O zyshë, kur mund të mbetet shtatzënë e dashura ime?

Anxhela Ndoi dhe Henri Ndreca, nxënës në klasëne 9-të në shkollën "1 Maj" Fotot: E. Resuli {Sh}
Entela Resuli
Shuli i portës së hekurt lëviz me orar! Por djali që nuk është më shumë se 15 vjeç, me një zë të trashë dhe trup të hedhur, nuk duron më… “O i….(shan), këtu është burg fare, mua më presin jashtë, ky mban çelësin në xhep”. Roja, një mesoburrë i pjekur qëndron pak më tutje, krejt heshtur dhe bën sikur nuk dëgjoi asgjë. Fundja veshët e tij janë mësuar me fjalorin e rëndë. Hedh edhe një herë sytë përqark me shpresë se e dëgjuan edhe të tjerët dhe këmbëngul në të tijën.
Ndërsa nga krahu tjetër i murit ndodhet një grup vajzash. – “Hë pra, hajde, kalo hekurat po deshe se nuk do të rrimë gjithë ditën të presim”, – i thotë njëra prej tyre djalit “të burgosur” brenda nga “kokëfortësia” e rojes që kërkon të zbatojë oraret. Ky ishte vetëm një episod krejt i shkurtër në pak minuta që qëndrojmë në oborrin e shkollës 1 Maj në kryeqytet. Prindërit shqetësohen, por, tashmë, një vajzë që nis aktivitet seksual që në moshë të mitur, apo një djalë që me njërën dorë përqafon të dashurën e me tjetrën thith një cigare, janë realitet. Sa të përhapura janë ato që quhen vese të moshës? Kanë dalë statistika nga Instituti i Shëndetit Publik dhe situata ka tashmë edhe numra.
Vihet re një rritje e fenomenit të kryerjeve të marrëdhënieve seksuale në moshë të mitur. Madje, edhe në shkollat 9-vjeçare.
Nafije Kryemadhi, mësuese në shkollën 9-vjeçare është ajo që ka kontaktet në adoleshencë me nxënësit. Është ajo që përballet me pyetjet e tyre të para dhe po ajo që përgjigjet pa i venë në siklet dhe duke e trajtuar atë si një lëndë normale ashtu si gjithë të tjerat, madje tepër e rëndësishme. Dhe në fund merr falënderimet e prindërve, të cilët i janë mirënjohës për faktin se mësuesja i informon fëmijët pasi për ata vetë biseda për edukatën seksuale është ende tabu. Të gjithë nxënësit pohojnë se nuk kanë komunikim me prindërit për këto tema, sidomos me prindin baba, diskutimi është pothuajse zero, ndërsa vajzat janë më të hapura me mamin.
Mësuese Nafija, i qëndron pranë kësaj moshe, ka punuar me ta në punë me projekt dhe sot 14-vjeçarët janë më të informuar se më parë, pavarësisht se në familje nuk bëjnë këto biseda. Për mësuesen pyetjet në orën e mësimit janë nga më të ndryshmet. Ajo pohon se: Si të gjitha organet e tjera edhe organet e riprodhimit, qoftë te femra qoftë te mashkulli, janë po të njëjtat. Nxënësit e mbushin orën me diskutime, me pyetje. Ka nga ata që diskutojnë me prindërit, por pjesa më e madhe nuk i bëjnë këto biseda në familje.
Seks që 13 vjeç? Për mësuesen e biologjisë kjo moshë është e hershme dhe nëse kryhet akti, mundet që ta lërë adoleshentin me pasoja. Për mendimin tim është herët, sepse duhet te jesh i përgatitur, në çdo drejtim, qoftë nga organizmi, qoftë nga ana psikologjike. Duhet të gjesh, kohën e duhur, momentin e duhur dhe personin duhur. Se nëse nuk ndodh kështu, do e mbash mend si diçka të keqe në mendje-shprehet mësuesja e shkollës “1 Maji”.
E gjithë lënda e edukatës seksuale që zhvillohet në shkollën 9-vjeçare e ka një mision, pasi të pasurit marrëdhënie seksuale pa qenë i informuar ka problemet e veta. Është e rëndësishme që partneri ose partnerja me të cilin shoqërohesh, të ketë ndjenja, dëshirë dhe të përcjellë besim dhe mbi të gjitha çifti duhet t’i marrë kohë njëri-tjetrit. Vetëm kështu mund të shihet si proces normal.
Por kur marrëdhënia seksuale kthehet si një objekt që duhet ta konsumojë për të thënë që janë djem ose vajza me eksperiencë, atëherë lind pyetja: A flasim këtu për intimitet apo thjesht për konsumim. Kjo e fundit i bën shumë dëm një adoleshenti.
