E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miss Sixty

Kimete-Berisha-150x150Nga Kimete Berisha

Për tu njoftuar me ministrat e qeverisë Rama, shumica prej të cilëve për mua ishin krejt të panjohur, i kërkova emër për emër në internet.

Duke lexuar biografitë e tyre me nga një fjali, e gjeta se 99% e ministrave të qeverisë Rama janë të lindur në vitet e 60-ta.

Nga 1 minutë u ndala dhe i shikova sytë e ministrave në fotografi, duke kërkuar një shenjë reale që arsyeton moton abstrakte dhe mistike Rilindje.

Sytë nuk janë pasqyrë e shpirtit, për shkak se të verbërit kanë shpirt, por shpirt pa pasqyrë. Prandaj, nuk i paragjykova në bazë të syve të zi.

Si do ta Rilindin Shqipërinë këta njerëz që në shikim të parë dhe të dytë duken njerëz krejt normal, pa kapital krijues dhe pa shenjë dalluese, që nuk do t’i kisha njohur rrugës nëse do ti kisha parë.

Mua më ka pëlqyer shumë motoja socialiste që është pak budiste, pak islamiste, pak krishtere, Rilindja, për shkak se është moto aq e fuqishme, sa që kurrë ska nevojë ta dëshmoj fuqinë e saj. Është sinonim i renesancës. Romantikës. Kohës që ka përfunduar.

Në mungesë të biografive së ministrave për t’i analizuar, për të kuptuar se çfarë kanë thënë e çfarë kanë bërë ata që i kanë plotësuar kushtet që ta Rilindin Shqipërinë, u ndala te vitet e 60-ta, e vetmja simbolikë që e pashë në përbërjen e qeverisë së Re, që të çon te pyetja se pse Edi Rama i ka zgjedhur ministrat e tij (njëmbëdhjetë prej tyre), të lindur në vitet e gjashtëdhjeta!

Tërmeti që shkatërroi 80% Shkupin më ra në mend i pari, që më asocion me vitet e gjashtëdhjeta.

Por, shumëçka ka ndodhur gjatë dekadës kur janë lindur ministrat e ri, që unë kam pritur të jenë disi si apostuj në politikë, sepse misioni i tyre është mistik, ata nuk kanë mision vetëm të zhvillojnë Shqipërinë, por ta Rilindin Shqipërinë.

Shqipëri e Rilindur është një mision politik qeveritar me ndihmën e terminologjisë fetare, teologjike, religjioze, sepse Rilindjen nuk e njeh shkenca.

Duke menduar për Rilindjen, dhe duke u munduar tua gjej një vend për ti fshehur kujtimet përgjithmonë, në momentin që të ndodh Rilindja, përsëri si për metaforë mu kujtua që në vitet e 60-ta është promovuar pilula e parë kontraceptive që kontrollon lindjen e fëmijëve.

Ishin vite të tundjeve të mëdha, trendeve politike dhe kulturore, ndryshimeve radikale, ngjarjeve subversive, revolucionit në veshje, në muzikë, në shkollë. Koha e frizurave behive, e Led Zepelinave, Bob Dylanit. E Joane Baez.

Ishte dekada e kundër-kulturës (counterculture). Nevoja botërore për të bërë një Counterculture-shkatërrimi i një sistemi politik, kulturor, dhe krijimi i një kulture tjetër mbi gërmadhat e kulturës së vjetër.

Këta ministra, përveç që do ta Rilindin Shqipërinë, do ta çojnë edhe në BE. Kur janë lindur këta ministra, në krye me kryeministrin e tyre Rama, ka marrë fund Perandoria Evropiane në Afrikë, ku 32 vende afrikane janë pavarësuar nga kolonizatorët evropianë.

Nuk ka kaluar shumë kohë, pra kanë kaluar vetëm 49 vjet, që të gjitha shtetet e Ballkanit (sidomos shqiptarët, në mesin e të cilëve as nuk guxon kush të provoj të deklarohet si euro-skeptik), dëshirojnë të bëhen pjesë e Evropës ish-kolonizatore.

Pavarësia që solli Rilindja afrikane në kontinent promovoi anarkinë, kleptokracinë, diktatorshipin dhe luftën civile. Kur shkuan kolonizatorët evropianë, afrikanët u bën kolonizatorë dhe armiq më të mëdhenj të vetvetes. E frikësuar, thashë vet me vete: pensionimi i Berishës nuk e garanton Rilindjen shqiptare.

Qeveria Rama u lind gjatë viteve kur filloi ndërtimi i murit të Berlinit. Murit që ndan kombin. Por, ne shqiptarët jemi të ndarë, dhe nuk duam të bashkohemi. S’jemi si gjermanët katundarë-nacionalistë!

Trend i viteve të gjashtëdhjeta ka qenë edhe fjalimi i Martin Luter King në Washington I have a dream. Nuk prish punë nëse ëndërrojmë që të Rilindim, se Rilindja kurrë nuk ndodh. Rilindja është një dëshirë më e vjetër sa Bibla.

Duke lexuar për trendet politike dhe kulturore të asaj dekade, më së shumti më pëlqeu Lëvizja kulturore e Kalkutës, e formuar nga piktorët dhe shkrimtarët, e që e quante veten Hungryalists. Këta piktorë e shkrimtarë ishin pjesëtar të hungry generation (gjeneratës së uritur). Lëvizja u shua, pjesëtarët e uritur vdiqën, kurse nga uria nuk e shëroi Kalutën as Nëna Terezë.

Nuk është kompliment i madh që Qeveria Rama ka disa femra ministre, sepse tani nëpër botë ministra bëhen edhe travestitët, ata që ndërrojnë gjininë. Kur u lindën zonjat minstre, u zbulua për herë të parë mini-fundi nga Mary Quant, që shkaktoi tërbimin e masave të gjëra evropiane. Ndërsa, sot zonja e lindur në atë dekadë, Mimi, bëhet ministre që e mbron Shqipërinë nga armiku. Bukur për simbolikë.

Të gjithë evropianët u kthyen majtas gjatë viteve të 60-ta: Franca, Gjermania, Britania. Shqipëria, sot kthehet majtas edhe një herë me ekipin e viteve të gjashtëdhjeta.

Duke lexuar për filmat më të shikuar të viteve të 60-ta, ndër ta “Dr.Zhivago”, “Zogjtë” e Hiçkokut, e pashë që edhe filmi “Spartaku” ka bërë bujë të madhe në atë kohë. Spartaku në film, mu lidh menjëherë me Spartakun e politikës, (Ngjelën), i cili mbeti jashtë kabinetit, sepse Edi Rama nuk e ka lejuar veten të bie nën vitet e gjashtëdhjeta.

Nuk është ageism, diskriminim në bazë të moshës, jam e sigurt që Qeveria e viteve të gjashtëdhjeta (qeveria Rama), është një rastësi simbolike.

Numri 6-të ndërlidhet me Antikrishtin, që kurrë nuk vjen.

E, duke qenë numër i djallëzuar, mendoj se Edi Rama ka zgjedhur shumë gjashta për t’i përballuar pas një viti qeverisjeje.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›