Një qeveri e përbashkët Rama 1- Meta 2
Qeveria e re e kryeministrit Edi Rama është një sinjal i qartë i një ere të re brenda së majtës shqiptare, që nuk mbështetet shumë mbi përvojën dhe traditën e qeverive të mëparshme socialiste, por mbi projektin politik të Edi Ramës. Ajo ngjan të jetë një projekt i menduar për të pasur duart e lira dhe emrin e tij të stampuar në çdo ministri, për të marrë kështu të gjitha meritat dhe përgjegjësitë për suksesin apo dështimin e saj.
Kur qeveria është ende në letër, ne mund ta krahasojmë atë vetëm me qeverinë paraardhëse dhe me partnerin e tij në qeveri. Për këtë shkak do të ndaj disa vlerësime të qeverisë Rama në raport me Berishën dhe Metën.
Në ndryshim nga Berisha, Edi Rama ka pasur dhe ka aplikuar disa liri politike, që Berisha nuk i aplikonte dot.
Së pari, ekipi i Ramës nuk ka asnjë ministër të imponuar nën presion politik siç ka pasur Berisha, i cili ka qenë i detyruar të mbyllë sytë si për të shkuarën e tyre korruptive, ashtu dhe politike. Fjala vjen, Rama nuk ka ndonjë ministër të imponuar me pazar si Genc Ruli, të cilin Berisha ka dashur ta çojë në burg për korrupsion dhe pastaj u detyra ta mbajë tetë vite ministër, i kushtëzuar nga presioni politik dhe pazari me të. Nuk ka ministër të imponuar nga pazari si Genc Pollo, i cili edhe pse u përfol për miliona qysh në fillim të mandatit si ministër Arsimi, nuk lëvizi nga karrigia tetë vjet, për shkak të pazarit me Berishën. Nuk ka në këtë qeveri ministër si Arben Imami, të cilin Berisha e ka akuzuar jo vetëm si terrorist, por dhe si një njeri me koeficient fyes intelektual, që mund ta bëjnë sipas tij ministër vetëm juntat që duan të poshtërojnë popujt. E bëri Berisha, dhe bile me urdhër të Familjes së vet, për llogari të së cilës pastaj u bë tregti armësh, skrapi dhe objektesh ushtarake.
Pra, qeveria e Edi Ramës nuk e ka defektin e përzgjedhjes së ministrave nën presionin e pazareve, çka ishte defekti themelor i pushtetit të pamoralshëm dhe kriminal të Berishës.
Së dyti, ekipi socialist nuk ka asnjë figurë të përfolur për korrupsion. Janë të gjithë djem të rinj dhe gra dinjitoze aty ku kanë punuar. Me ndonjë rezervë të lehtë ata janë realisht një projekt i ri politik, që mbetet të provohet, por që nuk mund të paragjykohet. Berisha ka mbajtur në detyrë dy herë radhazi ministra të super-akuzuar për korrupsion, bile ka përdorur imunitetin dhe procedurat gjyqësore për të mos i dënuar dhe për ti rimbajtur ministra. Mjafton të kujtojmë se Fatmir Mediu u ribë ministër ditën që gjykata u vendos para faktit të kryer si deputet me imunitet, ndërsa Lulëzim Basha, i cili ishte një hap larg qelisë për 220 milion euro të shpërdoruara dhe vjedhura, u ribë ministër pasi dogji nën presion afatet e gjykimit të tij.
Së treti, çka është më e rëndësishme, në këtë listë nuk gjen emra qesharakë. Siç e ka thënë me të drejtë Sali Berisha dikur, një ministër i paaftë dhe qesharak është ves i diktaturave, që duan të poshtërojnë shoqëritë. E tillë u bë dhe Shqipëria e fundviteve tetëdhjetë me qeveritë e fundit Çarçani. I vetmi që ja arriti të thyejë rekordin e Adil Çarçanit ishte Sali Berisha. Kurrë Shqipëria ska pasur një ministër më idiot se Flamur Noka, i cili edhe për shkak të nivelit të tij të ulët, ka futur Shqipërinë nën pushtetin e krimit të rrugës dhe pasigurisë, duke vendosur drejtorë dhe shefa komisariati gjithë çfarë njeh Flamuri nga Kukësi dhe Tropoja. Dhe mendoni kë njeh Flamuri dhe kë mund të ketë mik ai, për të logjikuar pse sot krimi po bën kërdinë, mes të tjerash pse ka kuptuar kë ka shteti në krye të tij për ta luftuar atë.
Kurrë Shqipëria nuk ka pasur ministra aq qesharakë dhe budallenj sa Ferdinand Xhaferi, Eduard Halimi dhe Aldo Bumçi, të cilit dhe kur të bëjnë gjëmën, nuk i merr dot inat se të kap gazi. Standarde të tilla intelektuale kjo listë nuk ka dhe vlen për të na shkëputur nga një praktikë staliniste poshtërimi duke na vënë në krye disa idiotë.
Tipari i dytë i qeverisë ka të bëjë në kontrastin mes dy partive të koalicionit. Nëse ministrat socialistë mund të quhen një listë teknokrato- politike e Edi Ramës, lista e Metës mbetet politike dhe me sa duket jo shumë e pëlqyeshme për Ramën. Nëse Rama ka bërë kujdes mos të ketë ministra të Nanos në listën e tij, Meta i ka ofruar dhe ministra të Berishës. Një prej tyre bile është në krye të drejtësisë shqiptare. Kjo tregon se qeveria nuk është formuar siç pritej si një qeveri e bashkuar dhe unike, por si një qeveri e parcelizuar mes dy partive. Nëse funksionon dhe si e tillë, do ketë probleme të ngjashme me qeverinë Berisha.
E vetmja prurje e re e Metës është ministrja e Integrimit, e cila ndoshta do të jetë dhe ministrja me më shumë fat në historinë e kësaj qeverie, që mund të firmosë marrjen e statusit kandidat dhe të shpërndajë pak optimizëm në Bruksel me sharmin e saj, i cili mund të mos jetë në një gjatësi vale me atë të qeverisë.
Pra, kemi një qeveri të formuar nga dy ekipe, nga ai i Ramës, që është një listë teknokrate, tërësisht luajale e tij, për të cilën ai do marrë meritat dhe përgjegjësinë e bilancit, dhe një listë e Metës, e cila është politike dhe reflekton pavarësinë e tij nga Rama. Nuk di të them sot nëse betejat e qeverisjes do ti ndajnë apo bashkojnë, por më ngjan se kjo është qeveria e kryeministrit Rama 1, në koalicion me qeverinë Meta 2. Kanë aq shumë vota në dispozicion sa janë të dënuar të mos kenë asnjë justifikim për dështimin dhe asnjë meritë për guximin për reforma, nëse do ta bëjnë. Është një qeveri e përbashkët mes Ramës dhe Metës, jo një qeveri e bashkuar e së majtës siç mund të ishte më optimiste.