Në një lëndën e Edukatës Seksuale nuk mungojnë as pyetjet nga më të çuditshme që nuk mund të presësh nga një adoleshent. Mësuese Nafija na tregon se ka pasur raste kur nxënësi e ka pyetur se: Kur mund të mbetet e dashura e tij shtatzënë!? Dhe vetë ajo është e detyruar tia shpjegojë rast pas rasti, interesimin e tij, i cili mund të jetë dhe real e konkret. Me anë të këtij informimi parandalon bërjen baba që 14 vjeç. E këtu vërtetë do kalonim në komedinë 14 vjeç dhëndër, por në ditët e sotme, me informacionin dhe mjetet që qarkullojnë rreziku është gjithmonë e më i pakët, por asgjë nuk është e sigurt.
Arlinda Zhegu
Arlinda është nxënëse në klasën e 9-të, tregon se, mësuesja i ka folur për rreziqet dhe natyrat e mbrojtjes gjatë një raporti seksual. Edukatën seksuale kanë filluar ta bëjnë që në klasën e 7-të, sigurisht me dozë më të paktë informimi se ato që bëjnë sot. Lënda e edukatës seksuale nuk është bërë sa për të kaluar kohën, ata kanë bërë detyra, punë me projekt, si dhe janë pyetur për të gjitha dritëhijet që mund të ketë një 14 vjeçare për lëndë të tillë.
Sara Shehu
Sara ka pasur një motër më të madhe dhe bisedat në lidhje me këto tema i ka bërë me të. Në këtë mënyrë ka shmangur konsultimet me prindërit. Tregon se mes bashkëmoshatareve flasin e diskutojnë hapur, por kur vjen puna që një temë e tillë të hapet në familje, këtu ngec problemi. Shkolla i ka ndihmuar për tu informuar në këtë kohë kur vrulli i teknologjisë mund të shtrembërojë dijet e tyre. Për ta baza mbeten librat.
Henri Ndreca
Ai nuk mohon pëlqimin dhe lindjen e ndjenjave të para në raport me vajzat . Ka vajza që i pëlqejnë por nuk na rrëfen nëse ka shkuar më tej se kaq, dhe nëse bën pjesë në atë 14 përqindëshin e adoleshentëve që kanë kryer marrëdhënie seksuale. Henri tregon se, është informuar mbi edukatën seksuale para se atë ta bënte në shkollë. Kurioziteti ishte i madh për të dhe ka lexuar qoftë në mënyrë të fshehtë. Ndërsa mohon në mënyrë kategorike që t’i bëjë me prindërit këto tema.
Anxhela Ndoi
Ajo shprehet prerë; Jo, nuk më ka pëlqyer kurrë të hapem me prindërit e mi për të tilla gjera, ndihem në siklet. Ndoshta edhe ata e kanë të vështirë të hapin këtë temë me mua, kështu besoj unë. Shoh te bashkëmoshatarët e mi që informacionet i kanë më së shumti të marra gabim. Ndoshta e ka fajin shoqëria, interenti. Puna më e madhe për ne është bërë nga mësuesja, ajo na e ka bërë lëndën më të butë e të prekshme, ndërsa me prindërit nuk bëhet fjalë që të diskutojmë për këto tema.
Shpresa Ollomani
Vajza më ka treguar për shoqen e saj, 12 vjeç kryen marrëdhënie, jam shokuar
Shpresa është nënë e një vajzë në klasën e 8-të dhe pretendon që është nga ata prindër që e dëgjon fëmijën dhe flet hapur me të. Ajo tregon se: Flas me vajzën, kap këto temat kryesore në lidhje me edukatën seksuale. Nga ana tjetër i qëndroj besnike idesë që, nuk duhet të kryejë marrëdhënie deri në 20 vjeç, se jemi ca me të vjetrën ne. Ajo është shumë e lirshme sepse dhe unë i krijoj një mjedis që të shprehet lirshëm. Me të atin e ka të vështirë dhe nuk flet. Me babain është gjithmonë e më e vështirë të flasësh për këto tema. Por mjafton që flet me mua dhe për këtë jam e kënaqur- rrëfen Shpresa. Por nuk mohon se i kanë rënë në vesh dhe raste të çuditshme e histori që për të janë shokuese. Vajza i ka treguar për shoqet e saj që kanë kryer marrëdhënie që 12 vjeç. Jam çuditur dhe sinqerisht, mendoj për vajzën time. Kur flet për të tjerët të duket ndryshe, por kur e ke fëmijën tënd mendon më gjatë dhe nuk e pranon pranon dot asnjëherë. Shpresa pohon se është