në heshtje Uashingtoni zgjedhjen e një presidenti shqiptar vetëm me 71 vota të mazhorancës? Përgjigjen e saktë të kësaj pyetje do ta marrim pas korrikut, pavarësisht se çfarë do të thonë megafonët qeveritarë gjatë e pas vizitës së Berishës në SHBA
http://respublica.al/opinion/2012/4/24/kundersulmi-diplomatik-i-berishes
